fbpx
Lajme

Si bombardoi pozicionet serbe artileria e Divizionit të Kukësit

Në luftën e Kosovës, një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe forcat e Divizionit të Kukësit. Gjatë gjithë luftës, ky Divizion ishte në gatishmëri të plotë luftarake, i kompletuar me një përqindje forcash rezerviste. Dilaver Goxhaj, në rrëfimin e tij në vazhdim, tregon bashkëpunimin e gjatë e rezultativ me krerët e këtij Divizioni, përkatësisht gjeneral Kudusi Lame e Kolonel Selim Spahiun. Sipas Goxhajt, bashkëpunim me drejtuesit e kësaj njësie,deri dhe në qitje me artileri në objekte të armikut në thellësi të tokës së Kosovës, në shumë raste, ka qenë përcaktues. Njëkohësisht, në rrëfimin e tij, Goxhaj rrëfen dhe për dëshmorin Astrit Suli nga Berati, i cili luftoi e dha jetën për çlirimin e Kosovës…

Gjatë luftës në Kosovë, ju kishit lidhje të shpeshta me Divizionin e Kuksit?

Po. Divizioni i Kukësit, drejtuesit e saj por dhe shtabe të dërguara nga Tirana, kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimin e luftës së UÇK-së në Kosovë. Roli ka qenë i shumë anshëm, e në shumë raste, dhe vendimtar për përpjekjet tona me forcat e ushtrisë serbe.

Unë, dua të veçoj këtu rolin e dy drejtuesve kryesor të këtij Divizioni…

Si kontaktuat dhe bashkërenduat me drejtuesit e Divizionit të Kukësit?

-Që sa shkova në Kosovë, një prej lidhjeve të para telefonike ishte ajo me Babushin (Kudusi Lamen), komandantin e atij divizioni. Ai e kishte marr vesh se unë kisha shkuar në frontin e luftës në UÇK, e ishte interesuar. Por ai nuk e dinte se unë mbaja gjatë luftës pseudonimin ‘Shpëtim Golemi’, ndonëse e dëgjonte shpesh këtë emër në kodet e bashkëveprimit të ndërsjelltë. Kur e mësoi se oficeri ‘Shpëtim Golemi’ i UÇK-së, isha unë, Dilaver Goxhaj, nisën komunikimet tona.

Ishte kënaqësi e ndërsjelltë, pasi me gjeneral Kudusi Lamen unë kisha lidhje të hershme…

Cilat ishin këto lidhje?

-Me Kudusiun jam njohur qysh kur ai ishte student ne vitin e dytë në Akademi dhe unë në vitin e parë. Pastaj Kudusiu shkoi në Drejtorinë e Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe vinte shpesh në Akademi, tek Katedra e Artilerisë dhe kështu qe e kishim thelluar njohjen. Në këtë mënyrë, ri takimi pas shumë kohësh, në frontin e luftës, na krijoi mundësi shumë të mira bashkëveprimi…

Si dhe për çfarë bashkëpunonit?

-E kam theksuar edhe më lart, se emigrantët nga Kosova dhe vullnetarët nga Shqipëria përbënin një kondigjent të rëndësishëm për shtimin e fuqizimin e radhëve të formacioneve të UÇK-së në front. Këta luftëtarë, para se të vinin tek ne, në reparte e nënreparte të frontit, stërviteshin në Helshan të Krumës. Aty ishte një bazë e rëndësishme ku punohej jo pak, pasi një pjesë e mirë e vullnetarëve, sidomos ata që vinin nga emigrimi, nuk kishin përgatitjet e duhura në njohjen e armatimit luftarak dhe veprimeve elementare të varianteve të luftës. Kështu, sa herë që ne na lindte nevoja për të komunikuar me drejtuesit e pikë grumbullimeve dhe stërvitjes së vullnetarëve të UÇK-së për në luftë, lidheshim me Divizionin e Kukësit. Ka pasur dhe momente kritike që ndihma e Divizionit të Kukësit ka qenë vendimtare.

Mund të na përmendni ndonjë nga këto?

-Kur na u desh që të faksonim planin e Operacionit “Shigjeta”, ajo u bë nga faksi i komandantit të atij divizioni. Ishte momenti kur Bislim Zyrapi ndodhej pranë tij. Janë komunikime të vazhdueshme telefonike që unë mbaja me Divizionin e Kukësit.

Cili ishte personi apo personat që kontaktonit?

-Në shumicën e rasteve që më ka takuar mua të merrja në telefon më ka dalë Shefi i Shtabit të Divizionit të Kuksit, Selim Spahia. Selim Spahinë e gjeje në telefon në çdo orë të ditës apo të natës. Kuptohet, ngaqë komandantit i duhej të lëvizte sa në një drejtim në tjetrin, pasi kishte dinamikë të jashtëzakonshëm. E ritheksoj edhe një herë se Divizioni i Kukësit ishte pothuaj vazhdimisht në gjendje lufte. Për këtë shkak, gjeneral Lamaj lëvizte shpesh në Tiranë për probleme pune, kështu që pesha e drejtimit të Divizionit, i binte Selim Spahiut, Shefit të Shtabit. Selimi, Shefi i Shtabit, ishte jo vetëm tepër korrekt dhe i përkushtuar, por bënte të pamundurën që kërkesat tona të realizoheshin në kohën më optimale… Të kujtoj dhe një rast të rëndësishëm të bashkëveprimin me Selim Spahiun..

