Wikileaks zbuloi emailat e Erdoganit, aty shihen edhe emailat e VV-së që i kanë raportuar Erdoganit
WikiLeaks ka publikuar 300 mijë emaila rreth Partisë së Recep Tayyip Erdoganit. Në mesin e tyre ka mesazhe që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës.
Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar pohimet e WikiLeaks se anëtarja e kësaj partie ka informuar Turqinë për gjendjen në Kosovë.
Pas emailit ku anëtarët e AKP -së (Adalet ve Kalkavan Partisi – Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim) tërheqin paralele mes situatës në Gjeorgji dhe Kosovës – me rastin e agresionit ushtarak të Rusisë më 2008 – tani është publikuar edhe një tjetër i tillë i titulluar: “Kosova, drejt regjimit autoritar”.
Në këtë rast bëhet fjalë për letrat elektronike të anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Esma Bunjaku, e cila informon për situatën politike në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Bunjaku shkruan për Demarkacionin me Malin e Zi ku thotë se këtij shteti po i falen 9500 hektarë. Bunjaku gjithashtu informon AKP-në se sa është e dëmshme marrëveshja e arritur me Serbinë rreth krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Vlen të ceket se Esma është studente në Universitetin e Prishtinës, dega e Shkencave Politike, ndërsa emailet me partinë e presidentit turk i ka shkëmbyer përmes grupeve të ndryshme të makinës kërkuese, Google, të dërguar në byronë e veçantë të quajtur “Özel Büro (Digi.Security.Isnet)”.
Esma Bunjaku
Më poshtë e keni transkriptin e emailit të saj – “Kosova, drejt regjimit autoritar”
Më 30 nëntor, 2015, partive opozitare (VV, AAK dhe Nisma për Kosovën) të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili përbëhet prej sistemit pluralist, i janë arrestuar pesë deputetë (dy në ditët e fundit, tre më 30 nëntor), ndërsa të tjerët kanë vendosur që të braktisin seancat plenare.
Më 25-26 gusht 2015, në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, dhe Qeveria serbe, nën mbikëqyrjen e BE-së (që nuk e njohin Kosovën), kanë nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), e gjithashtu është arritur edhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
Përmes marrëveshjes së AKS-së, po i hapet rrugë kthimit të Serbisë pas 16 viteve në Kosovë, ndërkaq shkaku i demarkacionit, rreth 9500 hektarë dhe territor tejet me rëndësi strategjike të Kosovës (në Bjeshkët e Rugovës) do t’i jepen Malit të Zi.
Partitë opozitare po kundërshtojnë këto dy marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, duke zgjedhur si mjete të tyre bilbilat, hedhjen e vezëve dhe gazin lotsjellës.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk dëshiron të tërheq marrëveshjet dhe në këtë formë po i mundëson Serbisë që të ketë në duar një dinamit përmes AKS-së.
Qëllimi i Serbisë, ashtu sikur si në Bosnje, e edhe në Kosovë (numri i popullsisë serbe është 8-9 për qind), është të marrë kontrollin mbi të gjithë serbët.
Ne kemi provuar të gjitha metodat demokratike që të detyrojmë Qeverinë që të tërheq marrëveshjet. Janë mbledhur rreth 206 mijë nënshkrime. Qeveria nuk e merr parasysh peticionin e nënshkruar prej qytetarëve.
Më 28 nëntor, rreth 35 mijë njerëz kanë marrë pjesë në një protestë, ku u kërkua që të tërhiqet kjo marrëveshje.
Menjëherë pas kësaj protestës, Policia ka bastisur selinë e partisë kryesore opozitare, Vetëvendosje, sikur kur sulmohet një ndërtesë e një organizate terroriste, e ku u arrestuan të paktën rreth 150 aktivistë me në krye ish-liderin, Albin Kurti.
Ne po hyjmë në një periudhë ku protestat janë të pashmangshme. Edhe nëse Qeveria jep dorëheqje dhe shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ditë mjaft të vështira po e presin Republikën e re të Kosovës. Situata është mjaft serioze!”. /Telegrafi/