“Azem Syla: Zahiri thirri në telefon të Naitit pas arrestimit të tij, aty mund të jetë përgjuar deri tek vrasja”
Ish Komandanti i Përgjithshëm i UÇK–së dhe ish i burgusori politik z. Azem Syla kishte dhënë komentin e tij në mbledhjet e LPK-së, respektivisht në komision të posaçëm për rënien / vrasjen e Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij. Këto i ka bërë publike në librin e tij ish Kreu i LPK-së z. Bedri Islami. Zahir Pajaziti, Nait Hasani por edhe të tjerët duket se ishin përgjuar për një kohë nga sigurimi shtetëror serb.
Ndërsa Azem Syla, në bisedë me të njëjtin komision të posaçëm, ka nënvizuar se
“…ndodhi arrestimi i Naitit. Pas dy orëve, nga Prishtina, jam njoftuar unë se është arrestuar Nait Hasani, dhe menjëherë kam porositur që të lajmërohen të gjithë shokët, sido që të jetë e mundur, dhe sidomos kam porositur për linjën e Llapit, se shokët e tjerë, përmes lidhjeve të tjera, kanë pas mundësi të lajmërohen, kurse linja e Llapit ka mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me shokët në Zvicër, Abazin (Ali Ahmetin) dhe Ismet Abdullahun. Pra, unë jam njoftuar për dy orë, e kam thirrë Zekën, i kam thënë që të bisedojë me Abazin dhe të lajmërojnë “Ismetin”(pseudonimi i Zahirit). Më vonë kam pyetur se “a janë mirë shokët”, pra a janë lajmëruar shokët. Më kanë thënë se janë mirë, mirëpo kam dyshuar prapë, se më erdhi informata se Zahiri ka disa ditë që po e kërkon në telefon Naitin dhe ky i fundit nuk i përgjigjet. Po e thërrasin e nuk ka lidhje. Këtu edhe mund të dyshoj, se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet e tjera që ka ra në sy Zahiri nga UDB-ja dhe pastaj janë bërë përcjelljet, deri tek vrasja”
Ish-shefi të sektorit analitik të Shërbimit Sekret Serb, Zoran Stijovic kishte dëshmuar në Rastin e Ramush Haradinajt në Hagë. Ai kishte treguar detaje interesante se si e kishin përgjuar Heroin Zahir Pajaziti.
“Ky ishte grupi i parë i UÇK-së që vepronte në Podujevë dhe udhëhiqej nga Zahir Pajaziti. Ne po përgjonim telefonin e tij dhe kishim organizuar një operacion për arrestimin e tij në Stacion të Autobusëve në Prishtinë, por ai na kishte hetuar dhe është larguar”, tha ai.
Edhe aksioni në Vushtrri, sipas tij, në të cilin është vrarë Pajaziti, është organizuar me qëllim arrestimin e tij. Stijoviq ka pasur njohuri edhe për një deklaratë tjetër të UÇK-së të nëntorit të vitit 1998.