fbpx
Lajme

Televizion zviceran për Elshanët e Kelmendët: Një komando vrasësish vret me gjakftohtësi një udhëheqës familjeje 

Hulumtimi i Radio Televizionit Zviceran për vrasjet në Kosovë e Zvicër ndërmjet dy familjeve kosovare

Një komando vrasësish vret me gjakftohtësi një udhëheqës familjeje në Frasses më 2013. Selim E. po kthehej nga një ndejë me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij. Ora kishte dalë nga 23:00. Burri është vrarë para shtëpisë së tij derisa po e parkonte veturën. Bashkëshortja e tij, e shokuar, nuk i dallon fytyrat e vrasësve por tregon se i ka parë.

Sipas dokumenteve të drejtësisë, komando e vrasësve ikën dhe hedh armët afër Villars-sur-Glane. Dy të dyshuar do të arrestohen, B.L. dhe F.A., të cilët janë zbuluar në saje të gjurmëve ADN në armë. Më 2019, dy të pandehurit janë dënuar, i pari me 20 vjet burgim, dhe i dyti me 9 vjet.

Familja e viktimës kritikon, megjithatë, gjykimin. Vëllai i Selim E. thotë: “Jemi të zemëruar me drejtësinë zvicerane. Të gjithë fajtorët nuk janë arrestuar. Ky është një skandal, ata janë mbrojtur nga prokurori”.

Të dënuarit, ndërkaq, e pranojnë një pjesë të fakteve por hedhin poshtë se ata janë autorët e të shtënave. B.L. pretendon se është i pafajshëm. Sipas asaj që e ka thënë ai është vetëm shofer i komandos. B.L. shpreson në një gjykim të ri dhe se do ta ketë rastin ta japë versionin e tij të fakteve. Një proces i ri duket, megjithatë, i pamundur. Gjatë procesit në appel, B.L. ishte në arrati në Kosovë. Që prej atëherë ai është kthyer në burg. (lexo tekstin e mëposhtëm me shkronja italics).

Motivet dhe urdhërdhënësit e vrasjes mbeten misteriozë. Dy të dyshuarit nuk i kanë dhënë detaje policisë. Sipas prokurorit të Fribourgut, Fabien Gasser, një luftë klanesh është origjina e vrasjes në Frasses. Çelësi i të kuptuarit të situatës gjendet në Kosovë.

Prandaj, një ekip i emisionit “Mise au Point” ka shkuar të hulumtojë atje, në Pejë. Ky qytet është arenë e një lufte ndërmjet dy klaneve, familjes K. dhe familjes E., të cilat jetojnë larg njëra-tjetrës në një distancë të cilën me veturë e kalon për 10 minuta. Që prej disa vitesh ato po luftojnë me armë zjarri dhe po kryejnë sulme me eksploziv.

Sipas Kreshnik Gashit, gazetar hulumtues në Kosovë, deri më sot kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë dhe 38 të plagosur. Shumë burime policore dhe të afërm të dy klaneve konsiderojnë se vrasja në Frasses është porositur nga familja K., disa anëtarë të së cilës jetojnë në Pejë. Ata janë pjesë e të njëjtit klan me Naser K., baron i drogës, kumbarë i mafisë shqiptare. Organizata e tij figuron në listën amerikane të grupeve kryesore kriminale botërore.

Selim E., viktima e vrasjes në Frasses, bën pjesë në familjen E., e cila është armike e përbetuar e familjes K. Ai jetonte në Zvicër që prej disa vitesh, me katër fëmijët e tij, dhe kishte arritur të krijojë një ndërmarrje shumë të suksesshme me vëllezërit e tij “GE Construction”.

Së bashku, ata importojnë makina kantieri nga Spanja. Rënia përtokë e tregut të ndërtimit në Spanjë më 2009 rezultoi me nxjerrjen e shumë makinave në shitje. Familja E. mundi të blente me para në dorë dhe të eksportonte në Zvicër këto makina, disa prej të cilave vlenin deri në afro 100 mijë franga. Ato kryesisht iu shitën një ndërmarrjeje të madhe zvicerane të ndërtimeve. “GE Construction” ndërpret aktivitetet disa vite pas vdekjes së Selim E.

Lufta ndërmjet dy familjeve është një vazhdim i sulmeve dhe hakmarrjeve. Në këtë kronologji makabre, një anëtar i familjes K. është vrarë disa muaj para vrasjes së Selim E.

Ai është vrarë me Kallashnikov në një kafene në Pejë. Ky sulm nuk është zbardhur kurrë dhe askush nuk është gjykuar.

Mirëpo, gjithçka tregon se familja K. e ka bërë vetë drejtësinë duke organizuar vrasjen në Frasses. Sipas gazetarit Kreshnik Gashi, autoritetet e Kosovës ndajnë përgjegjësinë në këto vrasje të përsëritura. “Ka pasur një tolerim nga shteti që ky konflikt të vazhdojë. Ideja e vetëkuptueshme është të lihen këto familje të vriten ndërmjet vete në mënyrë që kjo të mos jetë më një problem për shtetin, që problemi të rregullohet vetë”, thotë ai.

