Skandal: Qeveria e Kurti i dha tender mbi gjysmë milioni kompanisë së lidhur me Radojçiqin
Kompania e cila mori mbi 600 mijë euro tender, ishte futur në listën e zezë të SHBA-së. Kompania RAD D.O.O.
Kompania e “bosit të veriut” mori tender edhe kur qeveria drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.
Në fakt një ministër i Kurtit i ka dhënë tender kompanisë së lidhur me të kërkuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik B CORP SH.P.K. ; Europa Partners SH.P.K. ; RAD D.O.O.
Kjo e fundit, Rad D.O.O dihet se është pronë e Milan Radojiçiq, shkruan Gazeta Infokus.
Në fakt, kompania Rad në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit figuron si pronë e Radule Steviç, por realisht ajo është pronë e Milan Radojiçiq.
Kjo kompani këtë të mërkurë mori tender për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës.
Ky konzorcium, në fakt fitoi Lotin 2, në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për qytetin e Mitrovicës.
Gazeta ka raportuar edhe muaj më parë se janë dy kompani nga Zveçani, që zakonisht marrin miliona euro nga buxheti i shtetit përmes tenderëve publik.
Infokus ka gjetur se “P.T.P RAD” dhe “RAD D.O.O” që kanë të njëjtin pronar, në tri vitet e fundit kanë marrë thuajse të gjithë tenderët për kryerjen e punimeve në komunat e Kosovës me shumicë serbe.
Radule Steviç është personi që figuron si pronari i këtyre dy bizneseve, sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
“PTP RAD” është e regjistruar në vitin 2013, kurse “RAD D.O.O” në vitin 2018. Këta dy operatorë kanë deklaruar se kryejnë 32 veprimtari ekonomike.
Nga ndërtimi i objekteve banesore, rritja e derrave, kultivimi i hardhive e deri tek ueb portalet, janë punët që bëjnë këto biznese.
Por ndonëse numri i punëve që bëjnë është mjaftë i madh, këto dy biznese figurojnë vetëm më nga një të punësuar.
Gazeta ka provuar të kontaktojë me pronarin e këtyre dy bizneseve, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /infokus/