fbpx
Lajme

“Shpresoj që ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës”, si Albright e kishte nxitur Thaçin që nga UÇK-ja ta themelonte PDK-në

Para 24 vjetësh, më 10 tetor të vitit 1999, është formuar Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti që nga themelimi dhe deri në vitin 2016 e ka pasur kryetar Hashim Thaçin.

Para themelimit të PDK-së, Hashim Thaçi kishte kontakte të vazhdueshme me Madeleine Albright, Sekretare Amerikane të Shtetit. Kjo e fundit e kishte konfirmuar edhe në librin e saj se vazhdimisht e kishte nxitur Hashim Thaçin për t’u kyçur në politikë dhe për të formuar një subjekt politik, shkruan Demokracia.com.

Detaje të hollësishme rreth kësaj teme kishin dhënë edhe dy gazetarët: Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu në librin e tij “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi“. Albright i kishte thënë Thaçit se shpresoj që ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës dhe të zgjidhni paqën kundrejt luftës. Po ashtu, Albright i kishte kujtuar Thaçit se edhe organizata të tjera ushtarake, më pas ishin kthyer në parti politike.

Pjesë e shkëputur nga libri “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”:

Dy veta qëndronin përballë njëri-tjetrit, në dhomën e ftohtë të kështjellës mesjetare të Rambujesë. Ulur në dy anët e një tavoline të lëmuar nga koha, me vështrimet e përqëndruara për të kuptuar më mirë atë që tjetri po mendonte atë moment. Dy personazhe me moshë dhe eksperienca të ndryshme, që befas, qenë bashkuar në tavolinën e gjatë për t’i dhënë rrugë një historie që po kalbte Ballkanin prej një dekade.

E para ishte gruaja më e fuqishme e globit, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeliene Albright. Emigrantja Çeke, vajza e një diplomati të njohur të Pragës, kishte ngjitur majën e politikës botërore duke u bërë gruaja e parë që drejtonte diplomacinë e vendit më të rëndësishëm të rruzullit. Kishte një karrierë të gjatë në politikën e jashtme dhe kishte punuar për disa presidentë demokratë. E ashpër, këmbëngulëse, e bindur për fuqinë e shtetit që përfaqësonte, ajo i kishte ngulur sytë thellë si të donte ta intimidonte, njeriun që kishte përballë.

I dyti, një djalë i ri, që sapo kishte mbushur të 30 – tat, Hashim Thaçi. Një ilegal që deri një javë më parë nuk e njihte thuajse askush veç miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. I lindur në një fshat të largët të Kosovës të quajtur Brojë, në fare pak kohë, ai ishte ngjitur në majat e një lëvizje guerilase, duke u bërë shef politik i saj dhe prej aty, kryetar i Delegacionit Kosovar në Rambuje. Dosja e tij në CIA ishte bosh dhe askush më mirë se sa gruaja përballë nuk e dinte se sa shqetësuese ishte kjo për të gjithë ata. Një numër i madh diplomatësh, që po mundoheshin të zgjidhnin konfliktin që kishte cfilitur dhe përgjakur Ballkanin prej vitesh dhe që përmblidhte brenda tij më shumë se 700 vjet histori të komplikuar dhe të përgjakshme.

I treti, i vendosur midis, përkthyesi, qëndronte në pritje të fjalëve që momentin e parë dukej se asnjëri nuk kishte ndërmend t’i nxirrte në atë takim befasues. Situata ishte po aq e tensionuar sa pak minuta më parë, kur në tavolinën e sallës, qenë ulur përballë për herë të parë, dhe siç do shihej më vonë të fundit, dy delegacionet që qenë sjellë aty për të gjetur paqen, shqiptarët dhe serbët!

Tani qëndronin të dy përballë, të bindur se qëllimi i njërit nuk mund të arrihej kurrë pa dakordësimin e tjetrit. Të dy ishin të qartë në kërkesat e tyre!

Ollbrajt donte t’i jepte fund arrogancës së Millosheviçit në Ballkan. Një personazhi që e neveriste dhe që ajo besonte se nuk njihte asnjë formë tjetër bindjeje përveçse forcës. Për ta arritur këtë i duhej patjetër PO – ja e djalit të ri që kishte përballë. Po – ja e tij ishte shah-mat për liderin autoritarist të Beogradit. Nëse edhe Millosheviçi do të përgjigjej me Po, trupat e NATO – s do të vendoseshin në Kosovë duke i dhënë fund metodave me të cilat ai besonte se do të vendoste hegjemoninë serbe atje. Nëse Millosheviçi përgjigjej Jo, avionët e NATO -s do fluturonin mbi Jugosllavi dhe ai nuk do të rezistonte gjatë. Liderin e Beogradit e shpëtonte vetëm një gjë: JO – ja e djalit që qëndronte përballë Ollbrajtit.

Hashim Thaçi kërkonte pavarësinë e vendit të tij. Ai ishte lodhur nga rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës, liderit më të njohur politik në vend; ishte lodhur nga dhuna dhe tallja serbe. Prej vitesh si shumë moshatarë të tij, kishte vendosur të mos jetonte më në të njëjtën situatë si prindërit. Dhe për ta arritur këtë kishte zgjedhur luftën. Ishte i ri, pa shumë përvojë, por ndryshe nga ata që besonin se ndarja prej Serbisë ishte praktikisht e pamundur, ai ishte i bindur për pavarësinë. Po – ja ose Jo – ja e tij në Rambuje, varej prej saj. Por ai e dinte, që pavarësia e vendit të tij, nuk mund të arrihej kurrë pa forcën dhe kërcënimin e vendit që përfaqësonte gruaja përballë.

