Koha kur McCain e quante Kadri Veselin “lider të madh”
Senatori amerikan, John McCain, e kishte quajtur ish Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, “lider të madh”. McCain e kishte bërë këtë deklaratë gjatë një prononcimi për mediat, pas përfundimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, që ishte thirrur për nder të senatorit republikan. Ai kishte falënderuar Kryeparlamentarin Veseli për mundësinë që i dha t’i adresohej Kuvendit.
“Unë mendoj se është një lider i madh, një person që kupton mirë sfidat dhe çështjet me të cilat përballemi”, ishte shprehur McCain për Veselin.
“Unë kam vizituar disa vende të rajonit dhe besoj se kemi një rrugë të hapur përpara, duke përfshirë këtu pas njëfarë kohe anëtarësimin në partneritetin tonë për paqe mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe jam mirënjohës për bashkëpunimin e vazhdueshëm ushtarak”, kishte thënë McCain.
Senatori amerikan, më tutje, kishte treguar se e ka vizituar Kampin Bondsteel, të cilin e ka quajtur një shembull të përpjekjes shumëkombëshe që është duke u bërë në Kosovë për ta mbajtur paqen. “Jam shumë i nderuar që kemi bërë një rrugë shumë, shumë të gjatë, në tërë këto vite. Sot e shoh demokracinë funksionale, dhe para saj shumë mendonin se ajo që është arritur sot nuk do ishte e mundur”, është shprehur McCain.