Kryeministri i Norvegjisë: Në takim ia shpreha Kurtit zhgënjimin tim me Kosovën
Kryeministri Norvegjez, Jonas Gahr Store, i cili ka pritur në takim homologun e tij kosovar, Albin Kurtin, është shprehur i zhgënjyer me mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas Store, Bashkimi Evropian nuk duhet ta marrë si të mirëqenë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka disa çështje të pazgjidhura të cilët mund të vënë sërish flakën rajonit.
“Kjo gjë mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE. Argumentet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që zbehin besimin ndaj njëra-tjetrës. Prandaj, unë shfrytëzova rastin që gjatë takimit tonë të shpreh zhgënjimin tim ndaj Kosovës që nuk i lejoi zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizohen në të njëjtën mënyrë sikurse në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Store.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret si gjë e mirëqenë. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga të 90-tat mund t’ia vënë flakën përsëri rajonit”, ka shtuar ai.
Ndryshe kryeministri i Kosovës, i cili e ka njoftuar takimin e tij me homologun norvegjez përmes një statusi në Twitter, ka shkruar se në takim me Store ka theksuar se Kosova do të mësoj shumë nga shtet-ndërtimi i suksesshëm i Norvegjisë, pa e përmendur fare shqetësimin e homologut të tij në raport me mos-lejimin e zgjedhjeve serbe të tre prillit.
“Kosova do të mësojë shumë nga suksesi i Norvegjisë në ndërtimin e një vendi më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatë. Me tregues të mirë në demokraci dhe ekonomi, është koha për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik”, ka shkruar Kurti në Twitter.
I zhgënjyer me mos-lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte shprehur edhe Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuar Peach, në gazetën malazeze “Vijesti”.
“Isha i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votimin e serbëve të Kosovës në territorin e Kosovës gjatë zgjedhjeve të ardhshme në Serbi. Ndërsa është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast vë në dyshim përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, tha Peach. /Albanianpost.com