“Unë Albin Kurti, biri i Zaim dhe Arife Kurtit nuk e njoh Gjyqin e Serbisë”
“Albin Kurti (në vazhdim A.K.): Albin Kurti.
GJ: Emri i babait?
A.K.: Zaim.
GJ: Emri i nënës?
A.K.: Arife Kurti.
GJ: Mbiemri i vajzërisë së nënës?
A.K.: Tahiri.
GJ: Data e lindjes?
A.K.: 24 mars 1975.
GJ: Vendlindja?
A.K.: Prishtinë.
GJ: Vendi ku jetoni?
A.K.: Prishtinë.
GJ: Nënshtetësia?
A.K.: Republika e Kosovës.
GJ: (I drejtohet daktilografes) Shënoni! I akuzuari në pyetjen se çfarë nënshtetësie ka, u përgjigj se është shtetas i Republikës së Kosovës.
GJ: Profesioni?
A.K.: Student.
GJ: A e keni kryer shërbimin ushtarak në Ushtrinë e Jugosllavisë?
A.K.: Jo.
GJ: A e keni marrë thirrjen?
A.K.: Jo! Por edhe sikur ta kisha marrë nuk do t’i përgjigjesha, sepse Ushtria Jugosllave është ushtri okupatore. Në të vërtetë ishte, sepse tani nuk është më.
(…)
GJ: A e keni kuptuar aktakuzën?
A.K.: Po, dhe do të dëshiroja të them disa fjalë.
GJ: Urdhëroni.
A.K.: Unë kam punuar si anëtar i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) dhe njëherësh si kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kryesinë e UPSUP-së. Veprimtaria jonë kryesore ka qenë organizimi i demonstratave, të cilat kanë pasur për qëllim lirimin e objekteve dhe të hapësirës universitare, prej nga ne studentët dhe profesorët shqiptarë jemi dëbuar me dhunë në qershor të vitit 1991, dhe qëllim i këtyre demonstratave ka qenë realizimi i pavarësisë së Republikës së Kosovës, realizimi i vullnetit politik të popullit shqiptar, për çfarë ai u deklarua në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Pra veprimtaria jonë në UPSUP ka qenë e orientuar kundër regjimit fashist serb të Sllobodan Millosheviqit, i cili me forcat e veta policore dhe ushtarake e mbante Kosovën të okupuar, kurse ndaj popullit shqiptar në Kosovë zbatonte dhunë, represion sistematik dhe terror të paparë. Gjithashtu kam punuar edhe si sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Adem Demaçi. Angazhimi im si sekretar ka qenë në përfaqësimin dhe avancimin sa më të mirë të politikës së UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Lufta çlirimtare e UÇK-së ishte luftë e drejtë gjithëpopullore, që kishte për synim qëllimin e shenjtë: çlirimin e Kosovës dhe të popullit shqiptar nga robëria serbe dhe realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pra, lufta çlirimtare ishte mjet, kurse pavarësia qëllim. Pavarësia e Republikës së Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e pranueshme. Për popullin shqiptar në Kosovë pavarësia është çështje ekzistenciale, sepse vetëm në Kosovën e pavarur shqiptarët ndihen të lirë, të sigurt dhe vetëm në Kosovën e pavarur ndihen si mund t’i realizojnë të drejtat e tyre. (…) Edhe në UPSUP, e po ashtu edhe si sekretar i z. Demaçi, kam punuar vullnetarisht, me përpikëri dhe punën time e kam kryer në mënyrë dinjitoze. Për krejt çka kam bërë jam krenar. Sikur të më jepej rasti që edhe njëherë të filloja nga e para, asgjë nuk do të ndryshoja, në çdo gjë do të veproja sërish njësoj.
Në fund unë këtë gjyq nuk e njoh e as nuk e pranoj, ashtu siç nuk e njoh e nuk e pranoj as Serbinë e as Jugosllavinë. (…) Ky gjyq është në shërbim të politikës ditore fashiste të Milosheviqit. (…) Pas kësaj fjale time unë nuk do të përgjigjem më në pyetjet e këtij gjyqi, që nuk e njoh. Unë përgjigjem vetëm para gjyqit të popullit tim. Rrjedhimisht nuk ka rëndësi se sa do të më dënoni – 10, 20, 30 apo 50 vjet. Për mua dënimi nuk paraqet kurrfarë mase vlerësuese për asgjë”. (Fragment nga procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit në Gjykatën e Nishit në Serbi)