TRIBUNA E MASHTRIMIT – TELEVIZIONI QË U KA MBETUR MIJËRA EURO BORXH DHJETËRA PUNËTORËVE
Dhjetëra punëtorë, si autor emisionesh, gazetarë, kameraman e të tjerë profesionist që kanë punuar në televizionin “Tribuna Channel” kanë mbetur pa u paguar. Borxhi i këtij televizioni të drejtuar nga familjarë të nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hoti kap qindra-mijëra euro. Dikujt i kanë mbetur borxh 10 mijë euro, dikujt 4 mijë e deri në shuma të tjera si 600 euro. Insajderi sjellë rrëfimet e tyre, teksa drejtuesit e televizionit nuk pranojnë as të flasin. E shteti, heshtë.
Zyrtarisht, “Tribuna Media Group”, në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve, i ka vetëm dy punëtorë me kapital regjistrues prej tre mijë eurosh. Por, në realitet, ky televizion, në pronësi të familjarëve të nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hotit, u ka mbetur borxh qindra-mijëra euro, dhjetëra punëtorëve.
“Tribuna Media Group”, që nga themelimi e deri më sot, ka pasur qindra punëtorë, shumica e të cilëve e kanë lënë punën në këtë medium, për vetëm një arsye: nuk janë paguar. Dhjetra gazetarë, autorë e prezantues emisionesh, kameramanë, montazherë e punëtorë të tjerë nuk kanë marrë pagat me muaj e vite sa kanë punuar aty.
Për herë të parë, shumë prej tyre kanë pranuar të flasin për Insajderi, duke treguar për trajtimin që i ka bërë kompania në pronësi të vajzës dhe dhëndrrit të nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hoti. Para se punëtorë të tjerë të flisnin për Insajderin, borxhin që “Tribuna” e ka ndaj tyre, e kishte bërë publik, pikërisht një politikan që tash është në Qeverinë, e udhëhequr në koalicion me PDK-në.
“Tribuna” i ka mbetur borxh hiq më pak se zëvëndëskryeministrit dhe minsitrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i cili ka deklaruar se “Tribuna Channel”, televizion i lidhur ngushtë me nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hoti, i ka mbetur borxh në shumë prej 10 mijë euro.
Përveç ministrit Gashi, “Tribuna Channel” i ka mbetur borxh edhe gruas së tij, Jehona Bajrami-Gashi, tash prezantuese e lajmeve në “Klan Kosova”. Asaj, televizioni i ka borxh fiks 1 mijë e 873 euro. Pak a shum, kjo është shuma që televizioni u ka mbetur edhe shumë gazetarëve, autorëve e kameramanëve të tjerë.
Kësisoj borxhi që ky televizion u ka ish-punëtorëve të saj është qindra-mijëra euro. Presioni i drejtuesve të televizionit ndaj tyre, kur Insajderi ka nisur t’i intervistojë është rritur deri në ditën e fundit. Disa prej tyre kanë kërkuar që as mos të citohen, pas presionit.
FOTO: Dardan Gashi & Jehona Bajrami-Gashi, ish-autor i emisionit “Politikë” dhe ish-moderatore e lajmeve në Tribuna Channel
As pagë as tatime – televizioni i kapadaive
“Tribuna Channel”, pronë e Sejdi Demirit dhe Besiana Hoti-Demiri, dhëndrri dhe vajza e e nënkryetarit të PDK-së dhe Kordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hotit, iu ka mbetur borxh ish-punëtorëve në shumë totale prej qindra mijëra eurove.
Insajderi ka kontaktuar me disa nga ish-punëtorët e “Tribuna Media Group”, disa nga të cilët janë deklaruar hapur për për borxhin e këtij mediumi ndaj tyre, kurse disa të tjerë për shkak të mundësisë së pasojave në vendet e tyre të tanishme të punës, janë deklaruar vetëm me iniciale.
Mirëpo, ajo që bie në sy përveç borxhit të lartë që Tribuna Media Group, e posedon ndaj ish-punëtorëve të tyre, është edhe mospagesa e Trustit Pensional, që përbën shkelje të rëndë të ligjit në Kosovë.
Përkundër kësaj, ish-punëtorët e mediumit të familjarëve të Rexhep Hotit, kanë deklaruar se pronarët e Tribunës, kanë pasur një sjellje arrogante ndaj secilit punëtorë që ka kërkuar që tu paguhen pagat e mbetura borxh. Madje, ka pasur të tillë që sjelljet e Sejdi Demirit dhe Besiana Hoti- Demirit, i kanë quajtur si ‘sjellje prej kapadaie’.
