fbpx
Lajme

Tahir Zemaj: Ramushi ka qenë një luftëtar-diversant shumë trim, por disa rreth tij kanë vjedhur

Tahir Zemaj – libri Kështu foli Tahir Zemaj:

Kur panë që ne qemë shumë të vendosur e kompakt, dhe që nuk kishim ndërmend të shpërndaheshim si zogjtë e korbit nëpër Kosovë, se ne nuk lëshonim pe në pikën tonë kryesore, siç qe ajo e hyrjes dhe e veprimit tonë luftarak në të mirë të Kosovës, ashtu siç ishim, atëherë ata na kërcnuan se “ ju nuk do të guxoni dhe s’keni për të pasur shans ta kaloni fshatin Junik”. Sali Veseli na dërgoi një letër, në të cilën thuheshin fjalët e mësipërme, duke na paralajmëruar që të mos e nisnim marshimin për në fshatin Junik pasi “do të priteshim me dhunë”.

Pasi e informova dhe u konsultova me Shtabin Suprem dhe me Zotni Krasniqin për këto fërkime, kam kërkuar mendimin e tij. Iniciatorë kryesorë të këtij incidenti kanë qenë Sali Veseli dhe Naim Maloku. Ramush Haredinaj qe më i pavendosur, nuk ka ngulur shumë këmbë, të paktën në ato dy takime. Ai dukej se punonte me kokën e dikuj tjetër dhe ndoshta ka qenë edhe i manipuluar. Nga Shtabi më porositën të mos humbja kohë, ta kryeja fazën e tretë të marshimit. Më sugjeruan të lija në fshatin Jasiq dy oficerë për të kontaktuar me dërgesat e armatimeve që prisnim. Kam vendosur të lë aty Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin.

Përpos detyrës së pranimit të armatimit, u lashë si detyrë që të angazhoheshin, si në Junik edhe në Jasiq, për stërvitjen e atyre djemveqë nuk kishin njohuri ushtarake, me qëllim që të aftësoheshin. Në një betejë në fshatin Gjocaj, ata djem dhe vajza, të stërvitura, kanë vrarë jo veç ushtarë, por edhe oficerë serbë. Ka pasur spekullime rreth qëndrimit të rrustem Berishës dhe Agim Ramadanit në Jasiq. E vërteta është kjo: ata janë urdhëruar nga Shtabi Suprem të rrinë aty për të kryer ato detyra që përmenda, pra për të mbajtur të hapur korridorin e furnizimit dhe ndërkohë për të ndihmuar organizimin e mbrojtjes dhe stërvitjen e vullnetarëve. Unë kam pasur gjatë gjithë kohës kontakt me ta. Kam biseduar pothuajse çdo ditë në telefon, kemi shkëmbyer informacione dhe të dhëna të ndryshme.

Po ashtu edhe Sefedin Kuqi me lutjen e eprorëve dhe luftëtarëve të fshatit Junik, ka mbetur në Junik për t’u ndihmuar në aftësimin luftarak dhe në organizimin profesional të mbrojtjes në atë zonë. Ramadani, Berisha dhe Kuqi kanë komunikuar dhe koordinuar në mënyrë të vazhdueshme. Në postin e komandantit të brigadës 131 është emëruar si kryes i detyrës së komandantit, Nazif Ramabaja, shef i shtabit i po së njëjtës brigadë. Asnjë shpjegim tjetër nuk i përket të vërtetës. Ata, pas ofensivës së ashpër serbe në Rekën e Keqe kanë marrë urdhër të tërhiqen në Shqipëri dhe janë tërhequr. Më vonë kanë vazhduar luftimet, siç dihet nga të gjithë duke ndihmuar edhe popullsinë e deportuar.

Shpejt, gjatë kohës që kemi qenë në Jasiq, njerëzit që përmenda më sipër, pra Veseli, Maloku dhe Haradinaj dërguan një “toger” me pesë ushtarë dhe më ftuan të shkoja në Junik. Kur po bëhesha gati, Agim Ramadani ka ndërhyrë dhe më ka thënë “jo komandant, ju muk do të shkoni, do të shkoj unë bashkë me dy oficerë të tjerë që mund t’i caktoni ju. Kam përshtypjen dhe një parandjenjë të keqe që ata duan t’ju marrin peng !”. Më vonë i kam dhënë të drejtë, pasi kam marrë vesh që një plan i tillë kishte ekzistuar. Agim Ramadani shkoi në takim bashkë me Fadil Hadërgjonajn dhe Nazif Ramabajën. Ata kanë paraqitur planin tim operativo-ushtarak për fazën e tretë të marshimit tonë. Agimi nuk solli gjë të re nga bisedimet. Më tha se ata akoma pretendonin senuk do të na lejonin të marshonim.

