Veprimtari i LPK-së: Ai që vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës
Vrasja / Viti 2007
Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja Thërret” në Gjermani, si mysafir në “Zonën B” të Klan Kosovës, ka deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, vrasje kjo e ndodhur më 17 janar 1982, në Gjermani. Vrasësi, sipas tij, është R. Salihu nga fshati Mushitisht i Komunës së Suharekës.
Por pjesëmarrës në këtë atentat, sipas Kelmendit, ka qenë edhe një tjetër – të cilit nuk ia ka përmendur emrin, me arsyetimin se “do ta pengonte procesin e hetuesisë”. “Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën”., ka thënë Kelmendi.
Nga Nebih Maxhuni
Familjes së Jusuf e Bardhosh Gërvalles nuk u kanë bërë shumë përshtypje akuzat e rënda që ka bërë Ibrahim Kelmendi, në adresë të Riza Salihut.
Kelmendi në programin televiziv “Zona B” në Klan Kosova, ka thënë se R. Salihu është i dyshuari kryesor në vrasjen e vëllezërve Gërvalla.
Madje vëllai i patriotëve Gërvalla, Hyseni, i ka quajtur “guxim të tepruar”, – deklaratat e Kelmendit, sipas të cilit, Riza Salihu nga Mushtitshti i Suharekës, ka gisht në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani.
Hysen Gërvalla, i cili jeton në Zvicër, ka thënë të martën për Express se nuk ka ndonjë dëshmi apo fakt se R. Salihu është autori apo ka ndihmuar në vrasjen e vëllezërve të tij dhe shokut të tyre.
“Deklaratat e Ibrahim Kelmendit janë më tepër si guxim i tepruar. Ne si familje, deri më tani nuk kemi asnjë dëshmi apo diçka të ngjashme se Rizai ka gisht në vrasjen e tyre”, thotë Hysen Gërvalla nëpërmjet telefonit nga Zvicra./klan kosova, express/