Zv/Ministri punësohet pa konkurruar si asistent i Bajram Kosumit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abdulselam Shkodra është punësuar pa konkurruar si asistent i rektorit në Universitetin e Gjilanit, “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi. Ndërsa Kosumi nuk është në dijeni sesi është punësuar asistenti i tij në lëndën të cilën ai është ligjërues.
Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Abdulselam Shkodra është angazhuar si asistent i jashtëm në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, pa konkurruar.
Shkodra i cili dyshohet se është mik i afërt i rektorit të Universitetit të Gjilanit,Bajram Kosumi, është bërë asistent i tij në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor” dhe në lëndën “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” ku profesor është Zemri Elezi.
Në konkursin e shpallur më 14 shtator të vitit 2018, kërkohej një asistent në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor”, mirëpo ne dokumentet të cilat i posedon Gazeta Insajderi, emri i zëvendësministrit Shkodra nuk gjendet në listën e kandidatëve të pranuar në këtë universitet.
Ndërsa për lëndën, “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” nuk ka pasur konkurs fare. Pavarsisht kësaj, zv/ministri është punësuar si asistent, shkruan Gazeta Insajderi.
Insajderi ka kontaktuar me rektorin e universitetit, Bajram Kosumi për punësimin pa konkurs të Shkodrës mirëpo ai ka thënë se nuk e din sesi është punësuar asistenti i tij.
Madje Kosumi ka mbyllur telefonin kur është pyetur sesi ka mundësi që nuk e din se si është punësuar zëvendësministri Shkodra.
“Nuk mundem me ditë qysh është punësuar sepse zakonisht ka procedura qysh punësohen. Nuk e di sepse unë jam rektor, pe përfundojmë bisedën këtu”, ka thënë Kosumi dhe ka mbyllur telefonin.
Kosumi ndër tjera ka thënë se emrat e asistentëve të angazhuar nuk publikohen në ueb faqen e universitetit. Ai është shprehur se për këto çështje duhet pyetur menaxhmentin e universitetit.
Ndërsa menaxhmenti i Universiteti ka thënë për Insajderin se Shkodra është angazhuar në bazë të statutit të Universitetit.
“Abdylselami Shkodra është asistent i angazhuar ne UKZ, ai në këto lëndë që ju keni cekur është angazhuar në bazë të Statutit të Universitetit, NENI 28, paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 ku Rektorit i njihet e drejta për të punësuar”, thuhet në përgjigjen e universitetit.
“Z. Shkodra nuk është i punësuar si staf i rregullt i UKZ-se, por vetëm i angazhuar për një kohë të caktuar, derisa për këto lënde të shpallet konkurs i rregullt”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e Universitetit të “Kadri Zeka”.
Kurse në rregulloren mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm me honorar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, në nenin e katërt thuhet se “procedurat e angazhimit bëhen në mënyrë transparente nëpërmjet shpalljes së konkursit publik”.
Insajderin ka kontaktuar edhe me zëvendësministrin Shkodra mirëpo ai ka thënë se është jashtë vendit dhe nuk mundet të përgjigjet. /Insajderi.com