A i është dhënë Dick Martit “raporti” i tij nga Milan St. Protiç në zyrat e Ambasadës së Serbisë në Zvicër?
Nga Bedri Islami
Do të ishte e vështirë për cilëndo prokurori, qoftë ajo edhe serbe, që në një aktakuzë, ngritur nga Prokurori i Specializuar për hetimin e krimeve të supozuara gjatë luftës në Kosovë, të kishte kaq shumë qëndrime të skajshme, të cilat shumë kujt në Kosovë e jo vetëm aty, edhe shumë përtej kufirit të Kosovës, do u zgjonte ndjenjën se e gjithë kjo është një përsiatje e akuzave të ngritura shumë vite më parë nga gjykatat e instaluara serbe në Prishtinë.
Në fakt, gjithçka është kronikë e një akti të paralajmëruar, jo vetëm tre muaj më parë, kur prokurori i specializuar, pikërisht në një çast të veçantë, bëri publike aktakuzën e parë të tij, por shumë më herët, që kur lufta çlirimtare u përball njëherësh me dy materiale të paraqitura nga dy figura të njohura, Karla del Ponte përmes një libri të saj dhe bashkëvendasi i saj, Dick Marty, përmes një materiali, i cili më pas u saktësua se ishte përgatitur nga strukturat e veçanta të shtetit serb.
Themelimit të gjykatës speciale i ka paraprirë raporti që mbanë emrin e politikanit zviceran, Dick Marty, e që në fakt është një sajesë e shërbimit të fshehtë serb, të cilin ai e ka pranuar përmes ambasadorit të Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiç.
Karla del Ponte, një emër i njohur i jurispendencës zviceriane, prokurore e përgjithshme e këtij shteti, që më pas u emërua edhe si kryeprokurore e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në Jugosllavi, ishte e njohur që në fillimet e luftës së armatosur në Kosovë, si një zë i ndjeshëm kundër asaj që po ndodhte, duke qenë gjithnjë një mbështetëse e agresionit dhe kundërshtare e rezistencës.
Pasi dështoi në dy hetimet më të mëdha të saj, në proceset kundër Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, dhe më pas, kundër fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, dhe dështimi ishte i përsëritur, jo rastësisht dhe jo pa patur materiale shtesë nga agresorët, në librin e saj hapi për herë të parë, çka nuk ishte dëgjuar asnjëherë më parë, çështjen e Shtëpisë së Verdhë në rrethinat e Matit, ku, sipas saj, ishin bërë krime monstruoze, ishin torturuar robër lufte, shumica serbe, atyre u ishin marrë organet jetësore, të cilat ishin shitur diku, jashtë Shqipërisë.
Akuza ishte monstruoze, por duke e ditur se reputacioni i saj tashmë ishte drejt fundit, loja u hap përmes një figure politike të kohës, që me të njëjtën gjuhë, të njëjtat fraza, deri në identike dhe burime të njëllojtë, ngriti të njjtat akuza, duke i shtuar shtëpisë së verdhë, që ishte larg Tiranës, edhe një shtëpi tjetër, diku në Fushë-Krujë, afër aeroportit, për të bërë gjërat më të besueshme.
Raporti i tij pushtoi gjithë mediat. Ishte një raport i ngritur pikërisht për të pasur jehonën e tij dhe mbi të gjitha për të shkaktuar, ashtu si edhe e shkaktoi, kalimin e vëmendjes nga vrasësit tek viktimat. Megjithëse Komisariarti i Lartë kishte vërejtur më parë mijra vrasje të shqiptarëve të Kosovës, apo edhe akte të tjera çnjerëzore, se “Kufomat e shqiptarëve të Kosovës të pushkatuar ishin varrosur nga civilë (ndonjëherë me kërkesë të shprehur të autorëve), nga ushtarë të UÇK-së, ose ishin marrë nga forcat serbe.
