SBAShK: Nesër grevë dy orëshe në sistemin arsimor
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) përmes një komunikate për medie ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme (e premte) i gjithë sistemi arsimor në Kosovë do të mbaj grevë 2 orëshe, shkruan GazetaBlic.Kjo grevë erdhi si pasojë e Ligjit të Pagave i cili është dërguar nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese ku rrezikohet implementimi i saj.SBAShK-u ka njoftuar se kjo grevë është alarmi i fundit nga punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, ndërsa paralajmërojnë se do të ketë përballje me reagimet shumë më radikale sindikale.
Ky është reagimi i tyre i plotë:Të premten grevë dy orëshe në sistemin arsimor të KosovësKëshilli Drejtues i SBASHK-ut pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale. Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.
Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.
Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10.
Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.
Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale.