“Topi që tmerroi pushtuesit serbë” – kushtuar Hajrë Isuf Gashit, armëtarit nga Rrezalla e Drenicës
Armëpunuesit shqiptarë lanë gjurmë të pashlyera në histori. Këtë zeje fisnike e trashëguam nga të parët tanë, nga ilirët e lashtë.
Por, kësaj radhe, nuk do të flasim për historikun e gjatë të kësaj veprimtarie të pasur, as për mjeshtëritë e saj të shumtë. Do të ndalemi vetëm tek një rast unikat, i cili zgjoi kureshtjen e të gjithëve, edhe të huajve (Ish administratori i UNMIK-ut, Bernard Kushner u fotografua para topit, për të cilin do të flasim), madje- madje edhe të vetë armiqve.
Nga mërgimi në front
– Na ishte njëherë një topçi,- do ta nisin rrëfimin pasardhësitë tanë, me plot admirim për njeriun që bëri mrekullia gjatë epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, ky njeri ka emër e mbiemër. E quajnë Hajrë Isuf Gashi. Është nga Rezalla e Re e Drenicës heroike. Edhe kur erdhi në këtë botë, më 30 maj 1945, luftë ishte. Atëbotë, mu në katundin e tij rrezatonte atdhedashuri Shtabi i Shaban Polluzhës. Rezalla në këmbë dhe faqendritur, rezistoi, qëndroi, përballoi dhe mbijetoi. Për këtë flasin edhe njëqind e katër varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të luftës së fundit.
– Besoj se do ta gjejmë në shtëpi,- thotë gjyqtari dhe veprimtari i palodhur Halim Dërguti, duke ma këputur fijen e mendimeve atë mëngjes të bukur të 12 tetorit 2001. Vetura nxitonte rrugës dredharake të Llaushës, midis atyre kodrave krenare që sfiduan hasmin shekullor, e vozitësi pohoi me kokë pa folur gjë.
Po kush ishte Hajrë Gashi?
Ishte burrë i palodhur, i cili nuk kurseu asgjë për ditën e bardhë, lirinë e Kosovës. Prej vitit 1970 punoi në Sigen të Gjermanisë. Pas lavdisë së Adem Jasharit dhe Jasharëve, shpirti i tij i trazuar nuk gjeti dot qetësi. Një ditë, pikërisht më 16 prill 1998, bëri mendjen top dhe i la të gjitha. Zëri i atdheut e grishte si zëri i sirenave në ishullin e vdekjes. Dhe, nuk iku tinëz. Zemrën e zhuritur prej atdhetari të flakët e kuptuan mjaft mirë edhe shefat gjermanë të firmës “CAPITO” dhe “RUDOLF FLENDER”. Shko, dhe nëse të mëshiron fati, vendin e punës e ke të siguruar,- i thanë ata me plot gojën.
Sakaq u gjend në trojet e gjakosura stërgjyshore. Dhe, pa humbur kohë, me të katër djemtë: Sejdiun, Hilmiun, Samiun dhe Avdiun u radhitën në front për çlirimin e vendit. Shtëpia e tyre shpejt u shndërrua në bazë të fortë të UÇK-së. Aty vinte kush nuk vinte. Vinin ushtarë, komandantë, luftëtarë e nevojtarë.
Ama, kot, kjo nuk u mjaftonte këtyre trimave bujarë, që hapen zemrat, qeset dhe magjet. Pos bukës e ujit, luftëtarëve të lirisë u duheshin edhe armë e municion. Mua më duhet arma e njëjtë me të kundërshtarit,- i pat thënë Azem Galica komandantit francez Balshe, duke ia kthyer shpatën e dhuruar. Tanket e autoblindat serbe nuk luftoheshin dot me kallashnikovë. Për to duheshin topa e minahedhës.
Studenti mendjemprehtë, konstruktor i shkëlqyeshëm
-Një ditë Samiut (student i teknologjisë) i kishte shkrepur një ide: ta konstruktonte një minahedhës, ngjashëm me atë që kishin sjellë nga Shqipëria,- nis rrëfimin qetë- Hajra, pasi kemi pirë kafet dhe kemi pushuar pakëz. Thënë të drejtën, ore lumë vëllai, armët i kemi dashur gjithmonë e jetës. Më 1992, sa punoja jashtë dhe kisha para, pata blerë bukur shumë: dy automatikë, një snajperë, ca bomba dore dhe një maskë mbrojtëse. Gjithnjë e mendoja më të keqen, luftën. Ajo edhe pritej. A durohej gjithmonë e zeza robëri?! Më 1995 më patën rënë në gjurmë hienat tinëzare. I patën rrethuar djemtë dhe kushërinjtë. Ca nga armët edhe na i morën lugetërit…
-Për fat të mirë edhe në ushtrinë jugosllave kam qenë një ekspert artilerie. Dhe iu përveshëm punës, natën e ditën. Për të qenë edhe punëtorinë e kisha pajisur mirë me mjete moderne nga Gjermania. Shpesh gjithë ekipi punues: Unë me djemtë: Sejdiun, Hilmiun, Samiun e Avdiun, me kushërinjtë: Hashimin, Abedinin, Isufin e Hyniun, me Hysen Nebihun ( dhëndër nga Rakinica) gdhinim pa vënë gjumë në sy. Ndër të parët që na sollën material, barut e gjësende të tjera, ishin Abedin Rexha-SANDOKANI dhe Bekim Berisha-ABEJA.