Me planet dhe kalkulimet e tyre, qëndronin tani në dy anët e tryezës, në një takim që sipas regjistrit të Kështjellës zgjati rreth 30 minuta. Dhe për të cilin askush veç tyre nuk di të thotë se çfarë u bisedua konkretisht. Të dy kanë botuar kujtime për atë takim.

Në librin e saj, Ollbrajt e përmend kështu:

Pas takimit të përgjithshëm, u takova vetëm për vetëm me Thaçin në njërën nga dhomat përdhese ku frynte shumë. Që në takimin e parë, ashtu si edhe në takimet e mëvonshme, u habita nga mosha e tij e re dhe mungesa e përvojës, çka e bënin atë herë kokëfortë e herë të etur për t’u pëlqyer të tjerëve. Në rastin e Rugovës ndieja se i drejtohesha një kolegu të çuditshëm akademik. Thaçi më ngjante më shumë me një student me mundësi të shkëlqyera, me prirjen për ta dorëzuar detyrën me vonesë”.

Thaçi përshkruan se ishte ai që e kërkoi takimin, por Ollbrajt nuk e kishte treguar këtë pjesë. Në një intervistë të vitit 2000, Thaçi rrëfen:

Menjëherë pas takimit me delegacionin serb me kërkesën time zhvilluam një takim vetëm për vetëm me z. Ollbrajt, po në sallën ku u mbajt takimi i parë. Ajo m’u drejtua me këto fjalë: Ne duam paqe në Kosovë dhe rajon, duam të ndalen vrasjet dhe dëbimet“.

Ollbrajt e dinte se problemi kryesor që kishte Thaçi nuk ishte vetëm pavarësia e plotë, që e aspironte edhe pjesa tjetër e delegacionit, por një tjetër pikë delikate në marrëveshje. Bashkë me hyrjen e trupave të NATO -s në Kosovë do të niste edhe çarmatimi i UÇK – së. A do të pranonte lideri politik i një ushtrie që kishte humbur çdo besim tek politika dhe që besonte se rruga e vetme e suksesit ishin armët, t’i vendoste ato në një depo të ruajtur nga forcat e NATO – s dhe t’ja dorëzonte Kosovën atyre që ata besonin se ishin përgjegjësit kryesorë për situatën, politikanëve të Prishtinës?

Sipas marrëveshjes sonë, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe do të hiqte krejtësisht dorë nga çfarëdolloj roli të pavarur ushtarak. E dija se Thaçi do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë, edhe me garancitë që ofronte NATO-ja“, përshkruan ajo.

Ollbrajt duket se është munduar t’ja bëjë sa më të thjeshtë Thaçit çarmatosjen e UÇK – së dhe t’i shpjegojë atij se në një shtet në paqe, mjetet e vetme demokratike janë zgjedhjet dhe politika. Në të njëjtën intervistë Thaçi kujton që Ollbajt t’i ketë thënë:

Shpresoj që Ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës dhe të zgjidhni paqën kundrejt luftës”.

Ishte hera e dytë brenda një ore që Ollbrajt përmendte Gerry Adams, liderin e IRA që kishte ditur të kthehej nga një guerilas në një figurë politike. Një orë më parë, në takimin me delegacionin e plotë, ajo kishte përdorur shprehjen: “këtu ju keni edhe një Gerry Adams”, ndërsa në zbrazëtinë e sallës ku qëndronin vetëm të dy i ishte drejtuar Thaçit me fjalët: “Ju mund të bëheni Adamsi i Kosovës”.

Edhe vetë Ollbrajt e konfirmon atë që Thaçi kishte rrëfyer një vit pas këtij takimi:

I kujtova se edhe organizata të tjera ushtarake, më pas ishin kthyer në parti politike“.

Takimi 10 minutësh po kalonte kufijtë e 30 minutave. Biseda ishte e ndarë dhe pak e çuditshme. Të dyja palët donin marrëveshje, por humbisnin në detajet se si do të arrihej ajo. Duke ndjerë lëkundjen e Thaçit, Ollbrajt hoqi dorë nga roli i diplomates më të rëndësishme në botë dhe mori rolin e një nëne. Gati gati e konsideroi të mirëqënë angazhimin e kreut të delegacionit shqiptar:

Jam e kënaqur me zotimin tuaj për të nënshkruar”, thotë ajo.

Ai u përgjigj:

Besoj se mund të arrihet një marrëveshje, por kjo nuk varet as nga unë, as nga UÇK-ja, madje as nga delegacioni. Mund të ketë vështirësi.”

Thaçi ka pak a shumë ka të njëjtin qëndrim në kujtime. Sipas tij, Ollbrajt e kishte konsideruar të mirëqenë Po – në e tij dhe kishte vazhduar:

Me vjen mirë që dëgjoj këto fjalë nga ju, ne jemi me ju, ne duam këtë që thoni, marrëveshje“.

Biseda ishte tejet e kujdesshme dhe të dyja palët mundoheshin të mos hynin në terma konkretë. Në sallën e ftohtë dhe të boshtë të kështjellës, toni ishte thuajse miqësor. Ishte vetëm fillimi i konferencës së Rambujesë dhe asnjëri nga të dy, nuk e dinte rrjedhën e papritur që do merrnin ngjarjet…

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close