Ish-kryeredaktorja dhe autorja e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”, Teuta Gashi, teksa ka folur për borxhin prej 2 mijë e 400 euro që “Tribuna Media Group”, nuk ia ka paguar, ka thënë se për një kohë shumë të shkurtë do të bëjë padi në Gjykatat e Kosovës.
“Ai medium, shkel të drejtat e punëtorëve duke shkelur kështu edhe Ligjin. Unë jam duke ndjekur procedurat ligjore për tu përballur me ta në Gjykatë. Por duhet Inspektorati të veprojë . Duhet dal me teren me pa qe sa muaj nuk kanë marr punëtorët paga”’ ka thënë ajo.
Producenti i njohur, Ilir Tolaj, i cili për muaj të tërë kishte punuar si producent i emisioneve në Tribuna Channel, në një bisedë për Insajderi, ka konfirmuar për disa paga borxh që ky medium i ka ndaj tij. Po ashtu, Tolaj ka thënë se pronarët e Tribuna Channel, nuk ia kanë dhënë atij një shumë të madhe të parave, për reklamat që ai i ka dërguar në televizion, dhe kësisoj sipas tij, ata kanë shkelur marrëveshjen në mes tij dhe pronarëve të televizionit.
FOTO: Ilir Tolaj & Teuta Gashi, ish-producent dhe ish-kryeredaktore në Tribuna Channel
Kiki Rrahmani nga Janari i këtij viti nuk është më pjesë e Tribuna Channel. Ajo kishte udhëhequr për një kohë të gjatë emisionin “LEMzA”, ku kishte vendosur ta lë këtë medium për shkak që si ka thënë ajo të pa mundësisë së zhvillimit normal të emisionit të saj.
E kontaktuar nga Insajderi ajo ka thanë se ishte kënaqësi të punojë me shumë të rinj inovativ dhe me shumë vullnet për punë, por ishte edhe e dhimbshme pasi përve të hollave për udhëtim, këta të rinj nuk kishin shpeshherë as edhe një cent në xhep, si pasojë e moskryerjes së obligimeve nga televizioni ku punonin, pasi nuk paguheshin me muaj të tërë, kështu duke shkelur mbi të drejtat e tyre.
Kiki pohon se kishte raste kur punonte deri më shumë se 12 orë gjatë ditës, kur kërkohej të kishte emisione rezervë apo udhëheqësve të televizionit nuk i pëlqente personazhi javor i emisionit për arsye të pakuptimta.
Pavarësisht shikueshmërisë, klikimeve, ndjekësve të emisionit në rrjetet sociale, e mbi të gjitha të ardhurave financiare që sillte ky emisioni LEMzA për televizionin, prapëseprapë, Tribuna Channel si shumë e shumë punëtorëve tjerë I mbetën borxh edhe Kiki Rrahmanit, me një borxh prej mbi dy mijë euro, përfshirë këtu edhe shumat e përqindjeve që ajo ua siguronte nga reklamat që I sillte në këtë television. Por, nuk përfundoi me kaq, Tribuna Channel, nuk ia kishte paguar asaj Trustin Pensional, për dy vite me radhë sa ishte pjesë e këtij medium. Si shumë të tjerë, Kiki Rrahmani ka thënë se tashmë i ka filluar procedurat ligjore në Gjykata ndaj Tribuna Channel.
FOTO: Kiki Rrahmani, ish-moderatore e emisionit LEMzA
Edhe moderatores së njohur, Albba Morines, Tribuna Channel i ka mbetur borxh katër paga, dhe muaj të tërë trust të papaguar. Morina kishte punuar në Tribuna Channel, në një periudhë më shumë se një vit, duke e moderuar emisionin “E’Zone”.
Në një përgjigje për Insajderi, Morina ka thënë se drejtuesit e televizionit vazhdimisht kanë qenë neglizhent ndaj detyrimeve financiare për punëtorët e saj.
“Tribuna Media Group ka 4 muaj oblgiime të pakryera ndaj meje, periudha shkurt-maj. Njëkohësisht Trustin nuk ma kanë paguar nga periudha shkurt 2017 deri në muajin maj 2018. Ajo çka kam vërejtur gjatë punës aty, është neglizhenca e drejtuesve në raport me obligimet e pakryera ndaj punëtorëve dhe krahas kësaj, gjatë punës sime në Tribuna Channel, jam vefasuar me vullnetin e stafit për të punuar me përpimëri dhe shumë përkushtim, ndonëse nuk kanë marrë rroga”, ka thënë Alba Morina.