Cili është ky rast?

-Në rastin kur ne morëm sinjalin nga Kumanova, nga Shon Bërns, për kolonën serbe që qe nis nga Prizreni për të sulmuar në drejtim të Shqipërisë, dhe që sulmoi në Qafën e Prushit, në telefon ishte shefi i Shtabit të Divizionit. Në një kohë rekord, rreth një çerek ore, Selim Spahiu, më thirri në telefon dhe më “raportoi” se gjithë forcat e Divizionit kishin kaluar në gatishmëri luftarake. Divizioni i Kukësit, gjatë luftës në Kosovë pati bërë mobilizim të pjesshëm të rezervistëve. Nuk më harrohet fakti që qysh në kontaktin e parë me Selimin përmes telefonit, sapo u prezantova me emrin ‘Shpëtim Golemi’, ai ma ktheu me emrin tim të vërtetë dhe duke më thënë “Pedagog Dilaveri”. Në kohën kur Selimi pati kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, unë isha pedagog në atë Akademi. Kur komunikon e punon me një njeri që njihesh, në çfarëdo situate, veçanërisht në kushtet e luftës, e ke më të lehtë…

Kështu u ndodhi dhe ju me Selim Spahiun?

-Sigurisht. Gjatë gjithë asaj kohe lufte kemi komunikuar si vëllezër, me një respekt e dashuri që nuk mundem ta shpreh ashtu si ka qenë në të vërtetë e siç ne e kemi përjetuar. Dhe ai komunikim na jepte forca e besim në fitore, kështu që edhe Selimi, dhe Kudusiu për mua kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së me atë çka kanë bërë. Pjesëtar të UÇK-së unë i vlerësoj dhe gjithë oficerët e këtij divizioni që sakrifikuan shumë, qëndruan nate e ditë pa gjumë, në pozicione e detyra luftarake në të mirë të luftës e kombit, fitoren e UÇK-së e Kosovën e lirë… Nga ky Divizion, nga forca të tij janë kryer dhe detyra të ndryshme luftarake në frontin e luftës në territorin e Kosovës…

Mund të na thonë një rast?

Po. Dy oficerë artiljerë, kanë hapur zjarr me bateri artilerie me larghedhje të madhe, disa herë, me nismën e tyre dhe sipas kërkesës sonë, në interes të forcave tona në Kosovë! Këto komanda luftarake, i ka dhënë Selim Spahiu, ish-shefi i Shtabit të Divizionit të Kukësit.

Për këtë, e shumë të tjera, gëzohem që më jepet rasti ta falënderoj edhe një herë nëpërmjet gazetës suaj në cilësinë e kolegut të asaj lufte.

Çfarë mund të na tregoni për dëshmorin e UÇK-së, Astrit Suli nga Berati?

-Astrit Hekuran Suli ishte nga fshatin Luzaj, komuna Lumas, Berat, dhe ka rënë dëshmor më 27 Maj 1999, gjatë operacionit „Shigjeta“, në fshatin Gorozhup të Prizrenit..

Diçka për Astrit Sulin dhe rrugën e rreshtimit në UÇK?

-Astrit Suli, para se të shkonte në luftë, ka qenë refugjat ekonomik në Greqi. Me të dëgjuar thirrjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe të SHP të UÇK-së, lëshuar ditën e parë të prillit 1999, ai e la Greqinë dhe erdhi në Shqipëri. Këtu u interesuar se me kë mund të kontaktonte dhe si mund të shkonte të luftonte në UÇK për çlirimin e Kosovës.

Si dhe kë kontaktoi në Shqipëri?

-Më datën 15. 04. 1999 u paraqit në komandën përkatëse të UÇK, në Kukës, tek kuadri komandues Sali Saramati (tashmë dëshmor), ku asokohe bëhej mobilizimi i përgjithshëm i vullnetarëve për në radhët e UÇK-së.

Në 22 Maj, toga ku Astriti bënte pjesë ishin të pozicionuar në fshatin Mariq. Sikundër dihet, në 26 Maj shpërtheu operacioni “Shigjeta“. Në këto luftime mori pjesë dhe reparti ku ishte rreshtuar Astrit Suli, vullnetari nga Shqipëria. Kjo betejë që është nga më të rëndësishmet e luftimeve të UÇK-së do të ishte e fundit për Astritin…

Kur dhe si u vra Astrit Suli?

-Një ditë më pas, pra më 27 maj 1999, gjatë luftimeve në kuadër të operacionit ‘Shigjeta‘ bie dëshmor Astriti. Ishte vetëm  24 vjeçar. Në kushtet e luftës, u bë varrimi i tij dhe nderimet e çastit nga bashkëluftëtarët… Por në kushtet e luftës, ishte e pamundur të kontaktoje me familjarët e tij në Shqipëri. Ndërkohë, këta(familjarët e Astritit, nga moskomunikimi i gjatë dhe meraku për fatin e djalit, vijnë e interesohen më vonë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

Kur ka ndodhur kjo?

