Banka Botërore: Rritje Ekonomike dhe e Punësimit në Kosovë
Kosova në krahasim me vitin e kaluar ka rritje të punësimit 8.5%, ndërsa rritje ekonomike 4.4%.
Banka Botërore në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor konstatoi se në Kosovë ka pasur rritje të punësimit dhe pritet edhe rritje ekonomike më e lartë se viteve të shkuara.
Agim Demukaj nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë tha se rritja e punësimit ndodhi nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimtarisë.
“Në Kosovë kemi pasur një rritje prej 8.5% ka qenë rritja më e lartë në rajon sa i përket punësimit. Prej ku ka ardhur kjo? Ka ardhur kryesisht nga sektori i shërbimeve, në ndërtimtari, por edhe në industri dhe sektorë të tjerë”, tha Agim Demukaj.
Ndërkaq rreth rritjes së ekonomike ai tha se projektohet rritje rreth 4.4%.
“Ka pasur një rritje që ne presim që do të jetë diku tek 4.4%, që është më e lartë se në vitin e kaluar”, tha Demukaj.
Përveç kësaj, Demukaj tregoi shumica e investimeve vazhdon të jenë nga vendet e BE-së.
“Nëse shikojmë investimet e huaja direkte, investimet vazhdojnë të vijnë nga Bashkimi Europian, në këtë rast nga Gjermania, nga vende të tjera si Zvicra, Austria, Italia, por edhe nga Turqia[si shtet që nuk është anëtar i BE-së]” tha Demukaj.
Ai theksoi se në këto investime rol të madh ka diaspora kosovare.
“Të mos harrojmë se investimet e huaja direkte në Kosovë janë gjithashtu të lidhura në masë të madhe edhe me diasporën tonë — me diasporën kosovare që gjendet në shtetet gjermanisht-folëse.
Sipas Demukajt diaspora po e mban gjallë sektorin e ndërtimtarisë në KOsovë
“Ata përveç që sjellin investime të huaja, mos të harrojmë se, 60% e investimeve shkojnë në ndërtim në banesa, domethënë nuk janë investime produktive ndoshta, por vazhdimisht e mbajnë gjallë sektorin e ndërtimtarisë i cili krijon edhe rritje ekonomike edhe punësim”, theksoi zyrtari i Bankës Botërore.
Ndryshe, KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për papunësinë dhe punësimin në Kosovë.