FOTO: Alba Morina, ish-moderatore e emisionit “E’Zone”
Anita Ahmeti, kishte moderuar emisionin “Mëngjesi në Tribunë” dhe asaj nuk i janë paguar dy muaj nga paga e saj. Ajo për Insajderi ka thënë se është e pakuptimtë që ndaj këtij mediumi nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese pavarësisht ankesave të shumta që janë bërë në Inspektoriatin e Punës dhe padive në Gjykata.
“Borxhi i mbetur janë dy rroga të plots për dy muajt e fundit, sa kam qenë pjesë e këtij mediumi. Sa i përket Trustit, edhepse kontrubutet janë raportuar, nuk më janë paguar për 10 muaj. Madje në bazë të raportit online të Trustit, kontributet janë deklaruar (por, kuptohet jo paguar) edhe për dy muajt, gjatë të cilëve nuk kam marrë rrogë, që në fakt është absolutisht e pakuptueshme. Madje, Trusti nuk më është paguar edhe në muajt e fundit sa kam qenë aty, e që nuk kam marrë pagë, e që në fakt është e pakuptueshme. Nuk e di nëse ka padrejtësi më të madhe në një vend pune, se vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e pagave dhe në shumë raste edhe mosdhënia e tyre, që rrjedhimisht nënkupton mos-vlerësim të punës së palodhshme të punëtorëve (punë të cilën e kam kryer me përgjegjësi të plotë), shkelje të kontratës, Ligjit të Punes, rrjedhimisht të të drejtave të punëtorëve dhe papërgjegjshmëri totale si punëdhënës, e sidomos kur është fjala për një medium. Ajo çka më është dukur e çuditshme, është se e gjithë kjo çështje, e që sipas informacioneve që kam – ka qenë problematike që nga fillimet e këtij mediumi, duke e përcjellur akoma në ditët e sotme, ka kaluar në heshtje, të paktën deri sot. Pavaresisht padive të shumta që ekzistojne karshi këtij mediumi, nuk duket se është ndërmarrë ndonjë vendim konkret që do ta shtyente t’i kryej detyrimet që ka ndaj bashkepuntorëve te tij. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kanë edhe autoritetet/institucionet përkatëse, që të mirren me hulumtimin dhe shqyrtimim e këtyre rasteve dhe të bëhet një zgjidhje e drejtë”, ka thënë Anita Ahmeti.
FOTO: Anita Ahmeti, ish-moderatore e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”
Njëri ndër punëtorët e parë të këtij mediumi ishte edhe Agon Lila drejtor teknik dhe po ashtu producent i emisionit LEMzA, i cili ka pothuajse një vit që nuk është pjesë e Tribuna Channel.
Në një bisedë per Insajderin ai thekson se ky televizioni i ka borxh rreth katër mijë euro, përgjatë dy viteve e gjysmë sa kishte punuar në këtë medium. E si shumë te tjerëve, edhe ndaj Agon Lilës, Tribuna Channel nuk ia ka paguar Trustin Pensional, përkundër që ky trust është i deklaruar ndaj tij.
Agon Lila njihet si ndër personat më të afërm me pronarët e Tribuna Media Group, dhe përkundër borxhit të tyre ndaj tij, në momentin kur Lila e kishte lënë punën në Tribuna Media Group, pronarët e këtij mediumi kishin ngritur padi ndaj tij.
Agon Lila, ish-drejtor teknik në Tribuna Channel
1230 euro është borxhi që Tribuna Channel e ka ndaj ish-gazetarit të saj, Herolind Rama. Ai për Insajderi, ka thënë se përkundër borxhit, ky medium nuk ia ka paguar atij asnjë muaj Trustin Pensional.
“Borxhi total i këtij mediumi ndaj meje, është 1230 euro, kurse Trustin pensional në bazë të evidencës së nxjerrur nuk e kanë paguar fare për asnjë muaj të vetëm. Padrejtësia më e madhe që bëhet nga ana e këtij mediumi, ka të bëj me atë se një pjesë punëtorëve të saj nuk trajtohen në mënyrë meritore për punën që e kryejnë e kjo kryekput ndërlidhet me vonesat e pagave si dhe me mos pagesën fare të pagës në disa raste. Një problem tjetër që e përcjell kohë pas kohe këtë medium, ka të bëj kryesisht me natyrën e punës së përditshme, numri i paktë i kamermanëve dhe montazherëve si dhe mungesa e veturës në disa raste, kanë krijuar pengesa në realizimin e temave si duhet e kjo vetvetiu ka krijuar një ngarkesë për vet punëtorin dhe ka ndikuar në tejzgjatjen e orarit pa nevoj”, ka thënë Herolind Rama.
