fbpx
Lajme

Zeka: Pandeli Majko i ka përgjimet, Bujar Bukoshi i thotë Berishës i kam 150 ushtarë para kryeministrisë

Në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskajt në Vizion Plus, i ftuari i djeshëm ishte gazetari Milaim Zeka nga Prishtina. Zeka ka reaguar ndër të parët parët pas lajmit se Fatos Klosi e Sabit Brokaj, në cilësitë e tyre shtetërore në fund të viteve 90-të, janë nderuar si veteranë të luftës së Kosovës.

Deklaratat mbi kontributin e kujt dhe për çfarë, gjatë luftës, si në Shqipëri edhe në Kosovë, ndoqën njëra-tjetrën dhe si përplasje kryesore u veçua ajo mes kryeministrit të tashëm të Kosovës Isa Mustafa, dhe ish shefit të SHIK-ut Klosi.

Por në këtë intervistë me Hyskajn, Milaim Zeka, vetë pjesëmarrës i asaj lufte dhe i plagosur, siç pohon, ka vendosur të zbulojë rolin e kryeministrit Pandeli Majko gjatë luftës. Vetë biseda dhe deklaratat janë shumë interesante, siç do t’i ndiqni më poshtë. I kontaktuar disa herë dje në mbrëmje nga DITA, zoti Majko nuk e ka hapur telefonin.

Turjan Hyska: Gjithçka nisi në një emision në Kosovë, në “Express”, ku i ftuar ishte zoti Fatos Klosi, që bëri një deklaratë të cilën ne e sqaruam këtu në “Oktapod”. Z.Klosi tha që rruga e ndjekur nga z.Rugova ishte një rrugë pa krye. Kjo provokoi reagime. Gjithçka më parë, për hir të së vërtetës nisi nga një pension që UÇK i akordoi atij si veteran lufte. Kjo shpërtheu, Isa Mustafa reagoi dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Ish-kryeministri Pandeli Majko, kryeministri i luftës, i eksodit të madh të kosovarëve… reagoi kundër zotit Klosi. Ka një personazh të tretë në gjithë këtë përplasje, i cili nuk e ka problem të thotë atë që mendon, është gazetari Milaim Zeka. Milaim përshëndetje.

Milaim Zeka: Faleminderit shumë. Unë e kam thënë gjithmonë atë që mendoj, s’kam asnjëherë problem me e thënë atë që unë e quaj gazetari faktike, në Shqipëri dhe në Kosovë fatkeqësisht. Edhe pas rënies së komunizmit vazhdon të zhvillohet gazetaria opinioniste. Unë kur shkruaj për gjërat e luftës, nuk nisem nga opinionet e mia, as për Pandeli Majkon. Por në shkrimin tim mungon një këshillë për Isa Mustafën. Meqenëse disa njerëz mund të thonë që ja, Milaim Zeka po i turret Pandeli Majkos sepse tani ai nuk është në pushtet. Ja që unë po i them kryeministrit tonë kosovar që, hala më gabim se Pandeli Majko, ka bërë Isa Mustafa që ka reaguar në këtë histori. Kam bërë edhe një shkrim tjetër, këshilla ime ka qenë për njerëzit e Isa Mustafës, e konkretisht tek Bujar Bukoshi, se ju nuk mund ta mbroni Ibrahim Rugovën duke ju sulur Fatos Klosin, ngase pikërisht Bujar Bukoshi me kastën e tij, e ka lënë me dhjetëra herë Rugovën nëpër rrugët e perëndimit, pa ja pagu hotelet, pa ja pagu biletat e aeroplanit, pa ja pagu telefonat në selinë e tij në Prishtinë dhe për këtë kanë dalë në mbrojtjen time dëshmitarë të cilët kanë ardhur nga Tetova, një me emrin Jonuz Emini, së bashku me një tjetër bashkatdhetar, Ali Aliu nga Shkupi, që kanë ardhur nga Oslo për t’ja pagu hotelin Ibrahim Rugovës në Stokholm.

largea_milaimzeka-jpg1428000771

Turjan Hyska: Mirë, kjo ishte përsa i përket Isa Mustafës dhe lidhjen e tij me Bujar Bukoshin. Nuk më le të të them as mirëmbrëma dhe të sqaroj se ku jemi: Kjo është dhoma ku merren në pyetje, në “prokurori”, d.m.th., për ato që ti thua do të mbash përgjegjësi të plotë, penale jo, por të paktën publike.