Në raste të tjera forcat serbe ishin kthyer në vendin e masakrave, kishin nxjerrë nga toka trupat e varrosur më parë në fshehtësi nga civilët dhe i kishin marrë ato. Shumë refugjatë kishin deklaruar se kishin parë traktorë ose kamionë të ngarkuar me grumbuj kufomash, të drejtuar nga policia serbe në destinacione të panjohura.
Komisariati i Lartë ka mbledhur dëshmitë dhe prova dhe ka konstatuar që kufomat ishin djegur qëllimisht, ndërsa në raste të ndryshme forcat serbe janë parë duke gërmuar varre masive“ , kjo si duket ishte harruar, pasi bota, në atë dhjetëvjetësh, ishte mësuar me krimet e ushtrisë, policisë, forcave paraushtarake dhe grupeve të armatosura të Arkanit apo të Sheshelit dhe vrasjet masive të tyre. Lëvizja politike serbe, fillimisht përmes Karla del Ponte e më pas përmes Dick Martyt, kishte jehonën e saj dhe kishte ardhur në një kohë kur presioni i bashkësisë ndërkombëtare për njohjen e Kosovës mbi qeverinë serbe po bëhej gjithnjë e më i qëndrueshëm dhe portë për të nisur bashkëbisedime të reja.
Kosova, për pesë vite rresht, është mbajtur në bankë të të akuzuarve, pasi mbi UÇK-në rëndonin dyshime për krime më të tmershme të dëgjuara ndonjëherë. Ky efekt vazhdon të rëndojë shtetin e ri të Kosovës, pasi akoma asnjë gjykatë nuk ka treguar se ato akuza ishin thjesht një fabrikim
Tani jemi në një fazë të re. Kosova ngriti Gjykatën e Specializuar, të njohur si gjykata speciale, e vendosi në ligjin e saj themeltar, në Kushtetutë, dhe, si nuk mund të ishte pritur, ata që e mbështetën më shumë vendosjen e saj do të ishin pikërisht edhe të hetuarit e parë dhe, tashmë, të akuzuarit dhe të ndaluarit e parë.
Pesë vite e gjysmë më parë, pikërisht kur diskutohej rreth vendosjes së kësaj Gjykate, kam qenë në Kosovë. Si shumë të tjerë isha i interesuar të di mendimin e mjaft prej miqve të mi, mes tyre edhe mendimin e zotit Thaçi, të zotit Veseli dhe zotit Haradinaj.
Atëherë kur mendoja se në mendimin e tyre do të kishte dyshime, hezitim apo stepje, ata ishin bërë më të vendosur që Kosovës i duhet kjo gjykatë. Akuza e bërë nga Dick Marty kishte kaluar në Këshillin e Europës dhe gjithçka ishte mes dy udhëve: pranimi i Gjxkatës ishte pranimi i pafajsisë dhe hedhja poshtë e akuzave, ndërsa mohimi i saj, që mund të bëhej më pas nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, do të ishte pranimi i fajsisë. Koha për të bërë gjëra ndryshe, si duket, kishte shkuar dhe brohoritja e fitores, duke harruar fqinjët, kishte sjellë këto pasoja. Genocidi i ndodhur në Kosovë ende nuk ishte denoncuar, faktimi i asaj që kishte ndodhur ishte bërë, por mbahej i mbyllur nëpër dosje e dikastere, ende nuk kishte dhe si duket gjatë nuk do të ketë, një mendim të përbashkët politik.
Tani, katër ndër figurat kryesore të njohura të luftës ndodhen në Hagë, në pritje të ballafaqimit të tyre me akuzat e ngritura, të cilat, si nuk është pritur, nuk kanë të bëjnë me atë çfarë kanë bërë vetë të akuzuarit e të ndaluarit, por më shumë me rrjedhën e një zingjiri komandues, që mban përgjegjësi për gjithçka që ka ndodhur.