Drita Rashiti, për dy vjet me radhë kishte punuar si gazetare e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”. Ajo per Insajderi ka thënë se përkundër që secilin muaj i është ndalur një shumë e caktuar e parave për Trust Pensional, Tribuna nuk ia ka paguar as edhe një muaj të vetëm. Për dy vitet sa ajo ka qenë punëtore e kësaj medie, Drita Rashitit, Tribuna Media Group, nuk ia dhënë plotë pesë paga, e që shuma e tyre kalon mbi një mijë euro.
“Duke e përfshirë edhe vitin e kaluar, më kanë mbetur borxh pesë rroga. Rreth dy vjet kam punuar në Tribuna Channel dhe nuk më është paguar as edhe një muaj Trust Pensional, pavarësisht që një pjesë e pagës më është ndalur për të”, ka thënë ajo.
Padrejtësia më e madhe që ju bëhet punëtorëve në këtë medium janë vonesat e pagave dhe shpesh herë edhe mosdhënia e tyre, edhe pse pjesa më e madhe e punëtorëve punojnë jashtë orarit të punës.
“Pengesa më e madhe ka qenë që kur kemi dashtë ta trajtojmë një temë, nuk na janë plotësuar kushtet për të trajtuar atë temë. Gjithherë kemi pasë mungesë për diçka, si në transport apo pajisje teknike”, ka thënë Rashiti.
Sjellje prej kapadiu, i cilëson sjellet e shefave të Tribuna Media Group, ish-montazheri i kësaj medie, Qëndrim Dedinca. Ai për Insajderi ka thënë se borxhi i televizionit ndaj tij është 400 euro, dhe katër muaj Trust Pensional të papaguar.
“Borxhi i këtij mediumi ndaj meje është 400 euro. Trustin Pensional nuk ma kanë paguar për 4 muaj rresht. Padrejtësia më e madhe e këtij mediumi qëndron në pagesën mujore e cila jo që nuk vëhet me rregull, por nuk bëhet fare. Një element tjetër që më ka penguar në Tribuna Channel, ka qenë që shumë punëtorë kanë mbajtur familjen e tyre me pagën e këtij televizioni, e që shpesh’herë nuk e kanë marrë. Kurse, ‘shefat’ janë sjellë si ‘kapadai’ tu honger e tu pi, me pare të punëtorëve”, ka thënë Qëndrim Dedinca.
Agon Ferizi, kishte punuar për disa muaj si montazher në televizionin Tribuna. Ai thotë se ky televizion i ka mbetur borxh një shumë prej më 600 euro, dhe ankohet që nuk i është paguar Trusti Pensional.
“Borxhi që më ka mbet Tribuna është rreth 600 euro, borxh i cili është më shumë se dy vjet. Kurse, sa i përket Trustit pensional, i kam disa muaj vetëm të deklaruar, e jo të paguar, e disa të tjerë nuk figurojnë fare”, ka thënë ai.
“Padrejtësi më e madhe ndaj punëtorëve është nosdhënia e pages – pagë e cila ma marrëveshje bëhet që pas tre muajve të merret me rritje – rritje e cila nuk ndodhë thuajse asnjëherë. Kontratën e punës nuk ta japin, vetëm nëse shkon disa herë e kërkon, dhe të japësh ndonjë arsye të fortë për ta marrë kontratën e cila të takon”, shton Agon Ferizi.
Pos borxhit, pronarët kanë bërë presion për të mos folur
E.D. ka punuar si shofer për 11 muaj më Tribuna Channel, nga të cilat ai ka dalur pa i marrë 930 euro, dhe 10 muaj trust të papaguar.
“Tribuna m’i ka borxh 930 euro, ose katër muaj e gjysmë pa marrë pagë, nga 11 muaj sa kam punuar aty. Nga kjo kohë sa kam qenë punëtor i Tribuna Channel, mua më është paguar Trusti Pensional, vetëm një muaj, kurse 10 muaj jo.
Në “Tribuna Media Group”, sipas E.D është bërë diskriminim shumë i madh ndaj punëtorëve sikurse shoferave apo montazherëve.
“Unë si punëtor, së bashku me ekipe të ndryshme, e kemi rrezikuar jetën veç me pasë lajme kualitative edhe prapë nuk na është paguar mundi jonë, duke mos na i dhënë as pagat që e kishin obligim. Mbi të gjitha kemi hasur në një sjellje arrogante nga drejtorët, saherë që ua kemi kërkuar paratë tona, sikur ne u kemi pasur borxh, e jo ata neve”, ka thënë ai.