Milaim Zeka: Absolutisht edhe penale.

Turja Hyska: Penale ndoshta jo, se nuk e kemi në dorë… Trekëndëshi Klosi-Majko dhe ti, pse u revoltove ndaj zotit Majko dhe çfarë tjetër mund të na thuash që të bëjmë një historik, ashtu si e sheh ti pozicionin e zotit Majko. Kujdes se zoti Majko njihet si një prej njerëzve që më së shumti e duan në Kosovë dhe është kryeministri që ka pritur mbi një milionë refugjatë. Pra është shumë sensitive si temë. Nuk po të paralajmëroj për gjë, por realisht duhet të jenë gazetari faktike ato që do thuash.

Milaim Zeka: E para e punës, se njihet apo nuk njihet Pandeli Majko në Kosovë apo Shqipëri si njeri i dashur apo i urrejtur, mua më së pakti më han palla për këtë, sepse Sali Berisha ka qenë hala më karahamesh, d.m.th., më mafioz sesa ky dhe unë e kam sulmuar në vitet e hershme.

Turjan Hyska: Po, më keni thënë tek intervista e parë. Kthehemi te çështja, ku është Majko në këtë histori, ato që nuk i ke thënë në deklaratë?

Milaim Zeka: Mbas ardhjes në pushtet të Pandeli Majkos, ka qenë një dilemë në perëndim se a do të zgjidhej Kastriot Islami kryeministër apo Pandeli Majko. Fatos Nano, për hir të së vërtetës, po e them për herë të parë këtu, e ka mbështetur kandidaturën e Pandeli Majkos, duke menduar se ky duke qenë student në atë kohë. Dhe që e kam thënë edhe në shkrimin tim, një njeri shumë naiv, i papjekur, mendonte Fatos Nano se akoma do ta dirigjonte Pandeli Majkon. Mirëpo kur Pandeli Majko kishte regjistrimet të vendeve informative perëndimore, jo vetëm të shërbimit informativ kombëtar, por regjistrimeve të bisedave telefonike mes Bujar Bukoshit dhe Sali Berishës. Ku Bujar Bukoshi i thoshte Sali Berishës se unë i kam 100-150 njerëz të armatosur përpara kryeministrisë ku u vra Azem Hajdari në 1998.

Turjan Hyska: Më fal..ka regjistrime ku z. Bukoshi i thotë z.Berisha?

Milaim Zeka: Po…Bukoshi i thotë Berishës, njerëzit e mi të armatosur i kam përpara kryeministrisë. Janë dhjetëra kosovarë të cilët janë arrestuar dhe këta e kishin të vështirë t’i identifikonin fytyrat se kush ishin këta njerëz, sepse ishin njerëzit e Bujar Bukoshit. Dhe të gjitha këto këtu i diti Pandeli Majko dhe z. Majko sa erdhi në fuqi, në mënyrë automatike mori qëndrim dhe mbështeti Farkun, mbështeti njerëzit e Bukoshit, ndërsa i mbylli të gjitha qendrat stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po e them për herë të parë një top-sekret që, mbasi u krijua task-forca në Presidencë, me presidentin Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Luan Hajdaraga, Sabit Broka, Fatos Klosi dhe Xhavit Haliti.

Turjan Hyska: Kush e krijoi këtë task-forcën?

Milaim Zeka: Ishte mbështetja e perëndimoreve, me ndihmën e vendeve mike, e sidomos me mbështetjen absolute të SHBA.

Turjan Hyska: Ma tha dhe z. Klosi këtë që ne kishim bekimin e europianëve dhe amerikanëve.