Në luftë, të katërt, duan apo nuk duan të tjerët, ishin figurat më të njohura. Në aktakuzë janë ngritur aq shumë gjëra, sa që në vemendjen e parë të krijohet mendimi i një batërdie, sikur në atë luftë nuk ka pasur asgjë tjetër, veçse përleshje mes shqiptarëve dhe serbët ishin engjëllorë, sikur lufta për pushtet i ka nxjerrë njerëzit të luftojnë dhe duhet ditur, serbët luftën e marrin shumë seriozisht dhe shumë të egërsuar; sikur përplasjet kanë qenë mes një force politike dhe ushtarake, UÇK-së dhe gjithë të tjerëve.
Kjo është pamja e parë që të del para vetes, sa është e vërtetë kjo, është pohuar dy herë në dy gjykime nga një tribunal më i lartë se sa ky, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, dhe të dy herët të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.
Në aktakuzën e paraqitur tani së fundmi mungon ajo ishte fillimi i gjithë kësaj historie: Shtëpia e Verdhë. Aq më tepër një banesë e padefinuar në Fushë-Krujë.
Ka ekzistuar apo jo Shtëpia e Verdhë ashtu si përshkruhet në librin e del Pontes dhe në materialin e Dick Martyt? Janë bërë aty heqje dhe trafikime organesh, gjë e cila u përhap në aq shumë media botërore?
Vetëm ata që janë krejt të paditur mund të kishin menduar se operacione të një vështërsie të jashtëzakonshme, të pamundura shpesh herë edhe në klinika speciale, mund të bëheshin në shtëpinë dy katëshe të një fshati të panjohur apo në një banesë, diku në Fushë-Krujë.
Një mendje e çoroditur çoroditi gjithë botën dhe pasi lau duart, u mbyll në botën e tij. Cili ishte shpërblimi për këtë, askush nuk e di, e as nuk dua të paragjykoj, megjithëse një ditë gjithçka do të jetë e qartësuar. Kur politologu i njohur Bardhyl Mahmuti, autori i librit “Mashtrimi i madh“ e ftoi atë në një ballafaqim publik rreth mashtrimeve që kishte sjellë n materialin e tij, ai u largua dhe refuzoi. Misioni i tij kishte mbaruar.
Një çështje e ngritur nga një e dhënë e tillë, tronditëse dhe e sajuar, duhet të ketë një përgjigje: nëse nuk ka ndodhur dhe në fakt nuk kishte se si të ndodhte, kush e ngriti akuzën, mbi cilën bazë, cilat të dhëna, për të shkuar më tej, nëse edhe të dhënat e tjera janë ngritur mbi baza fabrikimi, dyshimi, stepje apo përfitimi?
Përgjigja e parë që pritet nga Gjykata e Specializuar dhe prokurori i saj është pikërisht në themelin e përgjigjeve të tjera: kush e fabrikoi çështjen e Shtëpisë së Verdhë?
Kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili në kohën e akuzave ishte në grupin hetues të UNMIK-ut në Kosovë dhe që ka vizituar pikërisht Shtëpinë e Verdhë, ka pohuar se asnjë fakt nuk është gjetur dhe asgjë e ngritur në materialin e Dick Martyt nuk ka ekzistuar.
—-
Ka një përdallim të veçantë në cilësimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe pas luftës. Në aktakuzë, shumë herë, masakrat e ndodhura në Kosovë, të cilat u bënë të zakonshme, sidomos pas fillimit të aksionit të NATO-s, quhen si sulme, ndërsa mbrojtja e zhvilluar nga forcat e UÇK-së si veprime terroriste.
“Sulmet“ serbe, që në fakt ishin masakra të organizuara, lanë pas vetes dhjetra e qindra të vrarë. Cilësimi i thjeshtë “sulme“ ul përshkallëzimin e së vërtetës, e minimizon atë, e përcakton si një gjë e zakonshme dhe bjerr të vërtetën.
“Sulmet“ e forcave serbe nuk kanë qenë vetëm mbi bazat e UÇK-së, roli i saj është njohur në kohën e duhur nga të gjitha kancelaritë ndërkombëtare dhe është mbështetur në veprimet e saj. “Sulmet“ serbe kanë qenë mbi këdo dhe mbi gjithkund.
