Haradinaj premton veprime konkrete për zbardhjen e rastit ‘Dehari’
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim në zyrën e tij prindërit e Astrit Deharit, i cili vdiq një vit më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Haradinaj tha se është i interesuar për zbardhjen e këtij rasti dhe theksoi se premtimet e dhëna për rastin në fjalë shumë shpejt do të kthehen në veprime konkrete.
Shkrimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Në takimin me prindërit e Astrit dhe Arbnor Deharit, Xhemile dhe Avni Dehari, bashkëbiseduam për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme për zgjidhjen e çdo paqartësie rreth rastit tragjik të Astrit Deharit.
Premtimi im për ndriçimin e rastit të Astritit, pas një kohë të shkurtër do të zëvendësohet me veprime konkrete, gjithnjë në konsultim me familjen Dehari.
RH
Aktivisti i VV’së, Astrit Dehari, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara përfundimisht në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.Dehari po mbahej aty si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016.
I ndjeri Astrit Dehari dyshohej për sulmin terrorist me zollë në ndërtesën e Kuvendit. Për këtë çështje po vazhdon gjyqi edhe për pesë aktivistë të tjerë të këtij subjekti politik.