fbpx
Lajme

Thaçi i trazuar i tha Majkos: “Mos më trego filma me partizanë, por lironi mjetet”

Ish kreu i LPK-së z. Bedri Islami kishte treguar disa detaje të pathëna për kohën e luftës. Ai ishte përgjigjur në dy pyetje interesante për gazetën shqip.

KALOÇI: Po me shtetin shqiptar, sidomos në ato vite, cilat ishin lidhjet e Thaçit?

ISLAMI:
 Përgjithësisht të mira, të qeta, të kuptueshme, por jo gjithmonë. Nga të gjithë drejtuesit, problemet, në se mund të thuhen kështu, Thaçi i kishte me Pandeli Majkon. Por edhe e respektonte. Në kohën kur Pandeliu ishte Kryeministër, ishte edhe piku i luftës. Shqipëria herë e bënte e herë nuk e bënte misionin e saj. Unë mirëkuptohesha me zotin Majko dhe e respektoja. Mirëpo ndodhnin edhe gabime, të cilat në luftë janë të shtrenjta. Kështu, le të tregoj një rast. Nga Zvicra, përmes dikasterit të tyre të mbrojtjes, ne blemë rreth 45 makina, gjysmë të mëdha, disa tonëshe. Deri në Shqipëri, sipas marrëveshjes, i sollëm me ushtarë zviceranë, por në Shqipëri u bllokuam. Nuk lejonte askush të kalonte më tej. Mbetën në Portin e Durrësit. Gjërat që mund të prisheshin, po prisheshin. Disa po humbnin. Zonat e luftës në Kosovë i prisnin që ato mjete të shkonin sa më shpejt aty për nevojat e luftës. Askush nuk mund ta besonte se kjo ndodhte në Shqipëri, ndërsa fatkeqësisht ajo ishte fakt. Në njërën nga këto ditë, Thaçi ishte në zyrën e Majkos, ku Kryeministri shqiptar në mes të tjerash i shfaqi një filmim nga stërvitjet që bënin ushtarët tanë (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) në Shqipëri. Në një moment, Thaçi e ndërpreu, sepse ishte i trazuar dhe i tha: “Mos më trego filma me partizanë, por lironi mjetet”. Mirëpo edhe e donte Majkon. Një herë tjetër, kur ndodheshim në Tiranë, Thaçi më tha se do të ishte mirë sikur të bënim një vizitë në shtëpinë e zotit Majko dhe ndoshta të rrinim edhe për darkë. Kjo edhe mund të publikohej, si shenjë e ndërsjellët. Vizita nuk u bë, pasi zoti Majko atëherë banonte së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes në një apartament të zakonshëm, pa shumë vend për pritje të tilla.

KALOÇI: Po me politikanët shqiptarë të spektrit politik të djathtë, me kë kishte lidhje Thaçi asokohe?

ISLAMI:
 Ndërsa e respektonte Sabri Godon, Thaçi nuk fliste kurrë keq për Berishën. Ndoshta Thaçi, në radhët e organizatës, ishte nga të rrallët që nuk merrte asnjë lloj qëndrimi ndaj lëvizjeve politike të Berishës, megjithëse jo rrallë shfaqte edhe mendimin pozitiv për furinë e tij politike, apo për faktin se një mixhë i tij, Sulejman Berisha, ishte bërë një bazë e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithëse duhet thënë se marrëdhëniet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shtetin amë asokohe zakonisht kalonin përmes Xhavit Halitit. Kjo gjë kur ishte fjala për drejtorinë politike, ose nëpërmjet meje, kur ishte fjala për Lëvizjen Popullore të Kosovës, ose të dyja bashkë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close