Sllavët dhe Arbëreshët
Emri kombëtar Iliri dhe Ilir dëgjohet deri në shekullin e VI. Në 5 shekujt e mëpasshëm nuk bëhet fjalë fare për ilirët. Është e vërtetë se shumë më përpara, që në kohën kur ilirët luajnë rol në Perandorinë Romake, emri kombëtar Ilir është zëvendësuar me “Romak”. Ilirët janë lidhur me egzistencën e shtetit Romak dhe Bizantin, me gjithë dallimet e tyre të mëdha.
Me ardhjen e Sllavëve në Ballkan, dhe pushtimit të të gjithë Ballkanit Veriperëndimor, Iliria shkëputet nga shteti Bizantin. Ilirët bëjnë beteja të dëshpëruara, që të mbronin atdheun e tyre, por lufta ishte e pabarabartë, sepse turmat sllave që vinin me mijëra e mijëra në pafundësi dhe jo vetëm si ushtarë, por bashkë me familjet dhe plaçkat e tyre. Pra bëhej fjalë për një emigrim të madh si ato të pellazgëve të lashtë.
Në pak vjet, e gjithë Iliria e Veriut u përfshi nga sllavët dhe popujt ilirë u detyruan ta braktisnin atë apo të mbeteshin si ishuj në mes të detit sllav. Sllavët i filluan fushatat e tyre në shekullin e VI dhe i ndërprenë në shekullin e VII, duke ndryshuar shumë herë hartën e Ballkanit. Siç thamë, Iliria e Veriut humbi përgjithmonë e u bë sllave, banorët e saj u vranë, u shpartalluan, u detyruan të çatdhesoheshin ose u asimiluan.
Pra hera e fundit që përmenden Ilirët apo ndoshta Iliria, është në “Mrekullitë e Shën Dhimitrit”, një kronikë që u shkrua në shekullin e VII. Më pas, ndjek një heshtje e fakteve historike deri në shekullin e XI, kur historiani bizantin Mihal Ataliati përmend jo më Iliri dhe Ilirë, por Arbëri dhe Arbëreshë, që ishin aleatë të Jorgo Maniaqit, i cili doli kundër Kostantinopojës më 1043.
Pas Ataliatit kemi Ana Komnenën që përmend emrin “Arbëreshë” në një territor të quajtur “Arbëri” dhe që ishte në Shqipërinë e sotme qëndrore. Duhet shënuar këtu se 9 shekuj përpara, gjeografi aleksandrin, Klaudio Ptolemeu, përmend fisin ilir të Albanëve (Albanë, Albanopolis), që i vendos në të njëjtën zonë. Kjo heshtje prej 4 shekujsh dhe zhdukja e emrit Iliria dhe Ilirët, si dhe shfaqja e emrit kombëtar “Albanë” dhe Albania, i hutoi historianët dhe etnologët dhe disa prej tyre pohuan se fisi ilir u zhduk nga hartat kombëtare dhe se Albanët e rinj ishin një fis tjetër që, me sa duket, erdhi pak përpara shekullit XI, ose bashkë me sulmet barbare në Ballkan.
Në shekullin e XIX u hartua e ashtuquajtura tezë “Trakase” nga K. Pauli dhe H. Hirt, që u mbështet nga historianë e gjuhëtarë jugosllavë dhe rumunë, sipas të cilës shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me ilirët, por erdhën gjatë emigrimeve të mëdha barbare dhe flisnin latinisht dhe danubisht.
Rrjedhimisht, është një nga fiset trakase. Këtë mendim të tyren e mbështesin në faktin se në shqip egzistojnë fjalë latine të zonës së Danubit, dhe disa fjalë të rradha hasen dhe në rumanisht e në shqip.
Kundërshtimi i kësaj teze nuk është aspak i kënaqëshëm nga historianët Pollo – Puto.
Jani Vreto, në “Apologjinë” e tij të famshme, që u botua në vitin 1878, duke përmbysur një tezë të ngjashme që do shqiptarët të ardhur nga Kaukazi, i përgjigjet në një mënyrë shumë të veçantë dhe me efekt. Vreto parashtron një seri dokumentesh dhe fjalësh të lashtësisë klasike dhe paraklasike, që janë të njërrënjëshme me ato përkatëse shqiptare.
“Në qoftë se – thotë Vreto – shqiptarët nuk do të ishin të vendosur ngahera aty ku janë edhe sot, por do të ishin barbarë të ardhur gjatë fushatave pas viteve të krishtërimit, atëherë si shpjegohet identiteti i përbashkët i shqipes me greqishten e vjetër homerike të viteve të lashtësisë paraklasike, në një çast kur ne dimë se në shekullin e VII nuk flitej më gjuha e epeve homerike?”
Mbi tezën e ashuquajtur “Trakase” apo “Rumune” kam një replikë më të përcaktuar:
1- Pas luftrave të famshme dakase dhe vendosjes së rendit në Daki, pra, në Rumaninë e sotme, Perandori i Romës Trajani, e populloi vendin me një numur të madh romakësh dhe kryesisht ilirësh, në mënyrë të tillë që romanizimi i popullësisë të bëhej në një kohë sa më të shkurtër. Në këtë përzierje, pasojë do të ishte që ilirët si të paasimilueshëm të linin një vulë të fortë aty.
2- Në kohët më të reja dhe më saktësisht, në periudhën e sundimit Osman në Ballkan, pasardhësit e ilirëve, arbëreshët, përsëri luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në Rumani. Familja princërore Gjika, me prejardhje arbëreshe do të sundojë (si hegjemone), në Moldovllahi për shumë vjet (1658 – 1856). Hegjemonët më të rëndësishëm do të jenë Gjergj Gjika, Grigori III, Grigori IV, Aleksandri II, Grigori V etj.
I fundmi i familjes Gjika, Johani, bëhet edhe i pari president i qeverisë së parë të shtetit të sapokrijuar rumun. Nga kjo familje e madhe princërore e Gjikëve, ka prejardhjen edhe poetesha e famshëme e shekullit të XIX, Dora d’Istria, emri i vërtetë i së cilës ishte Elena Gjika, vajzë e Grigor Gjikës IV.
3- Arbëreshët, që në kohën e pushtimit turk në Ballkan ndodheshin në Rumani, nuk ishin vetëm princërit por një numur tejet i rëndësishëm.
4- Më 1887, faktori arbëresh në Rumani është i rëndësishëm, duke qenë se në këtë vit themelohet atje klubi “Dituria”, e cila propagandon rilindjen kombëtare të shqiptarëve.
Nga këto 4 dokumente historike, arrijmë në përfundimin se fjalët e përbashkëta të shqipes me rumanishten, kanë një shkak tjetër dhe jo atë të ndërtimeve të pamundëshme të mbështetësve të tezës Trakase. Janë fjalë që nguliti në Rumani prania afatgjatë e arbëreshëve dhe më pas e shqiptarëve në atë vend.
*Marrë nga libri Arvanirasit dhe prejardhja e grekëve i autorit Aristidh Kola