fbpx
Lajme

Luhaten marrëdhëniet Kurti – Osmani, mungesë komunikimi në relacionin Qeveri-Presidencë

Ka kohë që presidentja nuk po i qëndron gjithherë në krah kryeministrit, edhe në çështjet si betejat me akuza e kundër-akuza me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Dhe tash, marrëdhëniet ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk janë si më parë.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani duket se nuk po i kalojnë ditët më të mira të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës javën e kaluar shpërfaqi një mungesë komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, megjithëse objektet e këtyre dy institucioneve qendrore të vendit janë vetëm disa hapa larg njëri-tjetrit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të mërkurën ia dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos (që u konsiderua si adresë e gabuar), në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre.

Gërvalla shkruante për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji, duke shprehur pritjen që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës që tani, gjë që nuk ndodhi.

Presidentja Vjosa Osmani nuk e mbështeti këtë letër dhe nga Presidenca kjo u tha publikisht. Këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha se shefen e shtetit nuk e kishin konsultuar për të.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina të enjten.

Gërvalla, që e drejton partinë Guxo, kryetare e së cilës ishte Osmani deri në prill të vitit 2021, tha paraprakisht të enjten në një konferencë për media se koordinimi mes institucioneve “është, si rrallë ndonjëherë, në nivel të jashtëzakonshëm”.

“Të jeni të sigurt se edhe presidentja, siç e keni parë, ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e sotme nuk është asgjë e re; është vetëm përsëritje”, deklaroi kryediplomatja.

Por këshilltari i Osmanit tha se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.

Në letrën e dërguar në Strasburg, Gërvalla përmendte zotimin e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca që ata e kishin dhënë në mars se do të angazhohen për themelimin e Asociacionit pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione”, tha Kupina.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti tha në konferencën e përbashkët me Gërvallën se për letrën ishin njoftuar shtetet partnere dhe se ajo “nuk është publikuar pa u dërguar nëpërmjet kanaleve zyrtare”.

Takimi me diplomaten amerikane, Osmani i uroi vizitë të suksesshme, Allen e falënderoi që po punon për t’i mbajtur marrëdhëniet pozitive

Presidentja Vjosa Osmani të dielën në mëngjes e priti në takim Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen, e cila më pas do të shkonte në Qeveri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët për media, Nënsekretarja e Shtetit tha se SHBA-të janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës dhe e falënderoi Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presidentja, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë, ndërsa përmendi se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të vendit.

“I uroj vizitë të suksesshme në Republikën e Kosovës, në Republikën e cila sot gëzon lirinë, demokracinë, falë mbështetjes edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës”, tha Osmani në fjalën e saj.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap thelbësor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

“Presidentja dhe unë e patëm një bisedë produktive sa i përket dezinformimit, mbështetjes për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Po ashtu biseduam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës. Ne e mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit të ngushtë, dhe e di se është shumëe rëndësishme edhe për juve zonja presidente Vjosa Osmani. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Allen.

Në fund të fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si kurrë më parë”. Për marrëdhëniet që vazhdojnë të mbeten pozitive, Allen e falënderoi Osmanin.

“Dhe faleminderit Presidente Osmani që na jeni bashkuar në këtë iniciativën tonë për ta luftuar më mirë dezinformimin dhe manipulimin e informatave dhe për punën tuaj për të ndihmuar në vazhdimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet dy vendeve tona. Jam e nderuar që jam këtu si mike dhe partnere”, tha Allen.

Një përplasje publike

Presidentja Vjosa Osmani e kishte ftuar kryeministrin Albin Kurti në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ku kishin pasur një përplasje në dhjetor të vitit të kaluar.

Dy krerët e shtetit kishin diskutuar me mospajtim mbi 2 minuta, pasi Avokati i Popullit, Naim Qelaj kishte adresuar plot kritika për Qeverinë.

Ky takim kishte shpërfaqur në një mënyrë të pazakontë një mospajtim mes Kurtit e Osmanit lidhur me një çështje në ligjin për zgjedhjet parlamentare.

Këtë ligj, Avokati i Popullit paralajmëroi se mund ta çonte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Fjalët e tij nuk i kishin pëlqyer Kurtit, i cili ankohej se 10 ligje të rëndësishme për shtetin kishin mbetur duke u vlerësuar në Gjykatën Kushtetuese, ishin rrëzuar ose “deformuar”, siç pati thënë ai, nga kjo gjykatë.

Më pas, kishte pasuar një diskutim mes Kurtit e Osmanit, pa mikrofonët e ndezur.

Pasi kishte dalë jashtë, Osmani kishte treguar se diskutimi mes tyre kishte tëbënte “me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista”.

Osmani vitin e kaluar s’ishte përfshirë as në një denoncim të Kurtit se emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak po punonte në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kundër Kosovës.

Kur marrëdhëniet ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama prekën pikën më të ulët në verë, pikërisht atëherë presidentja Vjosa Osmani i rregulloi marrëdhëniet me shefin e qeverisë shqiptare.

Kryeministri i Kosovës kishte refuzuar ta takonte kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë në verë, ndërkaq presidentja e vendit, që kishte qëndruar gjatë krah Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën, e kishte pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close