Kur gjërat ishin në njohura dhe gjaku ende i pafshirë, në Raportin e Komisarit të Lartë të OKB-së, 27 shtator 1999, tre muaj pas përfundimit të luftës, shkruhej se “Në Ferizaj, policia synonte intelektualët shqiptarë, kryesisht udhëheqësit e sindikatave, gazetarët, anëtarët e shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe aktivistë të mbrojtjes të të drejtave civile…
Zyra e LDK-së, ajo e organizatës joqeveritare “Nënë Tereza” dhe zyra e mëparshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u hodhën në erë. Në fund të marsit disa nga lagjet e Ferizajt u bombarduan nga forcat e rregullta të ushtrisë jugosllave (VJ), ndërsa trupat ushtarake serbe kryen kërkime në një pjesë tjetër të qytetit, duke dëbuar njerëzit dhe më pas duke iu vënë zjarrin shtëpive të tyre.
Më tej, në të njëjtin raport:
Sipas disa burimeve dhe zbulimeve të tmerrshme të bëra nga forca ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë (KFOR) dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) pas kthimit në Kosovë, deri në 10 000 shqiptarë të Kosovës vdiqën gjatë fushatës së NATO-s dhe disa mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Shumica e refugjatëve të intervistuar nga OHCHR treguan se kishin qenë dëshmitarë në të paktën një incident, ku një ose më shumë individë kanë humbur jetën nga vdekje të dhunshme.
Besoj se secili e di se këtu nuk është fjala për “sulme“ serbe, por për masakra të organizuara, fuqishëm të organizuara, vrasje masive dhe djegie masive.
Gjykata Speciale nuk i merr parasysh vrasjet e mbi trembëdhjetë mijë shqiptarëve, të cilat nuk bëhen përmes “sulmeve“ sporadike, por masakrave të organizuara; dhunimet seksuale të mbi njëzet mijë femrave shqiptare, spastrimin etnik të Kosovës me dëbimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe asgjësimin e dokumenteve të identifikimit; shkatërrimin e 100.589 shtëpive, të 88.101 objekteve përcjellëse, të 358 shkollave, të 30 shtëpive kulturore, të monumenteve historike, të 93 bibliotekave, të 123 institucioneve shëndetësore dhe të 220 objekteve të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha katolike).
Me një fjalë Gjykata Speciale duhet të ketë parasysh gjenocidin që forcat serbe kanë ushtruar në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, dhe se fjala nuk ka qenë asnjëherë për sulme.
Ajo duhet të ketë parasysh se shumë nga këto krime u bënë nga forca paraushtarake, të cilat, si vëren Raporti i Komisionierit të Lartë të OKB-së, shpesh herë ishin fqinjët e shqiptarëve ose nga fshatra fqinj dhe që ushtruan dhunë, presion, bënë vrasje dhe u bënë pjesë e dëbimit të fqinjëve të tyre.
Lufta në Kosovë ishte një proces i imponuar dhe jo i dëshiruar. Cilësimi i UÇK-së si njësi terroriste është bërë nga institucione të tjera, jashtë Kosovës, me të cilat nuk duam të krahasojmë Gjykatën Speciale, që është pjesë e Kosovës, i nënshtrohet Kushtetutës së saj dhe, për të qenë thellësisht e besueshme, çka deri tani nuk ngjan, duhet të njohë të vërtetën.
Duhet të dijë se Kuvendi i Kosovës që miratoi ngritjen e kësaj Gjykate ka njohur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si pjesë e vyer e jetës së saj dhe domosdoshmëri historike; Kuvendi ka denoncuar çdo tentim për të denigruar luftën e drejtë, të domosdoshme dhe të imponuar, ashtu si ka cilësuar atë që ka ndodhur në Kosovë si gjenocid i pushtetit serb mbi shqiptarët e Kosovës.
