fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE: Ministria e Nagavcit rekomandon për bursa djalin e deputetes Kollçaku dhe militantët e LVV-së (DOKUMENTE)

Qeverisë së Albin Kurtit i janë bërë përditshmëri skandalet politike e institucionale. Punësimet partiake në KEK e SHKK, shkelja e të miturit nga ministrja Rozeta Hajdari, miliona eurot për blerjen e rrymës gjatë krizës energjetike nga kompanitë serbe, përfshirja e ambasadorit Martin Berishaj në top-skandalin rajonal të shpëlarjes së parave dhe pagesat që kishte pranuar nga kompania serbe GEN-I, ishin vetëm disa prej skandaleve të fundit.

Partia që bënte “be e rrëfe” se kur të vinte në pushtet do të “lulëzonte” barazia, e ka thelluar edhe më shumë pabarazinë me favorizimet që po ua bën kudo familjarëve të pushtetarëve dhe militantëve partiakë, shkruan Demokracia.com.

Së fundmi, ministria e Arbërie Nagavci, e cila e shkeli Kushtetutën me vendimin politik për Komunën e Kamenicës, duke i dhënë direktiva për organizimin mësimor kësaj komune për ta penguar reformën e nisur, tani i ka përzgjedhur dhe rekomanduar për bursa studimi në universitete të huaja disa militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe djalin e deputetes të kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Pos të birit të deputetes Mulhaxha-Kollçaku, Nagavci ua ka shpërblyer mundin për partinë edhe disa njerëzve të tjerë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Elion Kollçaku ka marrë rekomandim nga ministria e Arbëria Nagavcit për bursë në Hungari, raporton Demokracia.com.

Elion Kollçaku ka marrë bursë për studime të doktoratës në Sociologji e Shkenca Shoqërore. Ministria e Arsimit ia ka dhënë atij 75 pikë.

Demokracia.com e ka kontaktuar deputeten Kollçaku për ta pyetur rreth kësaj çështje, por kjo e fundit nuk është përgjigjur në telefon.

Edhe Libron Kelmendi, i afërm i Taulant Kelmendit që është koordinator i Qendrës së LVV-së në Pejë, ka marrë rekomandim për bursë nga Nagavci. Ai në rrjetet sociale nuk e fshehë fare dashurinë për partinë.

I njëjti, në shkurt të këtij viti ishte pranuar në studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.  Libron Kelmendi ka marrë bursë për të studiuar në “University of Szeged” dhe është poentuar me 80 pikë, raporton Demokracia.com.

Rrezona Rexha, po ashtu, është njëra ndër studentet që ka marrë rekomandim për bursë nga MASHTI. Ajo në Facebook bënte thirrje që të votoheshin kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rexha ka marrë bursë studimi master për në “Ewtvos Loránd University” në degën e Psikologjisë, raporton Demokracia.com.

Një tjetër kandidate që është rekomanduar për bursë në studimet master dhe është edhe Artina Arifi, e cila është pjesë e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës, por Demokracia.com nuk ka arritur ta konfirmojë nëse është e angazhuar nga ndonjë organizatë ndërkombëtare si e jashtme apo është aty me emërim politik.

Arifi do të studiojë arkitekturën në “Budapest University of Technology and Economics”.

Demokracia.com e ka kontaktuar edhe ministren Nagavci për të marrë një qëndrim nga ana e saj, por as ajo nuk është përgjigjur në telefon.

Thirrjet për aplikim në Programin Stipendium Hungaricum (MoU 2020-2023) ishte bërë më 17 nëntor të vitit të kaluar.

Thirrjet mund t’i gjeni në këto dy dokumente: hungary-phd-call-for-applications-2022-2023-final hungary-ba-ma-otm-call-for-applications-2022-2023-final

Kjo është bërë në bazë të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj hungareze.

Qeveria hungareze ofron 75 bursa çdo vit për qytetarët e Republikës së Kosovës për të vazhduar studimet në Hungari në gjuhën hungareze ose në gjuhën angleze.

Deri në 55 bursa janë të disponueshme çdo vit për studime universitare (BA, BSc) dhe/ose studime pasuniversitare (MA, MSc) në fushat e Bujqësisë, Shkencave Sociale (veçanërisht për drejtimet në: Psikologji, Bibliotekë dhe Shkenca Informacioni, Komunikim dhe Media, etj.), Shkencat e Natyrës (veçanërisht për drejtimet në: Matematikë, Astronomi, Meteorologji, Hartografi, Kompjuter dhe Inxhinieri, Prodhim dhe Ndërtim), Art dhe Shkenca Humane (veçanërisht për drejtimet në: Arkeologji, Gjuhë dhe Letërsi Hungarisht, Studime të Trashëgimisë Kulturore, Arkiva Shkenca, Integrim Social, etj.), Art dhe Dizajn (veçanërisht për drejtimet në: Arte Kreative Muzikore, Performancë Klasike Muzikore Instrumentale).

Deri në 10 bursa çdo vit janë të disponueshme për studime të plota doktorate (PhD/DLA) në çdo fushë të interesit të një aplikanti.

Deri në 10 bursa çdo vit janë të disponueshme për studimet Master One Tier (OTM) në fushat e Bujqësisë, Inxhinierisë, Mjekësisë, Stomatologjisë, Farmacisë, Mjekësisë Veterinare dhe Arkitekturës.

Bursat mund të përdoren gjithashtu për programe trajnimi tre (3) deri në dhjetë (10) mujore./ Demokracia.com/ 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close