fbpx
Lajme

Kurti: Jam kërcënuar me jetë unë dhe familja, Thaçi të dorëhiqet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se kërcënimi i tij nga Garda Vullnetare Shqiptare i bërë publik ditë më parë është real, ndryshe nga çfarë pretendon presidenti Hashim Thaçi që e cilësoi një shpifje e fabrikuar nga zyrat e VV-së.

Ai ka thënë për Ora News se nuk trembet nga asnjë lloj kërcënimi, duke shtuar se ajo letër ishte më tepër presion ndaj Kushtetueses që më 29 maj do të vendosë për dekretin e presidentit për emrin e mandatarit.

“Presidenti tha se unë e kam shkruar kërcënimin ndaj vetes, nëse ka fakte të tilla duhet urgjentisht të intervistohet nga prokuroria. Por nuk është duke u bërë kjo gjë. Nuk ekziston ende çlirimi i shtetit të Kosovës nga këta shpërdorues, kemi vetëm qeveri të re dhe jo institucione të reja. Dhe qeverinë e rrëzuan. Ka pasur kërcënim ndaj meje, kërcënim me vdekje për mua dhe familjen, e kanë bërë publike, po merren organet e ndjekjes dhe rendit me këtë punë. Ata që më njohin e dinë se te unë nuk funksionojë kërcënimet. Nuk jam person që zmbrapsem apo kërcënohem. Ka vetëm një shpjegim, praktikisht e kanë me Gjykatën Kushtetuese se mos rastësisht po ua zhvlerëson Presidentin, përkatësisht dekretin presidencial që qartazi është në shpërputhje me Kushtetutën. Ekziston një trysni në kontekstin aktual politik për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që do ta publikojë këtë javë aktgjykimin e saj”, ka thënë Kurti.

Sa i takon akuzave të fundit nga presidenti se ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti thotë se Thaçi duhet të japë dorëheqjen dhe të futet në garën zgjedhore se nuk mund të bëjë opozitë nga kolltuku i presidentit.

“Nuk mund të kem koment për një president që sillet në shpërputhje me mandatin dhe kompetencat e tij. Nuk përfaqëson unitetin e popullit, po sillet si një nga liderët opozitarë. Është mirë të dorëhiqet, të lëshojë atë ulësen ku nuk po ndihet rehat dhe të vijë në garë zgjedhore në zgjedhjet e radhës. Një president në panik, i frustruar që përpiqet të bëjë opozitën në kolltukun e presidentit”.

” Sa më parë të kemi president të ri, siç kemi qeveri të re, aq më mirë do të bëhet për Republikën tonë. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese e ka parasysh dekretin presidencial si një tendencë e qartë për tu barazuar me amandamentimin parlamentar të Kushtetutës. Kushtetutën mund ta ndryshojë dhe mund ta shkruajë parlamenti i Kosovës, por kurrsesi presidenti i saj”, është shprehur Kurti.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close