fbpx
Lajme

Vazhdon nepotizmi i VV-së – dy kryetarët e e partisë në Vushtrri punësuan gratë e tyre (DOKUMENT)

“Nepotizmi është shndërruar në një lëngatë të madhe të Kosovës”, ekspozonte disa vite më parë Lëvizja Vetëvendosje fenomenin e errët që kishte përfshirë institucionet publike, e cila inkriminonte dy partitë tradicionale, PDK-në e LDK-në si bashkëpunëtore në këtë rrafsh.

Derisa dëshmonte dukurinë e nepotizmit në pozitat shtetërore – bazuar në zbulimet e aferës së përgjimeve ‘Pronto’ -, Lëvizja e Albin Kurtit konstatonte se “nepotizmi është e përbashkëta e LDK-së dhe PDK-së”.

Por, ngjitja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtetet lokale dhe atë qendror kanë shpërfaqur një formë të njëjtë të sjelljes në qeverisje sikurse ajo e pushteteve të kaluara, e cila konsideronin se e “ka shndërruar Kosovën në një lengatë të madhe”.

Për më pak se tre muaj me timonin e qeverisjes në duar, Qeveria Kurti ka kryer emërime në pozita politike dhe publike të njerëzve të lidhur familjarisht me anëtarë të saj.

E përbashkëta e subjektit të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila për herë të dytë brenda një viti e mori në drejtim pushtetin ekzekutiv në muajin mars të këtij viti, është se fenomeni i nepotizmit ka përfshirë LVV-në si në pushtetin qendror, edhe në atë lokal.

Punësimeve të nipit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, mbesës së deputetit Jahja Kokaj e xhaxhait të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, nuk janë të parat që e kanë ndërlidhur Lëvizjen Vetëvendosje me fenomenin e nepotizmit. Punësime të familjarëve, zyrtarët e LVV-së kanë kryer edhe para se ta merrnin pushtetin qendror. Ato i kanë ekzekutuar në pushtetin lokal, ku kanë qeverisur herë vet, e herë në bashkëqeverisje.

Gazeta Insajderi, ka zbuluar se punësime familjare nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ndodhur rreth dy vjet më parë edhe në Komunën e Vushtrrisë, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje bashkëqeverisi me LDK-në deri në muajin janar të këtij viti, kur u prish koalicioni që kryesonte LDK-ja.

Dy krerët e LVV-së në Komunën e Vushtrrisë, Besim Muzaqi dhe Sylejman Meholli kanë shfrytëzuar pushtetin në qeverisjen lokale për të punësuar bashkëshortet e tyre në pozita publike.

Ibadete Muzaqi, bashkëshortja e Besim Muzaqit, ish-nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, ishte përzgjedhur në mesin e 16 aplikuesve për pozitën e teknikes së Farmacisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri.

Punësimi i Ibadete Muzaqit si teknike e farmacisë ishte kryer pas një procedure të rekrutimit të udhëhequr nga Drejtoria Komunale e Shëndetësisë, të cilën për më shumë se dy vjet e ka udhëhequr Sylejman Meholli, një tjetër zyrtar me peshë i LVV-së në Vushtrri.

This image has an empty alt attribute; its file name is ibadete-muzaqi.jpg

Në të njëjtin vit, më 2019, edhe bashkëshortja e Mehollit ishte punësuar në një pozitë publike pas një procesi rekrutues të hapur nga Komuna e Vushtrrisë, asokohe e bashkëqeverisur nga LVV-ja.

Qëndresë Imeri, bashkëshortja e ish-drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, ishte punësuar si mësimdhënëse e lëndës së fizikës.

Ajo ishte përzgjedhur kandidatja më e suksesshme për këtë pozitë, bazuar në vlerësimin e një komisioni komunal që kishte udhëhequr procesin.

Fenomeni i nepotizmit, i aplikuar në Komunën e Vushtrrisë, Lëvizja Vetëvendosje e ka bartur në pushtetin qendror. Brenda pak javësh në ekzekutiv, familjarë të njerëzve me ndikim në subjektin e Albin Kurtit janë punësuar dhe graduar në pozita shtetërore.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close