fbpx
Lajme

Kastrati: Halil Geci më kishte thënë i sertë je, i thash unë jam ky që jam dhe ti e di mirë edhe çfarë jam

Shkruan: Rexhep Kastrati

Nazmiu nuk e përballoi sëmundjen dhe para 12 vitesh u largua nga kjo botë! Sigurisht ishte humbje, në radhë të parë, për familjen, por edhe publicistika humbi një nga publicistët që u shqua për energji pozitive dhe për tema të qenësishme për kohën qoftë në shtypin e Tiranës, qoftë në atë të Prishtinës! Nuk ishte lehtë jo veç për shkak të kërcënimeve, por edhe për shkak të intrigave të veglave të krimit dhe të faqes së zezë brenda “të tanëve”! Në “Bota sot” kishte trajtim me hove, dhe shpesh e shihje të mërzitur!

Gjatë kohës kur mora nismën për themelimin e një gazete ditore, Nazmiu ishte shpresëshumë se do të merrnin fund intrigat dhe do të kishte një media tamam! Ishin të shumta netët kur në banesën time në Prishtinë bënim llafe të shumta! Më vinte keq se kishte probleme me infeksione në gishtat e këmbëve, kurse atij i vinte keq për ne që e shihnim ashtu, edhe pse nuk kishte asnjë arsye!

Edhe pas tërheqjes së mbështetësit financiar për gazetën, tërheqje që kishte ardhë për shkak të njerëzve të krimit dhe argatëve të dreqit, Nazmiu vazhdoi si publicist, megjithëse shëndeti i përkeqësohej!

Më 2003, bashkë me Naim Kelmendin, Gani Tërshnjakun e ndonjë tjetër filluan gazetën “Pavarësia”, pa konsultim paraprak me mua, edhe pse ishte e qartë se një gazetë e qendrës së djathtë nuk mund të mbijetonte pa mua! Sigurisht më kishte mbetur hatri dhe nuk e kisha në plan të bashkëpunoja! Dhe një ditë më kërkuan takim Naim Kelmendi, Nazmiu, Gani Tërshnjaku dhe u takuam fillimisht te “Besimi” në Prizren e pastaj shkuam në Prevallë! Siç pritej, ata shprehën ato që ishin të ditura: “Nuk mund ta mbajmë pa ty!”. Dhe sigurisht ua thashë qartë: “Pse keni filluar pa mua kur e keni ditur se nuk e mbani dot?”! Nejse u morëm vesh që të shkruaja dhe pastaj të bisedonim për kushtet që ua kisha shtruar! I botova aty vetëm tre shkrime, e asnjë më shumë, pasi nuk kishte rend që të diskutohej për kushte, por edhe për shkak se dikush kishte guxuar të ndërhynte në terminologjinë time! Këtë ia thashë Nazmiut, i cili hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke përmendur dikë tjetër!

Më 2004, u takuam me Nazmiun në “Punto”, ngjitas me lokalet qendrore të LDK-së si në kohë më të hershme! Dhe papritur në tavolinën tonë erdhën Halil e Gani Geci dhe Ibrahim Ahmeti nga Rezalla! Mua më erdhi si me porosi, pasi kisha do llafe me ta, po nuk më vinte mirë që ato llafe t’i bëja në prani të Nazmiut, edhe për shkak se ishte çështje ndërmjet meje dhe tyre, edhe për shkak se mund të vihej në siklet nëse gecët do të kërkonin nga ai të dëshmonte rrejshëm! Bëhej fjalë për bërjen publike të idesë për një përmendore për Bekim Kastratin e Besim Dajakun, në emër të të cilës mund të kërkoheshin para nga mërgata, por edhe brenda Kosovës! Çështje ishte se a kërkonin privatizimin e vrasjes së Bekimit e Besimit dhe përdorimin për interesa personale, a donin të barrikadoheshin mbrapa kësaj vrasje për t’u mbrohtur nga e vërteta për vrasjen e tyre, apo në emër të kësaj përmendore a mund të kërkonin për interesa thjesht personale materiale! Dhe në mënyrë të qartë u thashë:

– Nuk keni të drejtë të kërkoni para në emër të Bekim Kastratit! E vetmja që mund të kërkojë para, apo ndonjë gjë tjetër në emër të tij është familja e tij, e pastaj unë, e që nuk po e bëjmë! Pastaj, vrasja e 19 tetorit 2001 nuk mund të trajtohet si çështje private, por si çështje institucionale!

Nazmiu, por edhe Ibrahimi e ndienin veten keq, por nuk kishin ç’të bënin! Në një moment Halili më tha:

– Me të kqyr kshtu nuk ta mbushish synin, po shumë i sertë!

– Halil, unë jam ky që jam dhe ti e di mirë edhe çfarë jam!

Kur u larguam, Nazmiu dukej i shqetësuar dhe i mërzitur! Edhe ai i dinte raportet e tyre me Bajrushin, por e dinte, po ashtu, se Bekimin te gecët e kisha çuar unë me iluzionin se do ta mbronin!

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close