Zëvendëministri i Brendshëm: Prej nga gjithë kjo urrejtje për çlirimtarët?
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Izmi Zeka, ka shprehur shqetësimin e tij nga ajo që ai e ka quajtur urrejtje për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Zeka ka thënë se paralajmërimi për fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime të luftës është një lajm ogurzi për shqiptarët dhe Kosovën.
“Kjo jo për faktin se do të gjykohen ushtarët e UCK-së, po per faktin se tentohet që clirimtarët të barazohen me kriminelet”, është shprehur ai.
Shkrimi i plotë i Zekës:
Prej nga gjithë kjo urrejtje për clirimtarët?!…
Paralajmërimi për fillimin e punës së gjykatës speciale për krime të luftës është një lajm ogurzi për shqiptarët dhe kosovën. Kjo jo për faktin se do të gjykohen ushtarët e UCK-së, po per faktin se tentohet që clirimtarët të barazohen me kriminelet. UCK-ja nuk ka bërë krime lufte, por UCK ka bërë luftë clirimtare e të denj për tu radhitur ndër ushtritë më të pastërta në historinë e luftërave. Dhe kur kjo është e ditur botërisht, ske se si mos të habitesh me faktin që dalin zëra ndër vet shqiptarët duke e mirëpritur këtë gjykatë. Prej nga gjithë kjo urrejtje për clirimtarët?!…Prej nga i gjithë ky pezm e kjo mëri?!… Sidoqoftë një gjë është e sigurte. Edhe kjo gjykatë do të përfundoj me pa lavdi. Ska gjykatë që e dënon clirimtarin. Po ku do të mbetën me pas këta shqiptarë që sot po i gëzohen kësaj gjykate? Cka do të thonë nesër? Do i hanë fjalët e veta apo do të kërkojnë falje…