VV-ja kishte argumentuar në Gjykatë Kushtetuese se të dënuarit në 3 vitet e fundit nuk duhet të certifikohen
Më 11 korrik të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese votën e ish-deputetit Etem Arifi, cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Sipas partisë së Kurtit, Etem Arifi, s’kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar, meqë ishte dënuar nga Gjykata me vendim të prerë, shkruan Reporteri.net
Në kërkesën e Vetëvendosjes thuhej se: “Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet, në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parasheh që një person është i aftë të kandidojë për deputet, përveç nëse është shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”.
Pra, në këtë kërkesë VV-ja pretendonte se vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për votën e Etem Arifit, Gjykata Kushtetuese kishte mbajtur një seancë dëgjimore publike, ku kishte marrë pikëpamjet e të gjitha palëve lidhur me votën e deputetit Arifi.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese doli me aktgjykimin përfundimtar, i cili rrëzoi qeverinë e Hotit.
Në disa nga arsyetimet e vendimit të Kushtetueses konstatohej se deputetit Arifi ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte kandidat për deputet dhe as të fitonte një mandat.
Vendimi i Kushtetueses u pasua nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.
Në aktgjykim, Kushtetuesja po ashtu argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar dje lisën zgjedhore të Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.