Si nisi spekulimi për shkarkimin e Gërvallës nga Kurti? Burimi ishte një i fortë i VV-së
Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, është përballur me kritika të ashpra për punën dhe mos-punën e saj gjatë këtij viti. Javët e fundit është raportuar se asaj i ishte kërkuar dorëheqja nga Albin Kurti, por të cilën politikanja nga diaspora e kishte refuzuar. Këto raportime janë demantuar si nga Gërvalla ashtu edhe nga Kurti. Por, prej kah erdhën këto spekulime?
Donika Gërvalla Schwarz duket se do të vazhdojë të jetë ministre e Punëve të Jashtme përkundër huqjeve të panumërta me flamuj dhe emra.
Ministrja sot hyn në vitin e dytë të mandatit të saj, por të arriturat nuk duken të mëdha. Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër prej që ajo mori pushtetin, derisa mungojnë edhe vizitat nga liderë të vendeve të rëndësishme në vendin tonë. Për më tepër, nuk ka aplikim për anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Puna njëvjeçare e ministres është kontestuar madje edhe nga simpatizantë të kryeministrit Albin Kurti.
Veçanërisht ‘i nxehtë’ me postime ishte muaji dhjetor i vitit të kaluar, kur ndodhi një ‘potpuri’ me huqje nga ana e Gërvallës.
R R Ë N J A
Në muajin dhjetor të vitit 2021, një prej tre zyrtarëve më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje (emrin nuk po e zbulojmë për t’i ruajtur anonimitetin burimit që ishte prezent kur u thanë fjalët) do të shkonte në një emision televiziv për t’u përballur me analistë.
Pas emisionit televiziv, ky zyrtar i lartë kishte komentuar punën e znj. Gërvalla privatisht.
Burimi i gazetës Nacionale thotë se në atë diskutim privat, ky zyrtar kishte deklaruar që kryeministri Kurti do ta shkarkonte znj. Gërvalla nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme qysh në muajin janar.
R A P O R T I M I
Gazeta Insajderi kishte raportuar se Kurti ka kërkuar dorëheqjen nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme nga znj. Gërvalla. Propozimi sipas kësaj gazete ishte që Gërvalla të mbetej thjesht zëvendës-kryeministre.
Edhe ky raportim kishte ardhur bazuar në të njëjtin diskutim që kishte pasur zyrtari i lartë i Vetëvendosjes, që është edhe zyrtar i lartë shtetëror pas atij emisioni televiziv.
Drejtori i kësaj gazete, z. Parim Olluri, në një deklaratë pas demantimit që i kishin bërë lajmit Gërvalla me staf të sajin, ishte shprehur:
“Nuk u tërhoqa. Ka tension që dy-tre muaj. Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ia kanë kërkuar që dy muaj dorëheqjen. Ideja është që të largohet nga posti i kryediplomates në një post tjetër në një riformatim qeveritar.”
Gërvalla kishte shfrytëzuar këtë raportim madje edhe për të sulmuar mediet.
“Masat e menjëhershme dhe të suksseshme të qeverisë për të mos lejuar rritjen artificiale dhe të shfrenuar të çmimeve, krijimin e panikut dhe zhvatjen e skajshme të qytetarit, tek ata që duan ta zhbëjnë 14 shkurtin 2021, natyrisht që krijojnë shqetësim dhe ngjallin fantazi dhe epshe të pakontrolluara. Shpikin, shajnë, fyejnë, gënjejnë. Ndërsa ne, thjesht vazhdojmë punën”, ishte shprehur znj. Gërvalla.
P S E të vinte ky lajm nga Vetëvendosje?
Pse të thuhej nga zyrtari i lartë i Vetëvendosjes që kryeministri do ta shkarkonte Gërvallën në muajin janar nëse kjo nuk do të ndodhte?
Mundësia e parë është që ky zyrtar është i pakënaqur me punën e bërë nga shefja e diplomacisë. Për këtë arsye, ai mund t’i ketë kërkuar kryeministrit shkarkimin e znj. Gërvalla dhe mund të ketë marrë miratimin e tij në formë jo-eksplicite.
Por, mundësia më reale është ajo e një ndasie mes këtij zyrtari dhe institucionit që përfaqëson me kryeministrin. “Larg syve, larg zemrës,” mund të jetë realiteti i raporteve të të dyve, të cilët aktualisht janë të ndarë për shkak të pozicioneve që kanë.
Kryeministri Kurti është kritikuar nga aktivistë të Vetëvendosjes se i ka lënë ata të nën-përfaqësuar. Më shumë se gjysma e kabintetit qeveritar është e përbërë nga njerëz që nuk kishin një të kaluar të gjatë në Vetëvendosje, derisa edhe bashkëpunimi i Listës Guxo me këtë parti – dhe i Gërvallës specifikisht – nuk është aq i vjetër.
Ç K A mund të ndodhë?
Kryeministri Kurti e përshkroi veten dje si “punëtor me hillt”. Punëtorët me ‘hillt’, e kryejnë punën e tyre me “hillt” si të vetmuar. Veç një punëtor mban ‘hilltin’ derisa i qepon betonit, jo dy a më shumë. Kurti nuk dha arsye pse e shihte veten në atë formë, e që na jep leje neve si medium që të aludojmë se ai ndihet i vetmuar në objektin qeveritar, ndoshta duke i vlerësuar si jokompetentë njerëzit me të cilët rrethohet.
Po dje, ai i tregoi qytetarëve se në ekipin e tij nuk e kishin ditur që Vladimir Putin – presidenti i Rusisë – kishte qenë në Kosovë në vitin 1999. Diçka që e di shumica e Kosovës. Po nënkuptonte se sa të padijshëm i ka të vetët? Nuk dihet.
Sidoqoftë, nëse z. Kurti ka vlerësim nënçmues përgjithësisht për krejt ose shumicën e anëtarëve të kabinetit të tij, kjo mund ta shpëtojë edhe znj. Gërvalla me huqjet e saj.
Të paktën, ajo nuk është shkarkuar deri tash dhe nuk pritet të shkarkohet pasi Kurti publikisht e konsideroi të mirë punën e bërë.
Gërvalla – edhe për shkak të raporteve të mira që ka me presidenten – nuk besohet se mund të lëkundet nga karriga e ministres së Jashtme nëse nuk ndodh një acarim i papritur raportesh me Listën Guxo dhe partneriteti qeveritar me ndonjë nga partitë opozitare./nacione/