Milaim Zeka: Sepse dhe këtë po ta them për herë të parë, brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ekzistonin dy rryma. Një rrymë e cila përfaqësohej nga Ali Ahmeti, Furrel Shani, Ramush Hajradinaj, Brahim Kelmendi dhe disa të tjerë, ku vetëm në një pikë ndaheshin, dhe grupi tjetër që kishin kërkuar garancione nga SHBA dhe vendet perëndimore që; 1- UÇK nuk guxon të merr para nga droga 2- UÇK nuk guxon të ketë mbështetje nga vendet e lindjes, nga vendet arabe e as nga Turqia dhe 3- UÇK do të garantonte se nuk do të ndërhynte në Maqedoni. Do të thotë që nuk do të krijonte destabilitet. Dhe këtu u nda UÇK-ja në dy grupe, ishte grupi i Ali Ahmetit që thoshte se ne do ta vazhdojmë luftën në Maqedoni dhe ishte grupi i Xhavit Halitit, Hahim Thaçit, Kadri Veselit, që kishte dhënë këto garancione të SHBA dhe vendet perëndimore. Meqenëse Luan Hajdaraga kundërshton dhënien e firmës, që me firmën e tij si ministër i Mbrojtjes dhe firma të tjerëve të krijoheshin këto baza të forta ushtarake, për shkak të presionit të madh ndërkombëtar, atëherë kjo marrëveshje u bë gojarisht. Sokol Bare, ish-shefi i policisë së asaj kohe, ma vonë edhe zv/ministër i Brendshëm, ka qenë i vetmi njeri që ka guxu me hudh firmë. Për këtë gjë ka dhe dokument, unë e kam kopjen e dokumentit, që asnjë furgon, asnjë kamion i UÇK nuk guxon të kontrollohet. Dhe këtë që po ta them, mund ta dokumentojë edhe z. Neritan Ceka, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe që ka ndihmuar luftën e Kosovës dhe në një moment, kur i nxonë disa armë në Fushë-Arrëz, për të cilin ka shkru edhe “Koha Jonë”, se gazetarët e Shqipërisë e kosideronin luftën e Kosovës si me ndodh lufta në Afganistan, krejt një vendi të huaj. Se kishin fare idenë e ruajtjes së sekreteve, në mënyrë absolute. Mendonin se atje në Kosovë është ndonjë luftë në Afrikë, a ku me di ç’ka. Nuk e kishin fare njohurinë. Mbi bazën e kësaj shkruajti “Koha Jonë”, se në një vend normal nuk do të shkruhej se ato ishin sekrete. Dhe u bë lajm shumë i madh dhe e zgjoi në 2 të natës Neritan Cekën, ministrin. I thonë u bë skandal, janë zënë armë etj., dhe kur lidhet me zv/ministrin Sokol Baren, Sokoli i thotë se do ta qetësojmë këtë situatë. D.m.th., ka qenë një koordinim, ndërsa Pandeli Majko krejt këto marrëveshje i ka hudh poshtë. Edhe e ka mbyll bazën e kamuflume ushtarake me numër 1983, baza e vetme që kishte ngel në atë kohë në Shqipëri.

largea_majko1397729709

Turjan Hyska: Ku ka qenë kjo bazë, dihet?

Milaim Zeka: E dinë ushtarakët, ka qenë edhe një bazë ushtarake në Rrushbull, top-sekret për të cilën do flasim më vonë. Dhe këto i bëri Pandeli Majko.

Turjan Hyska: Po pse i bëri Pandeli Majko këto?