-Në 27 janar 2000 vinë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës familjarët e Astritit, të cilët kërkonin të dinin se djali i tyre ishte gjallë apo pat rënë në luftë. Këtu mësuan gjëmën. U ndjeva ngushtë përballë gjendjes në të cilën u ndodhën familjarët e tij…

Çfarë ndodhi më pas?

-Aty rreth orës 15:00 më thërret ministri Azem Syla, së bashku me Fatmir Limën dhe Kadri Veselin dhe më luten që të nisesha për në Berat dhe të veproja si në rastin e Indrit Carës, për të çuar eshtrat e tij atje. Njëkohësisht të takoja me institucionet përkatëse të Qarkut të Beratit për të gjitha ceremonitë e duhura. Unë kundërshtova…

Pse kundërshtuat?

-Kundërshtova pasi kur isha kthyer nga ceremonia e zhvilluar në Kavajë, më patën thënë se këtej e tutje me dëshmorët dhe vullnetarët nga Shqipëria do të merrej një farë Spiro Buçka, i cili, edhe pse nuk kishte qenë pjesëmarrës në luftë, e kishin punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, bile të mbulonte dhe këtë sektor. Unë e quajta për nder që më lehtësuan nga ajo barrë e rëndë shpirtërore. Por nuk më vinte mirë që me nderimet ti besoheshin një njeriu që nuk ka qenë dashamirës, por dhe ka shpifur për UÇK-në dhe luftëtarët e saj… Buçka është oficeri që më akuzonte se paskam mohuar „betejat“ e UÇK-së dhe u kishte përhapur se gjoja unë kam qenë partiak dhe kisha përzënë nga Akademia Ushtarake gjithë pedagogët, e plot shpifje të tilla!

Si u veprua në rastin konkret?

-Azem Syla, së bashku me Fatmir Limën dhe Kadri Veselin kishin gjithë ditën që e kërkonin këtë Buçkën, i cili është edhe nga Kuçova, ku edhe familja e dëshmorit banonte dhe banon, por nuk e kontaktonin. Pasi nuk mundën ta gjenin, atëherë vendosën të më dërgonin mua.

Pra, ceremonia e varrosja e Astrit Sulit iu besua ju?

-Më thirrën. Pas një diskutimi të gjatë, më në fund pranova të nisesha për në Berat. Për fat, në ora 16:00 nisej një autobus i linjës Prishtinë– Shkup-Tiranë. Dhe të nesërmen në ora 06:00 mbërrita në Rrogozhinë. Prej andej, me makina të rastit, shkova në Berat. Nxituam që të përgatiteshin në një kohë të shkurtër të gjitha detajet, që nga dekorimet zyrtare, deri tek ceremonia e rivarrosjes së eshtrave të Astrit Sulit në vendlindje.

Cilat ishin masat që u morën për këtë ceremoni?

-Shkova drejt e në bashkinë e Qytetit të Beratit ku më mirëkuptuan dhe u vunë menjëherë në punë. Ata koordinuan me Qarkun si dhe me bashkinë e Kuçovës. Më datën 29 janar u bë mbledhja e Këshillit të Qarkut bashkë me përfaqësues të bashkive Berat dhe Kuçovë dhe përveç që e shpallën dëshmor dhe propozuan dekorimin nga Presidenti, vendosën që të nesërmen t‘i bëheshin nderimet e merituara dhe trupi i tij të prehej në varrezat e dëshmorëve të rrethit të Beratit.

Po eshtrat si u sollën nga Kosova?

-Po atë natë nga Kosova një skuadër e TMK-së shoqëroi eshtrat e dëshmorit dhe të nesërmen u zhvillua mitingu në qytetin e Beratit. Unë isha autorizuar të përshëndesja si në emër të SHP të UÇK ashtu edhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, edhe pse ishte dita e fundit e ekzistencës së saj. Gjithçka u transmetua edhe nga televizioni lokal. Më pas bashkia e Kuçovës i ngriti Astrit Sulit monumentin në qendër të qytetit, ku përkujtohet dhe respektohet nga populli i atij qyteti.

Po kontradiktat e Buçkës që ka hedhur ‘baltë’ mbi bashkë kolegët që luftuan në UÇK…

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimi i kolonel Dilaver Goxhajt: Si ndihmoi Gjermania në luftën e UÇK në forca e logjistikë. Në radhët tona ishin 10 ushtarakë gjermanë, ndërsa në përdorim, na u dhanë 140 telefon celularë për drejtim e komandim të trupave.

-Si u vlerësua lufta e UÇK-së nga Presidenti i SHBA Bill Klinton, nga gjenerali Wesli Klark dhe vetë gjeneralët jugosllavë, pjesëmarrës në luftë.

-Neglizhenca e pajustifikuar shtetërore në Shqipëri për ndihmë zyrtare UÇK-së dhe për vlerësimin e kontributit të vullnetarëve nga Shqipëria në luftë për çlirimin e Kosovës.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close