Bajqinovci: Me ShBA-në s’mund të ndërtosh partneritet afatgjatë duke e zhvatur vendin tënd
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se qeveria e PAN-it e kishte dëmtuar rëndë Kosovën me qeverisjen e saj.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se në Bashkim Evropian (BE) nuk shkohet duke vjedhur vendin tënd. “Me ShBA nuk mund të ndërtosh partneritet afatgjate duke e zhvatur vendin tënd. Qeveria Kurti është ajo që mund ta përgatisë Kosovën për të qenë një vend partner i denjë i të dyja sferave sponsorizuese të politikes zhvillimore për Kosovën (ShBA&BE) për t’i shërbyer kështu paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të hapësirës tonë të përbashkët politike, ekonomike e kulturore”, ka shkruar Bajcinovci.
Postimi i plotë i Bajcinovcit:
Qeveria e PAN-it e kishte dëmtuar rëndë Kosovën me qeverisjen e saj të mbrapsht brenda, por i kishte bërë edhe dëme të mëdha vendit në politikën e jashtme.
Kështu, në vitin 2018 Spanja, si një nga shtetet anëtare të BE që nuk e ka njohur Kosovën, i kishte vënë veto pjesëmarrjes së Kosovës nëpër samite, nisma e konferenca rajonale e ndërkombëtare. Kosova kishte humbur mundësinë e prezantimit të saj e pjesëmarrjes në shumë prej iniciativave me karakter ndërkombëtar që do të kishte mundur të shërbente qëllimit tonë nacional për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar si një qëllim madhor e shtetëror i Republikës së Kosovës.
Këto tre muaj PAN-i që u zgjerua ndërkohë dhe u bë PLAN-i në vazhdimësi flisnin se si Qeveria Kurti po bashkëpunon me Spanjën, Sllovakinë, Borelliin, Lajçakun, etj.
Sot kemi një heqje të një pengese ndërkombëtare për të prezantuar vendin tonë gjithnjë e më shumë.
Prioriteti madhor i Republikës së Kosovës janë integrimet euro atlantike, përkatësisht anëtarësimi në BE dhe NATO. Asnjëra nuk arrihen pa përkrahjen e bashkëpunimin me partnerët tanë tradicional SHBA dhe shtetet njohëse të BE, por gjithashtu edhe partnerët tjerë evropiane që nuk na kanë njohur por që mund të na pengojnë.
Për secilin partner ndërkombëtar të Kosovës që ka pasur interesim për fuqizimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, luftimin e krimit dhe korrupsionit Qeverinë Kurti e ka parë si partneren më serioze nga të gjitha qeveritë e deritashme.
Në BE nuk shkohet duke vjedhur vendin tënd. Me ShBA nuk mund të ndërtosh partneritet afatgjate duke e zhvatur vendin tënd. Qeveria Kurti është ajo që mund ta përgatisë Kosovën për të qenë një vend partner i denjë i të dyja sferave sponsorizuese të politikes zhvillimore për Kosovën (ShBA & BE) për t’i shërbyer kështu paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të hapësirës tonë të përbashkët politike, ekonomike e kulturore.
Vazhdojmë!