Milaim Zeka: Ka dyshime, se unë nuk kam fakt për këtë gjë, por ka dyshime me njerëz të cilët unë kam folur, krerë shumë të lartë të UÇK-së edhe të shtetit shqiptar, që Majko të jetë korruptuar nga Bujar Bukoshi. Pse e themi këtë? Sepse ka fakte, jo dyshime që Bujar Bukoshi e ka pagu komplet SHIK-un e Gazidedes. P.sh., kur e ka marrë detyrën Fatos Klosi, kur e ka hap kasafortën ka gjetur aty një shumë të madhe parash. Po deshe ta them edhe shifrën. Kane qenë 650 mijë marka të mbetura. D.m.th., nëse Sali Berisha i kishte arrestuar një nga një, ky po i mbyllte bazat në kohën më të rëndë të luftës së Kosovës. Dhe Sali Berisha kishte bërë një kthim mbrapa te lufta e Kosovës, si duket nga ndikimi i Bujar Bukoshit në 1997, se u largu defenitivisht me Rugovën dhe u afru me Bujar Bukoshin. Në këtë kohë, kur Bukoshi filloi me i furnizu me pare dhe Berishën edhe SHIK-un dhe ngelja jashtë e Kosovës, jashtë Dejtonit, Sali Berisha tha që u bë me faj të Ibrahim Rugovës, e kam deklaratë të vetën të cilën un e kam citu, që kjo u bë për faj të kosovarëve, të udhëheqjes së Kosovës, që aludimi është Ibrahim Rugova. Dhe tha, unë kam simpati për ata djem në mal atje. Tani…Pandeli Majko në rolin e sekretarit organizativ të rinisë të asaj kohe që ishte, u ngrit në një intervistë dhe tha që kjo është thikë mbas shpine që Sali Berisha po ja ban Kosovës dhe po don nga rruga paqësore, ta tërheqë zgjidhjen e problemit të Kosovës në një rrugë terroriste. Dhe mbi bazën e kësaj kam thënë që ky e ka qujt i pari UÇK terroriste dhe është deklarata me 6 janar 1997. Është në librin e Gafurr Elshanit, njërit prej themeluesve të UÇK dhe është e botuar në “Zërin” e Kosovës.

Turjan Hyska: Z Klosi tha që z. Majko ka dëmtuar dhe çuarjen e armëve?

Milaim Zeka: Ta shpjegoj një rast të cilin un veç e kam përmend dhe se kam ardh me fol. Po flas me përgjegjësi të madhe. Nga Kroacia vjen një anije me armë moderne. Unë kam informacion që këto armë ishin ble përmes Gotovinës (gjenerali kroat Ante Gotovina, shën i red.), përmes njerëzve të Tuxhmanit, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka ngjarja. Kishin ardhur armë moderne dhe Majko kishte marrë informacione që këto armë po vijnë në bregdet dhe kishte dhënë urdhër që të stopoheshin, anija të qëndronte në bregdetin shqiptar. Në atë kohë presidenti Mejdani ndodhej jashtë Shqipërisë, për vizitë o në Greqi, o në Turqi. Dhe ç’ka ban Majko… Merr i dërgon një kërkesë presidentit Mejdani me 9 pika, që duhet ta spostonte Klosin nga detyra. Dhe ndërhynë shtetet perëndimore te Mejdani dhe i thonë që nëse ai ka dërguar 9 pika, ku njërën prej 9 pikave akuzohej Fatos Klosi se po merrej me kontrabandë të armëve. Dhe Mejdani nuk pranon shkarkimin e Klosit. Ç’ka ban Pandeli Majko me shërbimin e tij? Thotë, un do ta dokumentoj që ai merret me kontrabandë të armëve dhe vendos në portin e Durrësit kamera për inçizim. Ç’ka ban Fatos Klosi me grupin e tij në këtë task-forcën e Kosovës dhe disa miq ndërkombëtarë? E marrin një peshkatar nga Durrësi, bile ai është gjallë, edhe mund të vijë të dëshmojë në emision, ai për mu është hero..e marrin këtë anije të peshkatarëve dhe i futen anijes nga mbrapa, që janë dy anije të parkuara aty dhe nga mbrapa i vjedhin armët. I marrin armë super moderne.

Turjan Hyska:Pse duket si skenar filmi ky?