Pa ndërhyrjen e shtetit, dy familjet nisën një hakmarrje të pafund. Sociologu Birol Urcan thotë se ky lloj konflikti ka ekzistuar edhe në të kaluarën në rajon. Gjakmarrja është kodifikuar nga Kanuni, një përmbledhje ligjesh që për qindra vjet ka rregulluar jetën në shoqëri në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Nëse një anëtar i një familjeje vret një anëtar të një familjeje tjetër, ato janë në konflikt gjaku”, shpjegon Birol Urcan. Çdo anëtar i familjes së viktimës e ka për detyrë të vrasë një anëtar të familjes tjetër. Secili mund të jetë në shënjestër, por vetëm burrat.

“Sigurisht që ka përfunduar, ishte para 200 vitesh”, thekson sociologu. “Mirëpo aktualisht ekziston ende ajo ndjenja e turpit. Megjithatë, asnjë nga familjet nuk respekton rregullat dhe kodet e Kanunit. Para së gjithash kemi të bëjmë me akte kriminale në këtë rast”, shpjegon ai.

Sulmi i fundit ka ndodhur më 2019 dhe ka shkaktuar një të plagosur. Në rrjetet sociale, dy familjet provokojnë njëra-tjetrën rregullisht. I biri i Naser K. ka publikuar disa video ku ai tallet me familjen E. “Unë, unë dal vet, pa roje. Ju s’guxoni, ju jeni fshehur si minjtë. Unë i pres vrasësit tuaj”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Sipas Policisë së Pejës, situata megjithatë është stabilizuar viteve të fundit. Një pjesë e madhe e anëtarëve të këtyre familjeve kanë vdekur. Të mbijetuarit, ndërsa, fshihen dhe nuk dalin pothuajse fare.

Edhe banorët e Pejës janë mobilizuar për të ndalur këtë masakër. Protesta të mëdha për paqe dhe përfundim të mosndëshkimit kanë ndodhur në qytet viteve të fundit. Ndërhyrja e shoqërisë civile është një dritë shprese për t’i dhënë fund kësaj lufte ndërmjet këtyre dy familjeve.

Bashkëfajtorët në gjyq për arratisjen nga burgu i Fribourgut

I dënuar me 20 vjet burg për vrasjen në Frasses, B.L. u arratis nga burgu qendror i Fribourgut në shtator 2017. Gjyqi për këtë arratisje do të mbahet në muajt e ardhshëm në Fribourg. Aktakuzat janë dërguar. Disa bashkëfajtorë do të gjykohen për pjesëmarrje në të.

Skenari me tre akte i kësaj arratisjeje është i denjë për ndonjë film amerikan. Së pari, B.L. simulon një grindje me një të burgosur tjetër. Kështu ai mund të ndërrojë qelinë për t’u vendosur në mënyrë ideale përballë murit rrethues.

Së dyti, ai i sharron gjatë natës grilat e dritares. Përdor një tel diamanti. B.L. shpjegon për emisionin “Mise au Point”: “Unë preva shufrat e dritares. Kisha doreza. Pastaj lidha çarçafë dhe zbrita nga muri. U arratisa sepse isha lodhur psikologjikisht, isha lodhur nga ky izolim në qeli. Duhej të arratisesha”.

I burgosuri është i organizuar mirë, por ai është edhe me fat: askush nuk e vëren arratisjen e tij, edhe pse arratisja e tij filmohet nga kamerat e mbikëqyrjes së burgut. Një gardiane do të pushohet nga puna për neglizhencë. Ajo po shikonte një film në vend që të shikonte dhjetëra TV ekranet e burgut.

Akti i tretë luhet para mureve të burgut ku një bashkëfajtor e pret B.L. me një motoçikletë. Së bashku, ata largohen nga qyteti Fribourg. Në këtë mënyrë, B.L. mund të arrijë në Kosovë ku jeton një pjesë e familjes së tij. Ai rri i fshehur në qytetin e Pejës.

Por, kjo arrati ishte jetëshkurtër, pasi ai u dorëzua përfundimisht dy vjet më vonë në korrik 2019. Sipas burimeve në Kosovë, ai paralajmëroi autoritetet e vendit para se të merrte një aeroplan për aeroportin Basel-Mulhouse. Ai do të ketë kërkuar ekstradimin përmes avokatit të tij.

B.L. shpjegon: “Unë u ktheva në Zvicër sepse kurrë nuk munda ta japë versionin tim për rastin para një gjykatësi”. Burri dëshiron një rishikim të gjykimit. Ai thotë se nuk ka shtënë në viktimën dhe se ishte vetëm shoferi i komandos. “Unë nuk e kam organizuar vrasjen në Frasses. Unë vetëm duhej të bëja transportin nga një vend në tjetrin dhe pastaj të nxirrja njërin nga bashkëfajtorët jashtë Zvicrës” na siguron ai.

Burri u dënua me 20 vjet burg. Ai u shpall si bashkautor i vrasjes në Frasses, gjatë gjykimit të tij në apel. Ai aktualisht po vuan dënimin në një burg në Zvicrën frankofone. (rts.ch)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close