Dhe, një ditë, minahedhësi 90 mm doli nga bodrumi. Çudi, pakkush besonte në të. Nuk kishin faj dhe i arsyetoja. Por, më 12 korrik 1998 e dha provimin me sukses i bekuari. Nga rrëzë shtëpia e Osman Gecit, me Hamdi Gashin, Hysen Nebihun e Hashim Gashin shkrehëm predhën e parë. Qëlluam punktin policor serb në Skënderaj. Rezultatet e mira na dhanë zemër e kurajë. Ushtarët e rinj sa nuk fluturuan nga gëzimi,- përfundon ai paksa i emocionuar.
Uzinë armësh e çerdhe luftëtarësh
-Të lumshin duart, o Hajrë Gashi!- uronin të gjithë me loçkë të zemrës.
– Dhe, kishin të drejtë. Aty punoheshin e ndreqeshin armë të llojeve e kalibrave të ndryshëm, që nga revolja e deri të gulinovi.
-Po shkojmë në Fabrikën e armëve në Drenicë,- dëgjoheshin zëra anë e kënd Kosovës.
Në këtë uzinë u punua edhe një minahedhës shumë preciz 60 mm, të cilin ua dhanë ashlanasve, gjegjësisht komandant Enver Oruçajt. Në këtë çerdhe të sigurt, kohë pas kohe qëndronin edhe komandantët në zë: Sulejman Selimi-SULLTANI, Ilaz Dërguti, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Malush Ahmeti etj.
-Urdhëroni si në shtëpinë tuaj: bukë, kripë e zemër!- shprehej i zoti i konakut pa i bërë syri terr për asgjë. Graria gatuanin hiç pa u ndalur, si për dasmë. E po ku kishte dasmë më të madhe se dasma e LIRISË! Vizitojmë edhe punëtorinë, vendlindjen e minahedhësit e të topit. Tutje, tej lart në kodra, bunkerët që të mahnitnin. Ca predha i ka ruajtur. Sa për kureshtje, e marrin një dhe e analizojmë. S’ke ç’i thua, tamam e fabrikuar…
-Topin e shihnim ëndërr për çdo natë,- flet sërish mjeshtri duarartë e sypatrembur. Pasi tretem ca net pa gjumë, duke vrarë mendjen fort e fort, edhe ajo u bë realitet.
Një ditë plot zagushi mbytëse traktori tërhiqte drejt kodrës topin 72 mm. Më 2 gusht 1998 ai volli zjarrin e parë. Djajtë e stepave karpatiane u tmerruan! Në fillim edhe nuk u besohej dhe nuk e dinin nga po u vinte. Më vonë, kur i qëlluam me predhat e tyre, të grabitura nëpër istikame, u shastisen fare. Ky top ka përballuar shumë ofensiva serbe, si në Llaushë, Marinë, Rezallë, Runik, te Kodra e Baranëve, në Jashanicë etj.
Ka edhe shumë e shumëçka të flitet e të shkruhet për këta njerëz e për këtë familje bujare, punëtore e atdhetare. Ata e patëm me zemër, jo për lëvdata e dekorata, por për ideale të larta e për atdhe. Kjo më bëri për vete dhe më cyti që t’i them dy fjalë për kontributin e tyre dhënë UÇK-së dhe luftës për liri. Apo, ndoshta më mirë flasin vetë veprat e tyre, që sot shkëlqejnë përplot krenari, aty ku e kanë vendin, në Muzeun e Kosovës.
Ky shkrim, me disa ndërhyrje, është botuar në Gazetën Rilindja më 21 nëntor të vitit 2001 dhe i është kushtuar Hajrë Isuf Gashit, armëpunuesit nga Rezalla e Drenicës.
Hajrë Gashi vdiq më 21 janar të vitit 2019 dhe u varros në Rrezallë. /Demokracia.com/