Xhavit Haliti: Në “Rogner” ka fjetur vetëm Ahmet Krasniqi derisa i kemi gjetur një shtëpi
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, në emisionin “Debat Plus” ka folur për mosmarrëveshjet që kanë pasur në luftë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me oficerët e FARK-ut.
Haliti ka thënë dy palët janë marrë vesh dhe kanë komunikuar mirë për organizimin e Betejës së Koshares, por sipas tij ata kanë vepruar në kushte të ndryshme.
“Jakup Krasniqi dhe Azem Syla kanë qëndruar në Tropojë dhe kanë arritur një marrëveshje me palën tjetër. Por pajtueshmëria është arritur së pari nga ata që kanë qëndruar bashkë. Por, njëra palë kanë ngrënë bukë e domate ndërsa pala tjetër kanë ngrënë mish të pjekur”.
Haliti ka thënë se ai asnjë herë nuk ka fjetur në Hotel Rogner, por ai thotë se aty kanë pasur disa konferenca dhe takime.
“Në “Rogner” ka fjetur vetëm Ahmet Krasniqi derisa i kemi gjetur një shtëpi. Kur ka ardhur në Tiranë është vendosur në hotel, derisa është vendosur në shtëpi. Edhe shtëpinë në ja kemi gjetur”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Haliti ka thënë se raportet e tij me Ahmet Krasniqin kanë qenë normale, por disa media kanë bërë propagandë, por edhe këtë ai e arsyeton.
“Nuk e kam problem propagandën, pasi janë dy palë dhe është normale”, tha ndër të tjera Xhavit Haliti./Telegrafi/