Shpend Ahmeti flet për herë të parë pas largimit nga Vetëvendosje
Ai është një emër i njohur në politikën e Kosovës, prej dy mandatesh tashmë ai është kryetar i Komunës së Prishtinës. Bëhet fjalë për Shpend Ahmetin i cili po ashtu gjatë periudhës 2011-2018 ka mbajtur pozicionin e nënkryetarit të ‘Lëvizjes Vetëvendosje’, përgjegjësi nga e cila u tërhoq më 7 mars 2018.
Largimi i tij shkaktoi shumë zhurmë, por sot i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Shpend Ahmeti sqaroi braktisjen e Vetëvendosjes. Ai tha se shkak i largimit të tij ka qenë konflikti i brendshëm i kësaj force politike.
“S’kam patur dalje televizive për largimin nga “Vetëvendosje”. Gjithçka që kam patur për të thënë e kam thënë në letër. Konflikti i brendshëm që u bë në “Vetëvendosje” për mua ishte vendimtar për lagimin tim sepse u bë gati qëllim lufta ndërmjet grupeve dhe jo ajo për çfarë kishim hyrë në lëvizje që ishte ndërrimi i një klase të korruptuar politike.
Ndaj zgjodha këtë rrugë për largimin tim për t’u marrë me komunën si prioritet. Ky ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time të shkurtër politike, por kam zgjedhur rrugën të mos flas keq për shokët e mi sepse ende kam mendime të njëjta edhe për Albinin, edhe për Visarin, por edhe për gjithë të tjerët. Ka qenë e papritur për mua që të ndodhë kjo brenda lëvizjes. Lëvizja ka filluar me 20 vota kur nuk kam qenë unë në vitin 2005 dhe ka arritur të marrë edhe 200 mijë vota në 2017 dhe m’u duk sikur u rrëzua pak para finishit. Ka shkaktuar pak dhimbje, megjithatë unë do t’i mbaj premtimet që kam bërë në fushatë dhe marrëdhëniet me shokët e mi”, tha kreu i komunës së Prishtinës.
Lidhur me një riangazhim të mundshëm në një tjetër forcë politike në Kosovë, Shpend Ahmeti tha se ende nuk ka vendosur dhe se është i përqëndruar në drejtimin e komunës së Prishtinës.
“Për momentin nuk kam vendosur për të marrë një drejtim politik, por do të përqëndrohem në komunë. Ky është prioriteti im dhe zotimi im është t’i përmbushur premtimet që kam dhënë. Hera e parë në krye të komunës ishte pabesi, por kësaj here ishte më e vështirë, ka qenë përballje politike e vështirë”, tha Ahmeti./