I infiltruari “Dhëmbëprishuri i UDB-së”, cilat metoda i përdori për t’u afruar tek UÇK dhe Zahir Pajaziti
Ish Kryetari i LPK-së në librin e tij ka treguar historinë e një personi të cilit nuk ia thotë emrin, por e përmend disa herë me nofkën “dhëmbëprishuri”. Sipas tij ai ishte shqiptar dhe pjesë e UDB-së edhe pse fillimisht dukej se është veprimtar për t’iu ndihmuar djemve të UÇK-së.
Rrëfimi:
Një ditë, një ilegal, duke biseduar për “dhëmbprishurin”me llir Konushevcin do i thotë atij:
– Do të flas hapur me ty. Sipas bindjes sime ky person është i ligë, gjithnjë sipas bindjes sime, ka të gjitha potencialet që të jetë agjent i UDB-së. (…) Edhe ky, në prani të shokëve të Llapit, po flet keq e ma keq për ty e për disa rreth nesh.
Me një pamje fizike të frikshme, ai do të kishte dhe veprimtari të frikshme. Tepër i mistershëm në vitet e luftës, ai do të ishte ndër njerëzit më të suksesshëm të UDB-së që do të infiltrohej në rrethinat e strukturave të luftës, por që do të dijë njëkohësisht tri gjëra: se kush është Zahir Pajaziti, se në cilat aksione ka marrë pjesë ai dhe se kush qëndron pas pseudonimit “Ismeti”.
Është njëri nga dy njerëzit që veprojnë jashtë Kosovës dhe që i dinë këto tri gjëra, por ndërsa njëri do të ishte dhe do të mbetej ndër më të besuarit e Zahirit, Ismet Abdullahu, tjetri do të rrëshqitej si hije pas tijpër të gjetur pjesë të së vërtetës së luftës. Këtë do e bënte mjeshtërisht. Do të ishte po ashtu, njëri nga tre njerëzit më të suksesshëm të UDB-së që kanë keqpërdorur lidhjet familjare për të hyrë deri në gjëra intime të luftës.
Nuk do të ishte vetëm. Do të ishte pjesë e strukturave të fshehta.
Në njërën nga ditët e mesvitit 1996 ai fillon të dyshojë nëse linja e krijuar nga Luan Haradinaj është e saktë dhe ka vërtet lidhje me strukturat e UÇK-së. Dyshon, por nuk mundet ta vërtetojë. Atëherë, duke u afruar si një njeri që ka dëshirën e madhe të ndihmojë luftën, u thotë, Luanit dhe Edmondit, se ka siguruar disa armë të rënda, që janë në lagjen Laprakë të Tiranës, por duhet të shkojnë së bashku për t’i tërhequr. Tundimi për të siguruar armët është i madh. Njeriu “dhëmbprishur”është po ashtu i njohur me rrethe ilegalësh, ku janë edhe ata të lidhur. Atëherë nisen së bashku drejt Laprakës, njeriu me dhëmb të prishur i afron drejt banesës ku jeton prej disa kohësh Ramë M., eksponent i UDB-së në Shqipëri, futet në shtëpinë e këtij të fundit, ndërsa djemtë presin jashtë.
Mund edhe të jenë fotografuar, jo më kot Ramë M. është i pajisur me teleobjektiv. Pastaj, pasi rri disa minuta, gjithnjë pas perdeve, del dhe u thotë, me një zë të zvargur, gjithë keqardhje, se “njeriu që ka armët i ka rritur çmimet jashtëzakonisht shumë dhe nuk ia vlen, por të mos mërziteni, sepse ai do të sigurojë armë të tjera”. Pastaj zhduket për disa ditë. Spostohet drejt Tiranës.
Në fundin e dhjetorit të vitit 1996, kur ndodh edhe udhëtimi i fundit i Zahirit në Shqipëri, ai është po aty, përpiqet të afrohet gjithnjë e më shumë dhe të krijojë një ndarje të madhe mes strukturave të luftës; në të besuar dhe në të pabesuar, në institucionalistë dhe në joinstitucionalistë. Hija e tij bie mbi ngjarjet, e gjithë kjo duhet të zbardhet nga ata që e dinë se kush ishte “dhëmbprishuri”, që, në një mënyrë ose në një tjetër, të mos bartin pjesë të gjynaheve dhe fajeve të tij.
Nuk do të ishte i vetmi, por do të ishte më i informuari, më i afërmi, më i lidhuri, ndaj edhe “Hija”e tij do të ishte më e rrezikshmja, do të ishte filli i parë pas së cilës do të mbështilleshin fije të tjera.
E gjithë ajo që kishin bërë strukturat e fshehta të shqipfolësve do të çonte drejt 31 Janarit.