“Süddeutsche Zeitung”: Thaçi po kritikohet për pazare të fshehta me Beogradin
Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të arritura nën presionin e ambasadorit amerikan në Berlin i quan vetëm shenja të qëllimeve të mira.
Në numrin e së shtunës gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” raporton për nënshkrimin e një letre përmes së cilës Serbia dhe Kosova zotohen për hapjen e linjës hekurudhore mes dy vendeve, transmeton Koha Ditore.
“Ky është një sinjal për ekonominë në SHBA dhe Europë për të investuar në rajon”, tha Richard Grenell, ambasador i SHBA në Berlin dhe nga tetori i vitit të kaluar i dërguar i posaçëm i Donald Trumpit për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Pas nënshkrimit të letrës, njofton “Süddeutsche Zeitung”, Thaçi tha se ky ishte një hap i madh drejt një marrëveshjeje përfundimtare historike. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas gazetës gjermane, ishte më i përmbajtur.
“Süddeutsche Zeitung” shkruan se kritikët e akuzojnë presidentin kosovar Hashim Thaçi se më këso pazaresh të fshehta me Beogradin po përpiqet të sigurojë një imazh ndërkombëtar të sjellësit të paqes, ndërkohë që atij, si prijës i dikurshëm i UÇK-së, i kanoset një ftesë nga një gjykatë për krime të luftës në Hagë.
Gazeta thekson se amerikanët dhe europianët janë parimisht të një mendimi mbi nevojën e zgjidhjes së konfliktit mes Kosovës e Serbisë. Por dallimi ekziston te fakti se administrata e Trumpit ka sinjalizuar se mund të përkrahë ndryshimin e kufijve të Kosovës, ndërsa në Berlin dhe Bruksel këto plane kanë shkaktuar frikë të madhe për shkak se ndryshimi i kufijve të Kosovës do të zgjonte apetite edhe në vende të tjera të Ballkanit.
“Süddeutsche Zeitung” shkruan se kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti ka premtuar pastrimin e vendit nga korrupsioni dhe nepotizmi. Këtu, sipas gazetës, hyjnë edhe pazaret nëpër bodrume si ato mes presidentit Thaçi dhe kolegut të tij serb.