Aty kemi marrë vendimin për të marshuar, dhe në se do të na hapnin luftë, do të luftonim. Por duke i njohur karakteret e tyre, llafazërinë e Veselit dhe dobësitë e Naimit, kisha njëfarë sigurie se ata nuk do të bënin gafa të tilla. Megjithatë urdhëri ka qenë që, nëse na godisnin, do të luftonim. Me 30 qershor në orën 22 kam urdhëruar fillimin e fazës së tretë së marshutës. Nga Jasiqi në Junik kemi marshuar në këmbë duke respektuar të gjitha masat e sigurisë dhe të luftimit, ndërsa nga Juniku, ku “do të na bëhej rezistenca”, na kanë pritur makinat e Jasiqasve që na dërguan deri në fshatin Pacaj. Në Junik jam takuar edhe njëherë me ata njerëz. Ky veseli më pyeti “në se kishim nevojë që ata të na bënin përcjellje deri në Prapaqan ?!” dhe filloi të justifikohej se egjitha ajo që kishte ndodhur s’kishte qenë gjë tjetër veç përpjekje e tyre për të na siguruar rrugën!!

Sali Çeku kishte shkuar para nesh në Rrafshin e Dukagjinit për të parë situatën, për të vënë kontaktet me eprorët dhe njërëzit tjerë, për të krijuar kushtet për vendosjen e Brigadave dhe të Komandës. Ai më kishte informuar se gjithçka ishte përgatitur. Ai më kishte lajmëruar se do të na priste në fshatin Kodrali në orën 4 të mëngjesit. Rreth mesnatës kemi kapërcyer magjistralen Deçan-Gjakovë. Pas kalimit të saj kemi mbërritur në fshatin Hereqë, në orën tre të mëngjesit në Gramaçel për të vazhduar drejt Dubravës, ku na prisnin automjetet që do të na dërgoninnëpërmjet Gllogjanit në Isniq, Pozharë, Prapaqan.

Në Isniq kemi qenë në orën 5 të mëngjesit. Na ka pritur Sali Çeku me rrustem Bruçin, i cili ka dhënë një kontribut shumë të madh për vendosjen e shtabit dhe njësive operative. Kështu mbërritëm. Jemi vendosur në të njejtën mënyrë si në fshatin jasiq, nëpër shtëpitë e vendasve. Me një korrik jemi vendosur në Isniq. Menjëherë kemi filluar zgjedhjen e luftëtarëve për në radhët e njësive operative. Aty kam kontaktuar me shumicën e komandantëve të fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit. Aty kam takuar edhe nënën time, pas 11 vjetësh. (Ndërsa flet për nënën e vet, Koloneli humb ashpërsinë dhe vendosmërinë e ushtarit, zhytet në kujtime – të na fal lexuesi për këtë shpjegim – por atij gati i shpëtuan lotët, ndërsa ne po mendonim se sa çnjerëzore është ta ndash njeriun nga nëna e tij! Nëse për 11 vite Zemajn e kishin ndarë nga nëna dhe të afërmit e tij, burgu serb, burgu serb dhe emigrimi, kush ishin këta të tjerët, që u përpoqën ta pengojnë, ta bëjnë të përjetshme ndarjen e tij me nënën, me Kosovën ??)

Deri në atë moment – vazhdon Zemaj duke iu referuar komandantëve të fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit – ata kishin vepruar nën detyrat e shtabit ekzistues. Ka qenë Gani Gjukaj i Strellcit të Ulët, oficer, Skënder Rexhahmetaj i fshatit Isniq, oficer, Rrustem Tetaj i fshatit Llukë i Ulët, Shemsedin Çeku i fshatit Irzniq. Këta i kemi gjetur në veprim. Ata komandonin rajone nën komandën e shtabit të Dukagjinit të cilin e udhëhiqte Ramush Haredinaj. Në atë takim Gjukaj, Rexhahmetaj dhe Çeku janë përfshirë, ndërsa Tetaj mbeti anash, fillimisht luajti një lojë që në fakt nuk i kishte hije, por më vonë ka reaguar pozitivisht. Pastaj kanë ardhur edhe të tjerë si Besim Gashi, Imer Ahmetaj, Haxhi Imeraj, Isuf Haklaj, Rrustem Bruçi, Shkelzen Idrizaj, Idriz Elezaj, Haxhi Gashi, Florim Çelaj, Bashkim Boshktrakaj etj. Ata kishin besim në forcën dhe organizimin tonë. Dhe është fakt se gjatë gjithë kohës që kemi qëndruar aty nuk ka pasur asnjë masakër.

