Nesër festa e Vidovdanit, Policia kërkon nga qytetarët mos të bien pre e provokimeve
Policia e Kosovës për festën religjioze ortodokse të Vidovdanit, e cila festohet me datën 28 qershor, përmes hartimit të planit operativ, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmërinë e ligjit në vend, si dhe shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimeve.
Me qëllim të garantimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, në lokacionet ku do të ketë kufizime, bllokime të plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara të rrugëve, në zonat ku konsiderohet se do të zhvillohen manifestime të ndryshme, siç janë: Prishtina, Graçanica, Gazimestani etj., do të angazhohen zyrtarë policorë të mjaftueshëm, me qëllim të ridrejtimit të komunikacionit dhe ofrimin e kushteve për qarkullimin normal për të gjithë shfrytëzuesit e komunikacionit rrugor.
Në një komunikatë për media, policia ka bërë të ditur se nga fillimi e deri në përfundim të ceremonisë në intervale të përcaktuara kohore, varësisht nga rrjedha e situatës, do të bëjë ridrejtimin e komunikacionit për automjete, me qëllim të shmangies së krijimit të tollovive në trafik.
Varësisht nga rrethanat që do të paraqiten si rezultat i fluksit të automjeteve dhe numrit të pjesëmarrësve në këtë ceremoni Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme shtesë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, duke përfshirë këtu edhe ridrejtime apo kufizime të tjera shtesë të rrugëve, për të krijuar kushte optimale për rrjedhë normale të këtij manifestimi.
Andaj, për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, policia ka kërkuar ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, njëkohësisht ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që mos të bien pre e çfarëdo provokimi të mundshëm gjatë mbarëvajtjes së manifestimit.