Qeveria “Kurti” e fut në prioritet Autostradën 200 milionë euro me Serbinë
Kosova do ta ndërtojë autostradën 28 km nga fshati Besi e deri në Merdar, pikëkalim kufitar ky me Serbinë.
Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Infrastrukturës, që tash udhëhiqet nga Liburn Aliu i VV-së, partisë në pushtet.
Nga ky dikaster qeveritar projektin, që thonë se e kap shifrën e mbi 200 milionë eurove, e lidhin me realizimin e autostradës Durrës – Morinë- Prishtinë-Merdare-Nish e që është pjesë e rrjetit Bazik të Transportit në kuadër të Rrjetit Trans-Europian të Transportit.
“Pas përfundimit te Studimit te Fizibilitetit dhe Ndikimit ne Mjedis, për segmentin e Autostradës Besi – Merdare ka përfunduar projekti preliminar i projektuar sipas Standardeve TEM, me shpejtësi projektuese prej 120km/h, në gjatësi prej 28.6 Km”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Front Online.
Investim për këtë auto-udhë pati premtuar edhe Amerika, meqë ajo përfshihej në njërën prej 16 pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, për të cilat u dakorduan Kosova e Serbia.
Atë planifikohej ta financonte DFC-ja, një bankë e Amerikës e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike me të cilat përballet bota në zhvillim.
Nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se është dorëzuar aplikacioni për financim të autostradës në kuadër të WBIF-it, një strukturë rajonale që mbështet zgjerimin e BE dhe zhvillimin socio-ekonomik në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe Serbi.
Të njëtjtit kanë përmendur bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare rreth këtij projekti, por pa u lëshuar në emra.
Duke pasur parasysh që ky është projekt prioritar për vitin 2021 është dorëzuar Aplikacioni per financim ne kuadër të WBIF-it, planifikohet që në bashkëpunim me Institucionet Financiare Nderkombetare te caktohen afatet e fillimit te realizimit dhe financimit të këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e MI-së për Front Online.
Ndërtimi i këtij segmenti të autostradës 28 km është përfshirë nga Qeveria edhe në programin e saj qeveritar 2021 – 2025.