Përpara ka pasur masakra në fshatra të ndryshme, bie fjala në Lubeniq. Strellcin e Epërm, Gllogjan etj. Janë zhvilluar gjithë ato veprime luftarake, beteja e Loxhës, mbrojtja e Llukës, mbrojtja e disa fshatrave në Rekën e Keqe, betejat e Agim Ramadanit, Rrustem Berishës dhe Sefedin Kuqit në Junik etj. Kam vërejtur se komandantëve lokalë të fshatrave, që siç thashë ishin nga tre e katër, nuk u pengonte fakti që ne ishim nën komandën e Shtabit Suprem të Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës, pasi edhe ata ishin të bindur që nuk ekzistonte shtab tjetër më profesional dhe më adekuat për mbrojtjen e Kosovës. Ata kishin dëgjuar për shtabin e Haradinajt, shtab që i ngjante plotësisht Shtabit të Përgjithshëm, për të cilin vetë ky i fundit është shprehur më vonë se “ka qenë shtab i dobët dhe i paplotësuar me kuadro profesionistë”, një shtab ku mbizotëronte familjariteti, ku gradat dhe meritat shpërndaheshin sipas afërsisë së gjakut.

Në një ndërprerje të rrëfimit të tij, Tahir Zemaj pranon se Ramush Haredinaj, personalisht, ka qenë një lufttëtar-diversant shumë trim dhe është e pamohueshme që ka bërë edhe disa përpjekje për të organizuar rezistencën. “Eshtë e trishtueshme – thotë ai – se disa njerëz rreth Ramushit nuk e kanë merituar të punonin me të. Disa komandantë lokalë- specifikon Zemaj – nuk merreshin me luftën,ata prisnin zhvendosjen e fshatarëve dhe qenë të parët që vidhnin, serbët kanë ardhur në radhë të dytët. Ata përhapnin panik, silleshin si kaubojs nëpër fshatra, kanë qenë këto gjëra dhe fakti se ata vërenin se një forcë e organizuar dhe profesionale do t’ua humbte shanset që edhe më tej të zhvillonin veprimtarinë e tyre, që ka bërë që ata ta kundërshtonin praninë tonë dhe të na shkaktonin probleme.

Pas takimit në Isniq, ku dhjetëra eprorë pranuan të viheshin nën komandën tonë, disa të tjerë si Veseli, Maloku dhe Teta i kanë vazhduar presionet ndaj nesh edhe për një kohë. Beç nuk duhet harruar, është fakt i mrekullueshëm që shumica dërmuese e komandave të fshatrave kanë kërkuar takim me mua, aq sa e kam pasur të vështirë t’i pres të gjithë. Ata donin të informoheshin dhe të inkuadroheshin në njësitë tona. I kam inkuadruar të gjithë oficerët e fshatrave që ishin në zonat buzë vijës së frontit. Me këtë mënyrë kam synuar përvijësimin e vijës së frontit nga Loxha deri në Gjakovë, gjatë tërë magjistrales, pastaj nga Lugu i Baranit deri në Jabllanicë.

Kjo ka qenë një punë dhe angazhim i madh. Kohën që kam humbur me oficerët e mi, për të futur frymën e konsultimit dhe mirëkuptimit, ta kisha përdorur për aftësimin ushtarak të trupave, sigurisht që do të kishim pasur rezultate më pozitive se ato që arritëm. Megjithatë, jam i bindur se një punë e tillë ka qenë e domosdoshme, pasi kam arritur që të shmangë konfliktet e armatosura mes nesh, gjë që do të ishte me pasoja tepër të rënda për luftën po se po, por shumë më tepër për paqen që do të vinte një ditë bashkë me lirinë. Ato që kanë ndodhur gjatë luftës, nuk mund të harrohen, veprimet e mira, pozitive, heroike janë dhe do të mbeten gjithmonë frymëzuese, ndërsa për gabimet, presionet dhe krimet e ndodhura do të përgjigjen të gjithë shkaktarët e tyre, pavarësisht nga kombësia apo përkatësia politike”. ( Fq.45-50)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close