Sulmon Presidenti: Gjykata Speciale injoron liderët e Kosovës, bashkëpunon 100 për qind me Beogradin
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se liderët e Kosovës po injorohen nga Gjykata Speciale. Thotë se kjo Gjykatë ka bashkëpunim të qind për qind me Beogradin zyrtar.
Në kuadër të vizitës së saj të parë në Kosovë si kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova zhvilloi takime me shoqërinë civile dhe zyrtarë qeveritarë.
Gjatë kësaj vizite Trendafilova nuk u takua me presidentin Hashim Thaçi. Për këtë presidenti për Rtv21 ka thënë se është për të ardhur keq se përfaqësuesit e Gjykatës Speciale nuk bashkëpunojnë me Kosovën, ndërsa kanë vizita të rregullta me Beogradin.
“Pyetja duhet parashtruar atyre se përse nuk u takuan me bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, kur Tribunali është i Kosovës, ndërsa mohohet dhe injorohet në mënyrë ekstreme bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, ndërsa është një bashkëpunim mbi 100 për qind me Beogradin”, tha presidenti.
Ai theksoi se është shumë keq për vendin që tani rolin e zëvendësit dhe agjendës së Tribunalit e prezanton Ministria e Drejtësisë së Serbisë.
I pyetur se a mund të jetë sinjal për aktakuzat e para nga Gjykata Speciale vizita e Trendafilovës, Thaçi tha se nuk mund të flas në emër të Tribunalit e as të Gjykatës.
Në vizitën e saj në Kosovë, Trendafilova theksoi se dhomat e specializuara janë të pavarura dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike. Trendafilova është emëruar më 14 dhjetor të vitit 2016 si kryetare e Dhomave të Specializuara.