fbpx
Lajme

Vendimi për vajzën e axhës dhe motrën e Liburn Aliut mund të rezultojë i jashtëligjshëm

Vendimi për ta deleguar vajzën e axhës dhe motrën e Liburn Aliut në dy komitete brenda Odës së Farmacistëve të Kosovës mund të rezultojë i jashtëligjshëm. Tash e katër muaj pas këtij vendimi, asnjëra nuk janë bërë pjesë e këtyre komiteteve. Kjo për shkak që ministri, sipas statutit të Odës së Farmacistëve, mund të delegojë vetëm anëtarë nga komunitetet pakicë e jo farmacistë kosovarë

Si nepotizëm e tentativë për të politizuar Odën shëndetësore ishte parë në muajin korrik një vendim i tashmë ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kishte deleguar në Odën e Farmacistëve të Kosovës dy familjarë të ministrit Liburn Aliu.

Në këtë vendim, Suliote Aliu që është motra e ministrit Aliu, dhe Nita Kelmendi, vajza e axhës së po të njëjtit ministër, do të bëheshin pjesë e dy komiteteve në kuadër të Odës së Farmacistëve.

Por nga korriku, ky vendim nuk është jetësuar asnjëherë.

Siç ka mësuar KOHA, Oda e Farmacistëve të Kosovës e Ministria e Shëndetësisë kanë mosmarrëveshje për zbatimin e këtij vendimi.

Në një përgjigje të shkurtër, Oda e Farmacistëve ka pranuar që as Aliu e as Kelmendi nuk janë bërë ende pjesë e kësaj ode e Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar të përgjigjet.

Ne i kemi dërguar pyetje MSH-së lidhur me vendimin pasi ka një paqartësi dhe jemi në pritje të sqarimit. Ende nuk i kemi thirrur të deleguarit e rinj pa u sqaruar.

Por KOHA jozyrtarisht ka mësuar se ky institucion vendimin e ministrit për këto delegime po e cilëson të jashtëligjshëm.

Kjo për shkak që në statut të Odës së Farmacistëve kompetencë i jepet ministrit që të delegojnë farmacistë nga komunitetet pakicë, e jo kosovarë, siç ka ndodhur në këtë rast.

Një gjë e tillë parashihet në nenin 28 të këtij statuti.

Ministria delegon tre (3) anëtarë në këshillin drejtues, duke përfshirë një anëtar nga komuniteti joshumicë dhe një anëtar nga komunitetet e tjera.

Në publik ka pasur shumë diskutime për këtë vendim.

Vetë ministri Aliu ishte arsyetuar gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës.

“Përveç kësaj, ju e quani punësim, angazhimin e Suljota Aliut, motrës sime në një komision në odën e farmacistëve, nuk është e punësuar tash, ajo ka qenë në spital punon në barnatoren e internos, pra përveç asaj gjatë kohës është specialiste e farmacisë klinike, numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël, rrjedhimisht gjasat që ajo ka mujt me qenë pjesë e atij komisioni, gjasat janë shumë të mëdha, ka qenë aktive edhe më herët, edhe në kohën kur ka qenë ministri nga partia juaj, ka bërë udhëzime me i ndal hajnitë me barna të ndryshme, e ky nuk ka qenë punësim, është ftuar e ka marrë atë detyrë”, kishte thënë Aliu.

Në Këshillin Mbikëqyrës të OFK-së, Ministria e Shëndetësisë pati deleguar edhe Besnik Stavilecin dhe Bekim Fushën. Fusha ka qenë i akuzuar për korrupsion, mirëpo një pjesë e aktgjykimit e kishte liruar, derisa pjesa tjetër e lëndës i ishte parashkruar.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close