Vajza e Xhemajl Mustafës: Deputeti për të cilin flitet për vrasjen e babit tim është Rexhep Selimi
Vajza e Xhemajl Mustafës, Beriane Mustafa ka qenë e ftuar në njërin prej televizionet në Kosovë, ku ka folur për vrasjet politike, gjegjësisht vrasjen e babit të saj.
Ndër gjërat e shumta që Beriane Mustafa ka përmendur, është edhe ajo që flitet për një deputet për vrasjen e babit të saj.
Ajo ka thënë se deputeti për të cilin flitet është Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Flitet për Rexhep Selimin, ka qenë një fjalim i tij ku mas një kronike që është përgatit prej klankosovës, për një polic dhe prej një deputeti të Kosovës, jo që unë e kam ditë që behet fjalë për Rexhep Selimin, por që shfajësimi i tij disa ditë mbrapa në Kuvend, m’len me besu që është bo për to. A qëndron Rexhep Selimi mbrapa kësaj vrasjes apo mbrapa urdhrit për këtë vrasje, është prokuroria e shtetit e cila duhet me i trokit në derë Rexhep Selimit dhe me i thonë hajde urdhno”, ka thënë Mustafa.
Më tej, sipas saj, me këto gjëra është dashur të merret prokuroria e shtetit, ku ka një mori deklaratash, duke përmendur atë të Milaim Zekës dhe debatin mes Dardan Molliqajt dhe Blerant Stavilecit.
“Por jo veç Rexhep Selimit. Unë nuk jam shku me pyet Rexhep Selimin a të kanë ardh prokuroria. Në Kosovë pesha e fjalës publike është zero, në Kosovë gjithsecili fol çka të don. Kemi deklaratat e fushatës së fundit mes Dardan Molliqajt dhe Blerant Stavilecit, na e dimë kush e ka vra ju e di e dini kush e ka vra, ju e keni vrasësin brenda partisë tjuj. Kë deklaratën e Milaim Zekës, që është filan polici që është në Gjermani është atje është atje… Ka një mori deklaratash që njerëzit flasin e me duket që prokuroria rrin dhe bën sehir. A i troket prokuroria këtyre njerëzve në derë me shku me i pyet unë këtë nuk e di”, është shprehur vajza e Xhemajl Mustafës, Beriane Mustafa, përcjell “Bota sot”.
Mustafa ka thënë se shpresat për zbardhjen e vrasjes i ka vetëm të Gjykata Speciale.
“Gjykata Speciale nuk e ka kontaktuar direkt familjen time. Ka informacione se janë kontaktuar. Gjykata Speciale nuk do ta zbulojë atë që ka dhënë urdhër për vrasjen e tij, nëse ajo Gjykatë nuk do ta vendosë pikën në këtë rast, kjo çështje për mua mbetet e mbyllur”.
Mustafa ka kritikuar edhe LDK-së që nuk ka bërë aq sa duhet për zbulimin e vrasjeve politike.
“Natyrisht që LDK-ja ka mundur të bëjë diçka sidomos kur e ka pasur Ministrinë e Drejtësisë. Pse nuk ka bërë këtë nuk e di. Megjithatë gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga politika. Në fund të ditës, prokuroria dhe drejtësia nuk trokasin në dyert e atyre që flasin rreth asaj se kush e ka vrarë, dhe në fund të ditës për ne rezultati është zero”, ka thënë ajo.