fbpx
Lajme

Të moshuarit presin, vajza e axhës së Vjosa Osmanit dhe VIP-at vaksinohen

Një e afërme e presidentes Vjosa Osmani dhe persona me ndikim publik, kanë arritur të vaksinohen kundër COVID-19 derisa mijëra të moshuar mbi moshën 65-vjeçare po presin në radhë për të marrë dozat e para.

Ditëve të fundit, vaksinën anti-COVID në qendrat e vaksinimit të hapura nga qeveria ka arritur ta marrë Luljeta Plakolli-Kasumi, vajza e axhës së Vjosa Osmanit, presidentes së Kosovës.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, ajo ka thënë se vuan nga sëmundje kronike.

“Jam regjistruar në sistem para 1 muaji dhe kam bërë kërkese. Kam sëmundje kronike për atë jam vaksinuar”, ka thënë Plakolli-Kasumi për Insajderin.

Edhe moderatori Alaudin Hamiti sot është vaksinuar kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Edhe pse 40 vjeçar, ai ka arritur ta marrë vaksinën.

Hamiti ka thënë për Gazetën Express se ai ka aplikuar që më shumë se një muaj online për tu vaksinuar, derisa tek të shtunën thotë se është njoftuar përmes telefonit se është ftuar për ta marrë vaksinën.

Ai është shprehur se gjithçka ka shkuar me procedurë të rregullt.

“Unë kam aplikuar që më shumë se 1 muaj e gjysmë në webfaqen E-Kosova dhe më kanë telefonuar pardje. Pastaj ma kanë shtyrë terminin për sot në mëngjes. Gjithçka ka shkuar me procedurë të rregullt. Vaksina Pfizer më duket se ka qenë”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Hamiti ka theksuar se ka pasur edhe persona tjerë në moshën e tij që kanë aplikuar dhe janë vaksinuar.

Mirëpo, koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, e ka mohuar se në rrallë është vaksinimi i personave më të rinj në moshë se 65 vjeç, përveç personelit shëndetësorë e personave me sëmundje kronike.

Megjithatë, ai ka thënë se ata vaksinojnë të gjithë personat të cilat janë të përfshirë në listat që u dorëzohen atyre.

“Ne respektojmë listën që na vie e gatshme për t’u zbatuar në sallën ‘1 Tetori’ dhe vendet tjera. Vaksinimi i referohet kategorisë së personelit shëndetësorë dhe kemi edhe të rinj në moshë, qoftë të sektorit publik apo privat që janë të licencuar. Edhe aplikuesit tjerë me sëmundje kronike vaksinohen. Por të gjithë qytetarëve që kanë publikuar në E-Kosova dhe janë bërë terminet e tyre nga qendra operative, normalisht që në bazën e thirrjes telefonike që ju bëhet, ne e respektojmë atë dhe e zbatojmë”, ka deklaruar Bardhi.

Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë sqarime nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me personat e moshës nën 65-vjeçare që janë vaksinuar kundër epidemisë COVID-19, por nga MSh-ja nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Insajderi.org

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close