Tenderi 1 milion, dyshime se në Ministrinë e Liburn Aliut po kurdiset tender për ish-shefin e Hysen Durmishit e “dostat” e Nexhat Krasniqit
Mbi 1 milionë Euro tender nga MMPHI, po synon t’i kap kompania “Bageri”, e Bujar Shabanit me të cilin zëvendësministri i Ministrisë tenderuese, Hysen Durmishi, njihen nga viti 2001, e që vetëm pak ditë më parë e fitoi një tjetër tender nga e njëjta ministri. Gjithashtu, operatorë ekonomik të afërt me ‘Babën e Tenderëve’, Nexhat Krasniqin, në duart e të cilit do të kalojë sërish tenderi me 14 lote i rihapur nga Ministri Liburn Aliu për Mirëmbajtjen verore dhe Mirëmbajtjen dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale, ia kanë mësyrë të përfitojnë shuma gjashtë shifrore për kryejnë e punëve. Ofertë tenderuese, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka pranuar të hënën e 31 majit 2021 edhe nga kompania në të cilën dikur ishte i punësuar ish-10’shi i VV-së, Rexhep Selimi. Ministria e Liburn Aliut nuk komenton nëse në këtë tender mund të ketë favorizime apo kurdisje.
Një takim i tillë në kafene, siç shihet në fotografitë e mëposhtme, mes Shefit të Prokurorimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi dhe biznesmenit Valon Ademi, do të ishte i zakonshëm sikur mos të ndodhte vetëm 5 ditë para shpalljes së një tenderi të madh në MMPHI e ku kompania e Ademit, “2A Group” ka tenderuar në disa lote të ndryshme me vlerat duke filluar prej gati gjysmë milionë Euro e vlera tjera mbi sosh.
“2A Group SHPK” jo rrallë herë ka fituar tenderë në ministri, gjatë periudhave kur ato janë prokuroruar nga “dosti” i tij Nexhat Krasniqi, i njohur ndryshe si “Baba i Tenderëve”, sikurse edhe jo rrallë herë dyshja shihen të shoqërohen së bashku sikurse edhe u panë në qendër të Prishtinës, më 26 maj 2021.
Vetëm 5 ditë pas, më 31 maj 2021, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu i LVV-së, rihapi tenderin dhjetëra milionësh të anuluar disa javë më parë nga vet ky i fundit, për Mirëmbajtjen verore dhe Mirëmbajtjen dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale.
Tenderi në fjalë, me 14 lote, do të prokurohet nga i dënuari për korrupsion, Nexhat Krasniqi i njohur si “Baba i Tenderëve”, që mban pozitën e shefit të Prokurorimit në Ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu, përkundër se kthimi i tij në ministri konsiderohet i jashtëligjshëm dhe po hetohet nga Prokuroria e Shtetit.
Në 8 lote të këtij tenderi, në vlera të ndryshme, nga 517 mijë e 744,91 Euro (me TVSH) si çmim më të ulët në lotin 2 për mirëmbajtjen e rrugëve në Ferizaj, e deri në 744 mijë e 744,78 Euro (me TVSH) si çmim më të lartë në lotin 2 për mirëmbajtjen e rrugëve në Prizren ka tenderuar “2A Group” bashkë me operatorin tjetër ekonomik “A.B.C.”.
Me shifra mbi 500 mijë Euro, shuma me TVSH, kompania që drejtohet nga Valon Ademi bashkë me operatorin tjetër ekonomik synojnë të marrin tender edhe për mirëmbajtjen e rrugëve të qyteteve tjera si: Gjakovës, Pejës e ato të Prishtinës, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Lote me vlera të mëdha, madje edhe mbi 1 milionëshe, me TVSH, nga ky tender në Ministrinë e Liburn Aliut ia ka mësyrë të marrë edhe biznesmeni Bujar Shabani, “dosti” i zëvendësministrit të kësaj ministrie tenderuese, Hysen Durmishi.
Biznesmeni Bujar Shabani, që operon me emrin tregtar “N.P.SH. Bageri”, bashkë me disa operatorë tjerë ekonomik, kanë tenderuar në 3 lote të tenderit që u rihap më 31 maj 2021.
“Bageri”, sikurse edhe kompania “A.B.C”, secila nga një lot, vetëm disa ditë më parë është raportuar se kanë fituar një tjetër tender nga e njëjta Ministri, për aprovimin e punëve shtesë për projektin “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale R115, Gërlic e Epërme –Shtërpcë –Brezovicë dhe Rruga 210 Brezovicë –Qendra e Skijimit”
Madje, u raportua se vetë zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi i partisë së Kryeministri Kurti, kishte qenë dikur i punësuar në kompaninë “Bageri” në pronësi të Bujar Shabanit. Ndonëse edhe nuk është sqaruar angazhimi i tij i dikurshëm në këtë kompani, në një postim në faqen në facebook të kësaj kompanie, të vitit 2016, Durmishit i referoheshin si Drejtori, Hysen Durmishi.