Milaim Zeka: Absolut është skenar filmi dhe po të citoj diçka, i vetmi njeri që ka marrë vesh në ato armë moderne ka qenë shefi i shtabit të UÇK, z.Bislim Zyrapi, të cilin e ke gjallë. Dhe arsyeja pse Bislim Zyrapi u fut në bazën sekrete ushtarake në Rrushbull për herë të parë, ishte se oficerët e Shqipërisë nuk i kuptonin këto armë, edhe Azem Syla edhe Xhavit Haliti nuk kanë qenë ushtarakë dhe nuk i kanë kuptuar. Dhe kanë qenë të detyrum me marrë Bislim Zyrapin si ushtarak. Dhe ky sapo ka hy aty ka thënë se kjo armë shkon me këte, kjo me këtë… ishin raketat tokë-ajër, d.m.th., armë super moderne. Ç’ka ndodh herën e dytë? D.m.th., armët i bllokon Pandeliu, por këto vidhen. Herën e dytë vijnë 50-70 kamionë me barna. Mbasi kalojnë portin e Durrësit, Pandeli Majko i jep urdhër të gjithë kamionët me u kthy në bazë, d.m.th., në portin e Durrësit prapë nga Rrushbulli dhe i kthejnë atje. Dhe të gjithë këta kamionët janë plaçkitur, me përjashtim dy që i kanë marrë, i kanë falsifiku me dokumente në Rrushbull, kanë thënë “jo, këta janë në këtë bazë jo me kontigjentin”. D.m.th., të gjithë këta kamionë janë kthyer në bazë dhe kanë ngel aty”. Po ta them edhe diçka, për me e dokumentu sabotimin që Pandeli Majko ja ka bërë luftës së Kosovës, unë nuk kam thënë që nuk i ka prit refugjatët si hero. Natën kur është kthy delegacioni nga Rambujeja ka pasur një takim në mes delegacionit me në krye Hashim Thaçin. Unë po t’i përmend tre emra që kanë qenë në takim me Pandeli Majkon: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti dhe Azem Sykla. Ka pasur edhe të tjerë, por nuk më kujtohen. Ata kanë prit gjysmë ore Pandeli Majkon dhe në momentin kur ka fillu takimi, ka qenë takim tepër acarues. Hashim Thaçi i ka thënë: “Ti je duke e sabotu luftën, e ke sabotuar dhe vazhdon ta bësh!”.

Turjan Hyska: Ku shkonin armët që i bllokonte z.Pandeli Majko?

Milaim Zeka: Kamionët të cilët janë shkatërru, armët i kanë marrë, anijen e morën, por mos të harrojmë një diçka në kohën e Fatos Nanos, për hir të vërtetës, krerët e UÇK me lekë i kanë pagu ato kalimet e armëve. Mos të tallen lidershipi i asaj kohe, as Fatos Nano, asnjëri që të thotë që e ka ndihmu Kosovën me zemër e me shpirt. Armët në Shqipëri janë ble, janë paguar, po sepse nuk dojnë të folin krerët e UÇK është tjetër muhabet. Unë ja kam thënë edhe Majkos, që s’mund të ma mbyllë gojën as ai, as Thaçi, as Isa Mustafa.

Turjan Hyska: Pse z. Majko do të dilte kundër UÇK, e cila e kishte marrë në një farë mënyre bekimin e SHBA. A nuk është e guximshme kjo për një kryeministër i një shteti si Shqipëria?

Milaim Zeka: Ky nuk doli publikisht kundra, ky dhe sot thotë kam qenë jo kundër.

Turjan Hyska: Dakord, por kjo task-forca ja ka çuar si informacion shërbimeve inteligjente të SHBA apo partnerëve tanë?

Milaim Zeka: Madje kjo është bërë me miratimin dhe bekimin e tyre…Ndikimi i Beogradit në Tiranë në atë kohë në rënien e komunizmit, e deri te përfundimi i luftës, ndikimi i Beogradit ka qenë 99%. Pastaj këtu kanë qenë të përfshira edhe shërbimet greke.

