E zbuloi se këshilltarja e Albulena Haxhiut ishte dëshmitare në Hagë, arrestohet Dritan Goxhaj
Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhër-arrest për Dritan Goxhajn, shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë gjatë vitit 1999. Bëhet me dije se arrestimi i Goxhajt është ekzekutuar nga punonjësit e Policisë në Tiranë, e cila ka ushtruar kontroll në banesën e tij, për llogari të Gjykatës Speciale, e cila më herët ka dërguar në pranga politikanë të lartë të Prishtinës.
Arrestimi i Goxhajt mësohet se është bërë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë. Goxhaj i është bashkuar UÇK’së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ish-zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.
Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Goxhaj e kishte implikuar Nazlie Balën, këshilltaren e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Ai, në një shkrim autorial të publikuar në janar të këtij viti, e përmend Nazlie Balën, si dhe katër të tjerë, si dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-Komandantit të UÇK-së.
Në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, të publikuar në agjencinë e lajmeve KosovaPress, Dritan Goxhaj pretendonte se Nazlie Bala është e afërme e njërit prej viktimave për të cilat në dhjetor të vitit të kaluar është dënuar ish-Komandanti i Njësitit BIA të UÇK-së, Salih Mustafa.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.
“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, pretendon autori i shkrimit.
Siç pretendon Goxhaj, Nazlie Bala “UÇK-në e ka parë vetëm kur ka mbaruar lufta”.
https://paparaci.com/268492/ish-oficeri-i-uck-se-denoncon-nazlie-balen-per-deshmi-kunder-calit/