Vrasja e Zahirit, Fehmi Lladrovci: Më dëgjo, po të jap besën e burrit, me këto duar do ja marr hakun
Vrasja e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës e kishte prekur shumë luftëtarin Fehmi Lladrovci. Bedri Islami – ish kreu i LPK-së në librin e tij ka treguar disa detaje dhe një komunikim mes vëllaut të Edmond Hoxhës – Heroi i Kosovës dhe Fehmi Lladrovcit.
Pjesë nga libri;
Në fillimin e shkurtit të vitit 1997, menjëherë pasi u hap lajmi për vrasjen e tre heronjve, njerëzit filluan të udhëtonin drejt familjeve të tyre, jo thjeshtë për t’i ngushëlluar, por edhe për t’u thënë se janë pranë tyre. Në banesën e Xhavit Hoxhës, në Zvicër, kishte shkuar edhe Fehmi Lladrovci, së bashku me Xhevën. Nuk do i them të gjitha ato që u thanë asaj dite. Ndeja të tilla shpesh herë i ngjajnë njëra tjetrës. Ndoshta më shumë se gjithçka kishte dhimbje që të çonte drejt përballjes. Ishte një moment, kur dhoma kishte rënë në një heshtje të pazakontë.
Foli Fehmi Lladrovci:
– Më dëgjo o Xhavit Hoxha, po të jap besën e burrit, mos më thënshin në emër, me këto duar, do ja marr hakun Edmond Hoxhës e shokëve të tij.
Tre muaj më pas, në majin e vitit 1997, Fehmiu dhe Xheva, së bashku me një grup shokësh, u nisën për në Kosovë dhe ranë në pritën, ku u vra Luan Haradinaj.
Në fillimin e marsit 1998 ai u kthye përfundimisht në Kosovë dhe nuk e kishte harruar fjalë-dhënien e tij. Sepse Fehmiu, duke qenë një ndër burrat më të rrallë të Kosovës, ishte edhe simbol i njeriut fjalë-mbajtës. Kam menduar pastaj se, duke marrë hakun e Edmondit, ai kishte bërë detyrën e tij prej luftëtari dhe se, edhe unë, duhej të bëja detyrën time; në fund të fundit një libër për dëshmorët është njëkohësisht edhe një hakmarrje ndaj mizorive dhe dhunës serbe, është si t’u thuash vrasësve dhe denonciatorëve, se heronjtë janë të përjetshëm.