Në UÇK ka pasur luftëtarë nga të gjitha forcat politike. Ajo nuk është ngritur për të luftuar kundër popullit që i takon, si cilësohet gabueshëm në aktakuzën e paraqitur. Nuk ka pasur asnjë rast që luftëtarët e UÇK-së të kenë ngritur dorën kundër njerëzve të zakonshëm, pavarësisht etnisë së tyre.
Në majin e vitit 1998, njëri ndër figurat më emblematike të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, në pyetjen e gazetarit të BBC për fajësimin e Beogradit se UÇK-ja po vret e keqtrajton banorët serbë, i është përgjigjur se “le të tregojnë një rast të vetëm, vetëm një rast, por nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë. Armët nuk i kemi marrë me luftue popullsinë serbe, ata janë viktima të regjimit të Millosheviqit, por për të luftuar makinerinë ushtarake serbe“.
Politika serbe nuk kishte asnjë rast në majin e vitit 1998 dhe, në ditët e Rambujesë paraqiti ankesë tek një organizatë jo qeveritare për pesë të humbur a të zhdukur, nga të cilët, më pas, tre dolën gjallë e jetonin në shtetin serb.
Në aktakuzë, krimet e pretenduara të UÇK-së nuk konsiderohen si raste të izoluara e sporadike, apo si krime të individëve të caktuar, por konsiderohen si (citoj): “pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik të drejtuar ndaj Kundërshtarëve” (pika 17 e aktakuzës).
Sa është e vërtetë jo, një kohë e ardhshme do e saktësoj edhe më qartësisht. Por, edhe e tashmja e ka të dhënën e saj. Është e pamundur që një luftë çlirimtare dhe në Kosovë ka pasur luftë e jo konflikt të armatosur, sikur po zihen dy barinj në mal, të mos ketë kundërshtarët e saj.
Kjo është e natyrshme, por në Kosovë, ndryshe nga sa mund të jetë menduar, ata kanë qenë shumë të paktë, pasi, të gjithë, edhe ata që ndiqnin rrugën paqësore, edhe ata të rezistencës së armatosur, kishin kaluar në të njëjtat vuajtje dhe kishin përballuar të këqia të përbashkta.
Në Kosovë, po të ishte e vërtetë aktakuza, do të kishim pasur luftë civile, përplasje me armë, pasoja të pallogaritshme, por e vërteta është se asgjë nuk ndodhi. Megjithëse kishte dy formacione të armatosura, UÇK dhe FARK, pavarësisht dallimeve, nuk ka pasur përplasje me armë mes tyre. Përcaktimi i shtabit drejtues të UÇK-së ka qenë i saktë, i duhur dhe i vendosur: do të luftohet kundër pushtuesit serb për Kosovën e pavarur.
Nëse në raste të veçanta, sidomos pas masakrave të tmerrshme (cilësim i Komisarit të Lartë të OKB-së) ka pasur raste të veçanta të dhunës apo ndëshkimit nga pjestarë të UÇK-së, kjo nuk ka të bëjë me të vërtetën se, UÇK-ja ishte, ashtu si e cilësoi shkrimtari i shquar, Ismail Kadare “dalëzotëse e popullit të Kosovës“.
Atëherë, kush i vrau shqiptarët në Kosovë?
Sipas aktakuzës, Kosova dhe banorët e saj gjatë periudhës 1998-1999 paskan qenë në zor e të përndjekur nga UÇK-ja, jo nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe e jugosllave. Krimet e pretenduara të UÇK-së nuk konsiderohen si raste të izoluara e sporadike, apo si krime të individëve të caktuar, por konsiderohen si (citoj): “pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik të drejtuar ndaj Kundërshtarëve” (pika 17 e aktakuzës).
Sipas Komisarit të Lartë të OKB-së, në raportin e tij të 27 shtatorit, ka të dhëna që saktësojnë ngjarjet dhe ndriçojnë të vërtetën.
