fbpx
Lajme

“Pse deshtakja Haxhiu nuk e kundërshtoi Kushtetuesen kur ajo rrëzoi Hotin, Pacollin e Sejdiun?”

Sulmet e pushtetit, përkatësisht të zyrtarëve të partisë që udhëheqë me Kosovën, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë që njohës të çështjeve kushtetuese, por edhe opozita, të reagojnë duke ia bërë me dije qeveritarëve domosdoshmërinë e respektimit të institucionit më të lartë juridik në vend.

Por, Albulena Haxhiu nuk e kundërshtoi Gjykatën Kushtetuese kur kjo e rrëzoi kryeministrin Avdullah Hoti e dy presidentët; Behgjet Pacollin e Fatmir Sejdiun. Po ashtu, VV e Albulena Haxhiu nuk e kritikuan Gjykatën Kushtetuese as kur ajo konstatoi që Asociacioni nuk ishte në frymën e kushtetutës.

Për VV-në, ligji e gjykatat janë kredibile vetëm kur vendimet u shkojnë atyre për shtati. Reformat e pretenduara nuk kanë qenë asnjëherë të tilla, mirëpo përmes “reformave” VV ka synuar t’i kap institucionet e drejtësisë e këtë gjë nuk e lejoi as Komisioni i Venecias.

Rasti i fundit i sulmit ndaj Kushtetueses nga ana e qeveritarëve është i kësaj të mërkure.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media pretendoi se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Madje, sipas Haxhiut, kjo pengesë nuk po bëhet vetëm në reformat në drejtësi, por edhe në fusha të tjera.

Albulena Haxhiu

Këto komente, Haxhiu i bëri pasi që u pyet për akuzat që akterë të ndryshëm të ekzekutivit po i drejtojnë këtij institucioni për vite me radhë.

Në anën tjetër, sipas saj opozita në Kosovë, Kushtetuesen po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi qoftë në ekonomi të ekzekutivit.

“Ligji për Këshillin Prokurorial dy herë radhazi ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias, por është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese”.

“Vettingu në sistemin e drejtësisë, Kushtetuesja në këtë fazë ka pasur të trajtojë vetëm kapitullin 2 të Kushtetutës së Kosovës që ndërlidhet me të drejtat e njeriut, ka marrë më shumë se nëntë muaj kohë”, ka potencuar Haxhiu, ndërsa ka theksuar se ende s’ka një aktgjykim të plotë për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Lidhur me këto deklarime të Haxhiut, ka pasur reagime të shumta, duke e kritikuar kështu qasjen e saj në raport me Kushtetuesen.

Një ndër reagimet ka qenë ai i deputetes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, e cila i sugjeroi Haxhiut që të kandidoi në ndonjë shtet që ka sistem tjetër të organizimit shtetëror.

“Ministrja Haxhiu paska përsëritur se Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave. Na vjen keq ministre. Herën tjetër kandido në ndonjë shtet anarkik që nuk përfill kushtetutshmërinë, e ndoshta s’po të pengon më kushtetutshmëria e Republika”, shkroi Kica-Xhelili në Facebook.

Doarsa Kica-Xhelili

Edhe për deputetin tjetër të LDK-së, Driton Selmanaj, sulmet e pushtetit ndaj Kushtetueses janë dëshmi që logjika e tyre nuk përkon me sistemet ku kushtetushmëria dhe ligjshmëria janë baza të demokracisë.

Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj tha se brenda një jave, dy eksponentë të lartë të qeverisë sulmojnë ashpër gardianin e kushtetutshmërisë në vend, Gjykatën Kushtetuese.

“Besnik Bislimi, për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese thotë se nuk janë kredibilë, nuk janë kompetentë, se vendimet e tyre janë produkt i një mjedisi të korruptuar, se nxjerrin vendime kontroverse dhe se  Qeveria rezervon të drejtën për t’i interpretuar vendimet e tyre”, shkroi ai.

“Albulena Haxhiu nga ana tjetër në vazhdimësi fyen dhe akuzon Gjykatën për vendimet e saj. Së fundi paska akuzuar se ‘Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera’”, shtoi.

Kjo qasje e tyre, vlerëson Selmanaj, “dëshmon një fakt të pamohueshëm, që logjika e tyre qeverisëse nuk bën pjesë në sistemet ku kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë baza themelore e demokracisë”.

“Këta për qëllime perfide dhe meskine, në funksion të kapjes së çdo institucioni të rëndësishëm publik, nuk durojnë asnjë institucion që dëshmon integritet dhe profesionalizëm”.

Zgjatimi i logjikës qeverisëse sipas premisave parapolitike, beson ai, “janë tipare të lëvizjeve populiste me tendenca autokratike”.

“Paradoksi më i madh është se këta çdo ditë dhe çdo natë, na thonë së po këta gjyqtarë dhe po kjo Gjykatë Kushtetuese do e shpëtoj Kosovën nga Asociacioni me kompetenca ekzekutive!”, theksoi deputeti i LDK-së, dhe vazhdoi “krizë në dije, krizë në qeverisje”.

Ndërsa, sipas anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, sulmet e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë bëhen për një arsye: “për të mbuluar dështimin dhe paaftësinë e tyre për të kryer reformat e premtuara”.

“Këto sulme do të ashpërsohen edhe më shumë sa më shumë të afrohet data e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që të ndërtojnë një alibi për dështimin për të përmbushur premtimet e dhëna para votuesve”, shkroi Gruda në Facebook.

Përparim Gruda

“Nuk ju ka faj Gjykata Kushtetuese dhe askush tjetër për paaftësinë e tyre për të realizuara reformat e premtuara. Për të vërtetuar këtë, vetëm merreni rastin e vetingut: Ministrisë së Drejtësisë i janë dashur dy vite kohe që t’i dërgoj në Gjykatën Kushtetueses amendamentet për këtë proces, tani akuzojnë gjykatën që ka vonuar vlerësimin e saj për ato amendamente. Po këta që i vonuan 2 vite që t’i dërgojnë në Gjykata, kanë ndonjë faj, apo këta janë të pagabueshëm?”.

Procesi i vetingut, shtoi ai, “është zhbllokuar dhe ka marrë rrugë vetëm pas propozimit të PDK-së që ky proces të zhvillohej përmes një Komisionit të Veçantë në Kuvend”.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se partia në pushtet, Lëviza Vetëvendosje, e ka politikë dhe mision të identifikojë dhe targetojë armiq.

Ehat Miftaraj

“Për vitin 2024, për LVV armiku numër 1 i saj është Gjykata Kushtetuese. Target i lehtë për ta sulmuar, etiketuar dhe faturuar dështimet e keq qeverisjes së LVV në mbi tre vite në pushtet”, ka shkruar Miftaraj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close