fbpx
Lajme

A është “Albas” arsyeja pse nuk ka libra, kompania që e kishte paguar ministren Nagavci

Debati mos-furnizimin e librave për nxënësit po vijon, me zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje që janë vënë në sulm ndaj shtëpisë botuese “Dukagjini”, duke anashkaluar kështu një kompani multilionëshe e cila e kishte paguar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, me një shumë “sekrete”. Mirëpo, nuk dihet nëse “Albas” është arsyeja se pse nxënësit kosovarë nuk po furnizohen me libra, për vitin e ri shkollor që nis më 1 shtator, teksa nga MAShTI ankohen për çmime “abuzuese” dhe “të papranueshme” të librave.

Një nga kompanitë që merret me botimin e librave “Albas” e që ka fituar miliona euro përmes tenderëve nga buxheti i Kosovës, pikërisht për furnizimin me libra, ka lidhje të afërta me ministren Nagavci, që sot njoftoi se po e shqyrtojnë mundësinë që mjetet tua transferojnë drejtpërdrejt prindërve ndërmjet platformës e-Kosova, raporton Paparaci.

“Albas”, një firmë nga Shqipëria por që e ka përfaqësinë e saj edhe në Prishtinë, ka pasur një bashkëpunim goxha të bereqetshëm me Nagavcin, pasi e paguan këtë të fundit për një shumë që akoma nuk është publike.

Sidoqoftë, nuk dihet nëse “Albas” është arsyeja kryesore që pse nxënësit e shkollës fillore në Kosovë nuk janë furnizuar me libra, ndonëse viti i ri shkollor nis më 1 shtator.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, sot tha se nuk do të lejohen çmimet abuzuese dhe të paarsyeshme të librave.

“Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore nga shtëpitë botuese. Janë të papranueshme, të paarsyeshme dhe abuzuese çmimet e librave 27 e 30 euro. Sigurisht kjo nuk do të lejohet në qeverisjen tonë”, shkroi ai në Facebook.

Nga ana tjetër, në qershorin e 2020-s, Nagavci sa ishte deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar në formularin për pasurinë e saj, se kishte pranuar një pagesë në xhirollogarinë e saj nga ndërmarrja “Albas”.

Deklarimi i pasurisë, Arbërie Nagavci - 2020
Deklarimi i pasurisë, Arbërie Nagavci – 2020

Megjithatë, ajo nuk e kishte treguar shumën e pranuar nga kompania në fjalë. Krejt çka kishte shkruar Nagavci në formular atë kohë ishte “Autorësia për 5 libra (ALBAS)”, teksa kishte treguar se përveç pagës si ligjvënëse, ka përfituar edhe nga pjesëmarrja në hulumtime apo trajnime.

Për dallim nga Nagavci, kompania “Albas” kishte dhënë më shumë detaje se pse e kishin paguar atë. Në panairin e 21-të të librit në Prishtinë gjatë qershorit të 2019-s, firma nga Shqipëria pati njoftoi se emri i Nagavcit figuronte si autore librash, teksa ishin përkujdesur edhe që ta promovonin atë.

“Interesimi është i kënaqshëm, posaçërisht nga të vegjlit, të cilët po na vizitojnë së bashku me prindërit e tyre për t’i zgjedhur librat që u pëlqejnë më së shumti. Këtë vit befasia për shkollarët nga klasa e parë deri në të pestën është botimi i librave të pushimeve verore “Aventurat tona të verës”, me autore Alida Thaçi, Arbërie Nagavci dhe Krenare Lleshi”, thuhej në një postim në faqen e kompanisë “Albas”, ku promovohej kontributi i Nagavcit si autore librash.

Libri i titulluar “Aventurat tona të verës”, ishte publikuar në pesë vazhdime. Përveç Nagavcit, bashkautore është edhe motra e saj, Krenare Lleshi si dhe Alida Thaçi.

“Aventurat tona të verës”, libri ku bashkëautore është edhe Arbërie Nagavci
“Aventurat tona të verës”, libri ku bashkëautore është edhe Arbërie Nagavci

Këto “aventura” kishin vijuar me kompaninë “Albas” e cila kishte fituar disa tenderë nga buxheti i Republikës së Kosovës, shkruan Paparaci.

Bashkëpunimi mes Nagavcit dhe “Albas” pati vazhduar me këtë të fundit që i kishte marrë 1 milion e 200 mijë euro nga taksapaguesit kosovarë.

Në tetorin e vitit 2021, firma nga Shqipëria – që më parë nuk ishte shquar për përfitime milionëshe në Kosovë – u zgjodh fituese e një pjese të tenderit “Furnizim me libra për vitin shkollor 2020-2021”, që peshonte mbi 3 milionë euro.

Në atë tender kishin fituar edhe “Libri Shkollor” (368 mijë e 862 euro), “Botimet Pegi Sh.P.K” (98 mijë e 903 euro), “NGL Berati”, (136 mijë euro), “Shukri Klinaku”, (125 mijë euro) dhe “Dukagjini” (1 milionë e 300 mijë euro).

Me këtë të fundit të cilët të hënën treguan se kanë bërë ofertë në ministrinë e Arsimit me çmim rreth 4% më lirë krahasuar me vitin e kaluar, zyrtarë të lartë të LVV-së, partisë ku bën pjesë edhe ministrja Nagavci, kanë nisur akuzat dhe sulmet.

Ishte Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, që në një postim në Facebook sulmoi biznesmenin Ekrem Lluka, opozitarët dhe “televizionet private”.

Sipas saj, tash është bërë traditë që “sa herë ka ndonjë vendim që ndryshon kahjen e gjërave me qëllim interesin publik, shfaqet gjithnjë një grup financiar i stërmadh, i bërë i tillë jo nga talenti por nga privilegjet e hershme klientelist”.

”Pas tij menjëherë shpërthen ekspertiza e ish ministrave dhe deputetëve të opozitës, shoqëruar padyshim nga ekspertët skrupuloz të fushës. Kjo ndodhi dhe sot me çështjen e teksteve shkollore. U lajmërua pas konferencës së ministres së Arsimit, “Dukagjini” përfituesi i biznesit me tekste shkollore, dhe me radhë LDK, PDK, pastaj ekspertët e ethshëm që mendojnë ditë natë për shkollën dhe dijen”, tha Mihali.

”Pyeteni Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale çka mund të bëjë ai në këtë drejtim. I ka çunat e task forcës gati. Ose le ta marrë edhe pronarin e “Dukagjinit”, z. Lluka, Lumiri, pastaj Memli, ta sigurojnë që janë ‘Pas tij” siç e telefonojnë Shkëlqim Devollin këto kohë. Ah, edhe një komision hetimor, s’e harrova, për tekstet shkollore. Ta drejtojë Enver Hoxhaj, ish ministri që e njeh mirë këtë lëmi, bashkë me Akademik, deputet Kujtim Shalën, që e njeh nga afër dhe nga brenda “Dukagjinin”.  Pastaj le të shpërthejnë si fishekzjarre portalet dhe TV private Pse jo? Kush si ata e mbron dijen dhe interesin publik? Askush”, u shpreh ajo.

Ministrja Nagavci tha se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore nga MASHT-i ka qenë “mjaft sfidues” në vitet e mëparshme për shkak se “ky proces ka qenë jo gjithmonë i drejtë dhe cilësor”.

Deklaratat e saja nxitën reagime të shumta në Kosovë. Deputetë opozitarë e personalitete të ndryshme kritikuan atë, duke e akuzuar – ndër të tjera – edhe për vjedhje në libra të fëmijëve./Paparaci.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close