Komunës së Prishtinës dekorimi i kushtoi tetë mijë euro më shtrenjtë
Edhe pse kishte planifikuar 50 mijë euro për dekorimet e fundvitit, Komunës së Prishtinës ky aktivitet do t’i kushtojë gati 58 mijë euro.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur për publikun se ka nënshkruar kontratën për dekorimin e qytetit me drita dekorative dhe bredha për festat e fundvitit.
Komuna e Prishtinës njoftimin për nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 57 mijë e 940 eurove e publikoi në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP).
Sipas njoftimit, dekorimi i qytetit për festat e fundvitit i është besuar kompanisë “Anea” NPT.
Për këtë tender Komuna e Prishtinës kishte paraparë procedurë të hapur me kriter çmimin më të ulët.
Por mjetet e planifikuara për këtë aktivitet të prokurimit rezulton se nuk ishin të planifikuara mirë.
Bazuar në njoftim, Komuna kishte ndarë 50 mijë euro, ndërsa kontrata e nënshkruar për këtë tender kaloi parashikimin për 7 mijë e 940 euro.