fbpx
Lajme

O’Reilly: Pas plagosjes së Ramushit tek Musajt, Dauti hapi zjarr, Ramushi nuk shkoi për sulm por për t’u sqaruar

Pjesë nga libri ‘HAGA E RAMUSH HARADINAJ’

Nga Michael O’Reilly

Përsa i përket çështjes Musaj/Muriqi, një hap i rëndësishëm ishte vizita e papritur e Ramush Haradinajt në shtëpinë e Musajt më 7 korrik të vitit 2000. Disa ditë më parë, tre vëllezërit Musaj kishin vizituar babanë e Haradinajt, Hilmi Haradinaj, për t’i kërkuar kthimin e “eshtrave të vëllait të tyre”, sipas zakonit shqiptar, një implikim i qartë ky se dikush, sipas tyre, dinte diçka mbi rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tyre, Sinanit. Ramush Haradinaj tha se ai dhe Dauti shkuan në shtëpinë e familjes Musaj rreth orës 01:00 për t’u bërë të qartë se në rast se ata, Musajt, kanë diçka për të thënë duhet t’i drejtoheshin atij, Ramushit, dhe jo babait të tij. Ai zbriti nga makina dhe i paarmatosur hyri në oborrin e familjes Musaj dhe thirri, duke u prezantuar me emër, dhe u gjënd përpara një sulmi me granatë. Në përgjigjie, Dauti hapi zjarr (me një armë të licencuar), në errësirë, për të siguruar mbulim ndërkohë që përpiqej të fuste në makinë vëllanë e tij të plagosur rëndë.

Vështirë që kjo të ishte një vrasje me paramendim siç u pretendua më pas. Pas këtij incidenti, Haradinaj deklaroi publikisht se nuk do të kishte hakmarrje për sulmin me granatë ndaj tij. Ai u transportua me një aeroplan të ushtisë amerikane për në Gjermani për të trajtuar plagët e marra gjatë sulmit. Pak javë më vonë ai u kthye në Kosovë dhe dha një intervistë për gazetën Zëri, në të cilën ai e pranoi se kishte gabuar me vizitën natën vonë në shtëpinë e Musajve, duke thënë se:

… ky incident gabimisht po lidhet me ngjarjet e ndodhura pas luftës. Ishte një kaos i vërtetë kur bombardimet e NATO-s përfunduan. Zinxhiri i komandës u prish. Ushtarët, batalionet dhe njësitë speciale, shumë nga Shqipëria, u shpërndanë në mbarë Kosovën dhe zgjodhën të bënin jetën e tyre. Unë nuk di asgjë për ushtarët që mungojnë … Unë nuk di se si ata punuan gjatë periudhës së demilitarizimit, por di që ata asnjëherë nuk u regjistruan në zonën e Dukagjinit në të cilën unë isha komandant, dhe unë gjithashtu mund të dëshmoj faktin se as unë dhe as njerëzit e mi nuk kanë qënë ndonjëherë të përfshirë në ndonjë rrëmbim.

Fjalët e Haradinajt ishin të zgjedhura me kujdes. Ishte një përfundim i qartë se personat e ndaluar kishin marrë vetë ‘drejtimin’ e tyre në ‘kaosin’ e çmilitarizimit dhe një referencë për sjelljen e ‘njësive speciale…nga Shqipëria’. Kjo mund të hidhej poshtë me lehtësi, por ishte e qartë se krimi i organizuar shqiptar ishte duke përfituar nga mangësitë në sigurinë dhe politikën e Kosovës në vitin 1999. Për më tepër, Tahir Zemaj dhe njerëzit e tij qëndruan disa kohë në Shqipëri për tu larguar më pas shtatorin e vitit 1998. Brigada Mërgimi i Zemajt u vendos në Mamurras, në Shqipëri, shumë larg nga kufiri me Kosovën dhe nuk u kthye në Kosovë deri në korrikun e vitit 1999, disa javë pasi luftimet kishin përfunduar. Sigurisht që ata nuk u kthyen për të mbrojtur njerëzit e tyre.

Nuk kishte as edhe një provë të vetme që Ramush Haradinaj kishte bërë apo thënë diçka të gabuar në lidhje me këto ngjarje, përveç vizitës së tij të nxituar natën vonë në shtëpinë e Musajt, gabim ky që për pak sa nuk i kushtoi jetën. Por bashkimi i trilluar i këtyre incidenteve shkaktoi spekullime të mëdha lidhur me karakterin dhe qëndrimin e komandantit gjatë luftës, për të cilin dihej shumë pak. Prokurorët në Hagë shqyrtuan çdo detaj që do të shërbente si dëshmi kriminaliteti, por nuk gjetën asgjë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close