Shuma e borxhit të Tribuna Channel ndaj dikur kamermanit të këtij mediumi, Albatrit Leci, është 400 euro. Ai thotë se përkundër që kanë pasur paga të ulëta për punën që e kanë bërë, shumëherë atë nuk e kanë marrë, e herave tjera me shumë vonesa dhe probleme.
“400 euro është shuma e parave që Tribuna Channel nuk mi ka paguar. Asnjë muaj nuk ma kanë paguar Trustin Pensional. Kjo është një padrejtësi që na është bërë neve punëtorëve që kemi qenë aty. Për shkak se vazhdimisht kemi bërë punë të madhe, duke punuar edhe jashtë orarit të paraparë dhe po ashtu në mungesë të stafit është dashur që t’i mbulojmë shumë ngjarje, që nuk ka qenë marrëveshja kësisoj. Përkundër të gjithave, dhe mbi të gjitha përkundër pagave të ulëta që i kemi pasur, shpesh herë ato nuk i kemi marrë, edhe atëherë kur i merrnim, i merrnim me vonesa dhe me kokëqarje të mëdha”, ka thënë ish-kameramani i Tribuna Channel, Albatrit Leci.
Insajderi ka kontaktuar edhe me dhjetëra persona, që në periudha të ndryshme kanë punuar në Tribuna Media Group.
Për shkak se këta persona tashmë janë duke punuar nëpër media të ndryshme kosovare, nuk kanë të dashur që të identifikohen me emra, me arsyetimin se kjo gjë mund t’iu shkaktojë probleme në vendet e tyre të tanishme të punës. Por, përkundër kësaj, të gjithë ata janë kanë thënë që ballafaqimi me pronarët e Tribuna Channel, do të ndodhë në Gjykat
Insajderi ka kontaktuar me një pjesë shumë të vogël, në mesin e qindra punëtorëve që kanë qenë të punësuar në Tribuna Channel. Ata kanë treguar për shifrat e borxhit ndaj tyre, dhe emrat janë dhënë me iniciale, për arsyen e cekur më lartë. 230 është shuma më e vogël e Tribunës ndaj një punëtori, kurse më e larta sillet 2 mijë e 500 euro. Përjashto këtu ish-autorin e emisionit ‘Republika’, tashmë zv.kryeministrin dhe ministrin e Diasporës, Dardan Gashi, të cilit Tribuna Channel, i ka mbetur borxh në shumë prej 10 mijë euro.
Ish-autori i emisionit “Republika” që është transmetuar në Tribuna Channel, tashmë zv.kryeministër në qeverinë Haradinaj, Dardan Gashi, pati thënë për Insajderi, se nuk e përjashton mundësinë që ta padisë televizionin Tribuna.
Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeredaktorja dhe ish- autore e emisionit “Mëngjesi në Tribunë”, Teuta Gashi. Për Insajderi, Gashi ka thënë se ballafaqimi me ta do të ndodhë në Gjykatë.
Po ashtu, të njëjtën gjë e kanë thënë në kushte anonimiteti shumica prej të kontaktuarve nga Insajderi. Anipse ata u shprehën skeptikë se ndonjë Gjyjatë do të marrë vendimin e duhur, për dënim të këtij televizioni.
Gazeta Online Insajderi, ka dërguar pyetje tek drejtoresha ekzekutive e Tribuna Media Group, Besiana Hoti-Demiri, njëherësh vajzë e nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hoti, por që ajo nuk ka kthyer fare përgjigje.
Në listën më poshtë do të paraqiten vetëm disa nga ish-punëtorët e Tribuna Channel, të cilëve ky medium iu ka mbetur borxh, në mesin e qindra punëtorëve të ketij mediumi.
A.D.- 860 Euro
A.D.- 1200 Euro
D.M.- 750 Euro
G.M.- 967 Euro
L.G.- 693 Euro
G.K.- 1200 Euro
V.A.- 1200 Euro
A.R. 620 Euro
L.C – 400 euro
SH.M – 325 Euro
A.M. – 250 Euro
D.N. – 1450 Euro
SH.P. – 830 Euro
V.H. 1590 Euro
B.A. 450 Euro
Ka edhe shumë të tjerë që janë ankuar në Inspektoriatin e Punës, por që asnjë rast nuk është trajtuar me seriozitet. Insajderi do të zblojë edhe arsyet pse Inspektoriati nuk ka vepruar asnjëherë./Insajderi.com