Në tenderin për Mirëmbajtjen verore dhe Mirëmbajtjen dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale, të hapur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bujar Shabani & CO kanë tenderuar me shuma mbi 700 mijë Euro për nga një lot për mirëmbajtjen e rrugëve të Prishtina 2 dhe ato të Mitrovicës, derisa me vlerë 1 milionë e 74 mijë e 695 Euro,52 Euro, çmim me TVSH, po synojnë ta marrin lotin Prishtina 1 të këtij tenderi.
Në të njëjtin tender nga Ministria që drejtohet nga figura e rëndësishme e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, sipas procesverbalit të siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, po merr pjesë edhe kompania në të cilën kishte punuar dikur një tjetër figurë e rëndësishme e partisë në pushtet.
Fjala është për “RSM Company SHPK” nga e cila mbi 12 mijë Euro pagë vjetore kishte deklaruar në vitin 2021 t’i merrte Rexhep Selimi, ish-deputeti dhe ish-shefi i grupit parlamentar të VV-së, që ndryshe njihej si 10-shi i partisë së Kurtit, numër të cilin pas shkuarjes në Hagë e mbajti gruaja e tij, deputetja Shqipe Selimi.
“RSM Company”, në pronësi të biznesmenit Agim Kola, e vetme si operator ekonomik, nga tenderi në fjalë ia ka mësyrë për t’i marrë dy lotët e mirëmbajtjes së rrugëve të Gjakovës, lotin e parë më vlerë mbi 641 mijë Euro, çmim me TVSH, dhe lotin e dytë me vlerë pak më të vogël, mbi 540 mijë Euro (me TVSH).
Lotin 2 të mirëmbajtjes së rrugëve në Prizren, me vlerën 921 mijë Euro e 208,58 Euro, çmim me TVSH, po synon ta marrë në këtë tender edhe kompania tjetër që për vite ishte raportuar e aluduar si e afërt me Rexhep Selimin, “Drini Company”, e vëllezërve biznesmen Agron e Avdi Kastrati.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’, qysh të premten i është drejtuar me e-mail Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sikurse dhe vetë Ministrit Liburn Aliu, për të komentuar dyshimet për favorizime e kurdisje në këtë tender. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjëra nga palët nuk janë përgjigjur në pyetet e gazetës.
Sipas procesverbalit të hapjes së tenderit për Mirëmbajtjen verore dhe Mirëmbajtjen dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjithsej 39 ofertues kanë tenderuar në 14 lotet e ritenderuar të këtij tenderi dhjetëra milionësh që ishte anuluar para disa javësh nga vetë Ministri Liburn Aliu.
Në mesin e këtyre operatorëve ekonomik nuk mungojnë as kompanitë tjera që drejtohen nga biznesmenë për të cilët jo rrallë herë në të kaluarën është raportuar për raporte të afërta e dyshime për favorizime nga ana e “Babës së Tenderëve”, Nexhat Krasniqit. Të tilla si operatorët ekonomik “Sallahu & Sarillari” që bashkë synojnë që nga ky tender të përfitojnë në dy lote, në vlera mbi 440 mijë Euro deri në mbi 770 mijë Euro. Si dhe grupi i operatorëve ekonomik “EL-BAU” & CO që kanë tenderuar në 2 lote, në vlera afërsisht mbi 680 mijë Euro në gjithsecilin, dhe në një të tretë në vlerë më të ulët, mbi 584 mijë Euro.
Sikurse edhe tenderi i anuluar, edhe tash në ritenderim, ky tender do të kalojë në duart e ‘dostit’ të tyre Nexhat Krasniqit, të dënuarit për korrupsion, me urdhër të plotfuqishëm të gjykatës.
Krasniqi ishte kthyer në punë në ministri vitin e shkuar nga sekretari Izedin Bytyqi. Për këtë veprim, që po hetohet si jashtëligjshëm edhe nga Prokuroria e Shtetit, ish-Ministri i Infrastrukturës. Arban Abrashi e kishte suspenduar nga puna Bytyqin, dhe kishte iniciuar procedurë të rëndë disiplinore ndaj tij. Por, të gjitha veprimet ishin anuluar nga bashkëpartiaku i Abrashit, ish-Ministri i Brendshëm dhe i Administratës Publike, Agim Veliu.
Nga ana tjetër, Izedin Bytyqit të premten i ka skaduar mandati i Sekretarit të Ministrisë, por atij edhe për gjashtë muaj të tjerë si ushtrues detyre i Sekretarit të MMPHI-së ia ka vazhduar punën të hënën Ministri Liburn Aliu, me anë të një vendimi. /Reporteri.net/.