Vëllau i Agim Bahtirit ishte zënë nga policia në ditën e zgjedhjeve, duke u sillur tek shkollat me revole
Avdullah Bahtiri, vëllai i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirit është dënuar me 500 euro gjobë nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Mitrovicës për posedim të armës pa leje.
Rastin për Kallxo.com e ka konfirmuar kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Kada Bunjaku-Përquku.“Personi në fjalë ka kryer veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPPK-së”, tha Bunjaku-Përquku.
Avdullah Bahtiri është shpallur fajtor sepse më datën 01. 12. 2013 rreth orës 14:20 minuta derisa gjendej në afërsi të Shkolles Fillore “Ismail Qemaili” në Mitrovicë, është ndaluar nga policia dhe në brez i është gjetur arma pistoletë e tipit “Bereta”, e kalibrit 7.65 milimetra. Në këtë shkollë atë ditë po votohej në balotazhin për kryetar të Mitrovicë ku kandidat ishte vëllai i tij Agimi Bahtiri kundrejt Avni Kastratit.
Shyqyri Syla kryeprokurori në Mitrovicë tha se do të bëjë ankesë për këtë vendim.“Kemi paraparë të bëjmë ankesë për shkak të dënimit të vogël qe ka shqiptuar gjykata në këtë rast”, tha Syla.