Haradinaj i thotë mashtrues Albin Kurtit, thotë se do të pranonte një takim me Isa Mustafën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë ka përsëritur qëndrimin e tij për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Duke mohuar se është takuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, ai ka thënë se nëse do të merrte ftesë nga ai do t’i përgjigjej pozitivisht.
Haradinaj para gazetarëve ka deklaruar se nuk ka komunikim me të parin e Lëvzijes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për qeverisje, e shton se projekti i tij është mashtrues.
“Nuk kemi komunikim me Vetëvendosjen ose me z.Kurtin për qeverisje, unë e kam deklaruar se projekti që paraqet Kurti është mashtrim, edhe e kam qit edhe z.Kurtin mashtrues, për shkak se bindja ime ka qenë se qasja e tij ndaj temave, ndaj realitetit të jetës nuk përputhet nuk qëndron ashtu, megjithatë, qytetari ka vendos, sovrani ka vendos ne jemi në opozitë, po qëndrojmë në detyra tona, po s’kemi asnjë lloj komunikimi me z.Kurtin”, tha kreu i qeverisë në detyrë.
Tutje, ai ka komentuar edhe lajmet se së fundmi është takuar me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
“Të them të drejtën kurrë s’kam qenë në shtëpinë e tij në Prapashticë, kam qenë në shtëpinë e vjetër, nuk jemi taku, është avancim i mediave tona, më duket janë bë shumë portale, na nuk jemi kundër me na pyet, nëse keni naj mendim, nuk e mohoj, edhe me më pas thirr mandatari Kurti, me më thanë i kam fituar zgjedhjet po du me bisedu me juve, nuk e kisha refuzu këtë takim, nuk kemi pas ftesë, nuk ka pas interesim të çfarëdo natyre. Nëse Mustafa më fton për kafe unë shkoj në çdo kohë, ju kisha përgjigj ftesës për takim”, shton ai.
Haradinaj ka deklaruar se nuk është mirë që të shkohet në zgjedhje të reja, duke përmendur edhe afatin për buxhetin deri në fund të muajit mars.
“Unë besoj që në Kosovë nuk është mirë me shku në zgjedhje të reja, nuk është presedan i mirë që të shkojmë ashtu, disi e pakuptimtë kjo, nëse i gjithë spektri politik vendos për zgjedhje, edhe Aleanca nuk e prish një disponim të tillë, por, zgjedhjet marrin edhe gjashtë muaj tjera. Në politikë nuk ka votë pa marrëveshje politike, pa koncept politik, nuk jepet vota për ose kundër, nëse ka një marrëvshje të caktume edhe mundet, e lajmë të hapur, unë jam ushtrues detyre në aleancë dhe në qeveri, mirëpo, Aleanca është sjell me respekt për vendimin e sovranit.
Me afate të buxhetit shkojmë deri në fund të marsit, është e rëndësishme që të formohet qeveria”, shtoi ai.