– Në Mitrovicë, menjëherë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, u vunë në shënjestër intelektualët dhe aktivistët politikë shqiptarë, sipas një liste të parapërgatitur nga policia me ndihmën e civilëve serbë…
– Në pothuajse një të tretën e rasteve të raportuara, janë kryer ekzekutime pa dallim ndaj civilëve kryesisht nga forcat e policisë dhe ato paraushtarake. Në shumicën e rasteve, burra të moshës ushtarake u vranë në postat e kontrollit të policisë, pas paraqitjes së dokumenteve të tyre të identifikimit, sepse ata ishin nga zonat që konsideroheshin si bastionet e UÇK-së.
– Në shumë raste, ishin kryer qitje mbi turmat e civilëve, shtëpitë ishin djegur dhe ata që u përpoqën të arratiseshin u qëlluan dhe u vranë. Në fshatin Gllansellё, komuna e Glogocit, paraushtarakët iu vunë zjarrin shtëpive duke vrarë kështu më shumë se 45 civilë, kryesisht gra të moshuara. Në Suharekë thuhet se gjatë zhvendosjes janë vrarë deri në 350 civilë. Në Prishtinë, ndërsa i shtynin njerëzit drejt stacionit hekurudhor, policia vrau disa civilë.
– Në fshatin Vrbovac, komuna e Glogocit, pas tërheqjes së UÇK-së, një grup prej rreth 50 civilësh u kapën, u urdhëruan të mblidheshin në rresht, u torturuan dhe u pushkatuan nga forcat paraushtarake. Në Skënderaj (Srbicë), pas ofensivës së UÇK-së dhe tërheqjes pasuese, u vranë 5 burra të moshuar. Në Pusto Selo (Pastasel) pas luftimeve midis UÇK-së dhe serbëve në zonë, forcat serbe dyshohet se pushkatuan 106 persona pasi i poshtëruan dhe i keqtrajtuan…
Për të gjithë botën, edhe për symbyllurit, ishte e qartë se në Kosovë po zhvillohej luftë e përgjakshme dhe po ndodhnin masakra të përbindshme.
Këto masakra do të kishin qenë në përmasa shumë më të mëdha, si ndodhi në Bosnje, nëse Kosova nuk do të kishte pasur Ushtrinë e saj Çlirimtare.
Prania dhe lufta e saj, e drejtë, në kohën e duhur dhe e imponuar solli përkrahjen ndërkombëtare dhe ndryshe nga marsi i vitit 1998, kur ende kishte dyshime mbi rolin dhe rëndësinë e saj, ajo u bë partner i domosdoshëm i politikës botërore.
Kjo solli për herë të parë në histori intervenimin e NATO-s, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe ndoshta as nuk do të ndodhë, kjo bëri që shefi i kësaj strukture, gjenerali Klark ta cilësonte UÇK-në si “forca tokësore e NATO-s“, kjo solli edhe përkrahjen ndërkombëtare në Rambuje, ku shefi i delegacionit ishte drejtori politik i UÇK-së, dhe diplomacia e kalibrit të rëndë nuk mund të ulej dhe të bisedonte me një terrorist, përfaqësues i një strukture që ishte e lidhur me krimin.
Kosova ndodhet para një gjendje të re, pasi në ballancë nuk janë vënë rivënë fati i disa njerëzve, sado të rëndësishëm apo të parëndësishëm qofshin ata, por shumë përtej saj : e shkuara dhe ndërtimi i së ardhmes.
Në Hagë ndodhen disa prej njerëzve përfaqësues të saj, presidenti i Kosovës, dy ish kryetarë të Kuvendit, drejtuesi i grupit parlamentar të partisë më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit. Pra një konfiguracion i tërë politik, që ka lidhje me tri parti politike, PDK, NISMA dhe Lëvizja VV!, tri forca që kanë nisjen e saj nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe, më tej, me presidentin e Kosovës, që në jetën e tij politike të pasluftës ka pasur gjithë postet e mundshme qeveritare dhe shtetërore.
Aktakuza e ngritur ndaj tyre ka vënë përkohësisht në ballancë vlerat e luftës dhe të domosdoshmërisë së saj, sëbashku me të vërtetat.
Cilat janë ato?