Turjan Hyska: Kemi UDB të përfshirë?

Milaim Zeka: Absolutisht. Më së shumti UDB ndikimin e vet e ka lujt përmes liderëve të asaj kohe në Shqipëri. Të jesh i bindur.

Turjan Hyska: Duke mos shmangur këtu edhe zotin Majko…

Milaim Zeka: Për Majkon nuk e di, por di vetëm një diçka, që përderisa Majko i ka pas dosjet e njerëzve të “Farkut” dhe përderisa i ka pas në dorë përgjimet telefonike bisedën mes Bujar Bukoshit dhe Sali Berishës…

Turjan Hyska: Nga e ke marrë këtë informacion?

Milaim Zeka: E kam marrë prej shërbimeve të huaja…të gjitha këto që them jam i gatshëm t’i dëshmoj para Gjykatës së Tiranës, me i tregu njerëzit të cilët ma kanë dhënë informacionin.

Turjan Hyska: Si e lexon situatën tani, a duhet të dalin të gjitha të vërtetat apo të tjera do dalin rrugës?

Milaim Zeka: Mendoj që pas pavarësimit të Kosovës, Shqipëria ka pas një fat shumë të madh që UDB, e cila është zhvendosur në Kosovë. Atje sabotazhet ekonomike, dezinformatat…tani është koncentru UDB e Beogradit në Kosovë dhe Maqedoni. Por në Shqipëri, sa herë ka ndodh gjithçka e rëndësishme në Kosovë, këtu gjithmonë ndodhin turbullira. Prandaj mbi bazën e kësaj dhe mbi bazën e fakteve që e kam mund të them që lidershipi i Tiranës e ka pas një kanal..p.sh., si e shpjegon ti luftën civile të 1997 në Shqipëri? Përpos që ekzistojnë edhe për atë dokumente. Sa më shpejt që njerëzit flasin, sa më shpejt që të hapen dosjet, sa më shpejt që të hapen arkivat, aq më mirë do jetë për brezin e ri, për juve që nuk keni qenë të përfshirë në këto pisllëqe. Kështu që nuk mund të vazhdojmë me logjikën që fol njëri dhe mos fol tjetri. Kosova nuk mundet me ecë përpara, as Shqipëria, nëse nuk hapen arkivat. Jo vetëm të Sigurimit të Shtetit, por të gjitha, sepse është koha që brezi i ri të mendojë ndryshe dhe të shohë se kush ç’ka ka qenë.

Turjan Hyska: Jeni dakord me z. Klosi kur thotë që udha e Rugovës ishte një udhë pa krye?

Milaim Zeka; Në mënyrë absolute jam dakord që mbas vitit 1997, politika e Ibrahim Rugovës ka qenë politikë e mirë, progresiste, mbas 1997 Rugova vet e ka pranu që politika e tij ka qenë politikë e vdekur. Dhe gjatë 10 ditëve të qëndrimit në Rambuje, Rugova ka fol 30 sekonda. Nuk u përzie më, tha ka ardh tash koha e UÇK dhe është fakt. Çdo yll që shndrit e ka kohën e vet. Koha e Rugovës ka qenë 1990-1996(7). Jam i gatshëm me u rikthy ballë për ballë me Majkon, Berishën edhe me Fatos Nanon.

Mirë është që ata që e pijnë cigaren, mos me i kritiku duhanxhinjtë. Ata që e kanë sabotu luftën e Kosovës i kanë dy alternativa, ose të heshtin, ose të thonë të vërtetën.

Turjan Hyska: E meritojnë z.Klosi dhe z.Brokaj atë pension?

Milaim Zeka: Absolutisht që e meritojnë statusin e veteranit. Dhe jam krenar që jam në listë me këta, në listën e veteranëve të luftës.

Turjan Hyska: Po ti je shumë i ri për veteran…

Milaim Zeka: Nuk jam i ri, jam edhe i plagosur dhe jam krenar për fëmijët e mi që mbaj statusin e veteranit të luftës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close