Absurde: Rusia pretendon se UÇK-ja është e përfshirë në trafikim organesh në Ukrainë
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka bërë një pretendim absurd. Sipas saj, ka mundësi që UÇK-ja është e pranishme në Ukrainë si organizatë mercenare dhe është duke kontrolluar trafikim organesh.
“Njëri nga udhëheqësit e kësaj organizate terroriste është duke u gjykuar në Hagë”– shkroi Zakharova në një opinion në “Rasiyskaya Gazeta”, përcjell B92-shi.
Sipas saj, UÇK-ja është ende duke operuar, edhe pse me një emër tjetër, dhe ekziston mundësia që ajo është e pranishme në Ukrainë si organizatë mercenare.
“Ka qenë e ditur për një kohë të gjatë se Ukraina është bërë njëra nga lideret globale të “transplantimit të zi”– shkroi zëdhënësja ruse.
Ajo theksoi se nga fundi i viteve nëntëdhjetë, Ukraina është përfshirë nga skandalet e lidhura me nxjerrjen ilegale të organeve nga trupat e të vdekurve, që e kanë përkeqësuar situatën socio-ekonomike në vend.
“Që nga fillimi i viteve 2000, problemi ka qenë në rritje. Puçi i armatosur në Kiev në shkurt të vitit 2014 dhe konflikti pasues në Donbas ofruan një nxitje shtesë për këtë proces”– shtoi ajo.
Sipas Zakharovës, më 2014, OSBE-ja kishte njoftuar se trupa me organe të hequra ishin gjetur në varre masive në zonat e luftimeve, sipas të gjitha gjasave viktima të transplantimit ilegal të organeve.
Ajo shtoi se pas fillimit të “Operacionit Special Ushtarak”, siç e quan Rusia luftën në Ukrainë, tregu i zi i organeve është intensifikuar dhe se i tërë procesi u bë më i lehtë, pasi pushteti në Ukrainë miratoi një ligj për aktivitetet e transplantimit.
Zakharova theksoi se bëhet fjalë për miratimin e Ligjit për Rregullimin e Çështjeve të Transplantimit, i miratuar në dhjetor të vitit 2021, sipas të cilit nuk kërkohet më noterizimi i pëlqimit me shkrim nga një dhurues i gjallë ose nga të afërmit e tij për transplantimin e organeve.
“Nënshkrimet nuk kanë nevojë më që të noterizohen. Në thelb, ata lejuan që organet të merren nga fëmijët. Procedura e marrjes së organeve nga të vdekurit, të cilët nuk e kishin thënë pëlqimin për të qenë dhurues pas vdekjes, është thjeshtësuar në masë të konsiderueshme”– pretendoi Zakharova.
“Tani, leja për të marrë organe nga një person i vdekur mund të sigurohet nga një individ që është zotuar për ta varrosur trupin. Për shembull, mund të jetë kryemjeku i spitalit ose udhëheqësi i një njësie ushtarake dhe e drejta për të kryer transplantime u është dhënë jo vetëm shtetit, por edhe klinikave private”- e vazhdoi pretendimin e saj të rëndë zyrtarja ruse.